Perlat e Urtësisë
Njerëzimi e njohu dhe e përvetësoi qytetërimin e vërtetë në sajë të Profetit Muhamed (s.a.s.). Pastaj, çdo përpjekje e treguar në këtë drejtim nuk ka shkuar më tej se imitimi dhe revizionimi i parimeve të sjella prej tij. Nisur nga kjo, do të ishte më e përshtatshme që të quhej ai si themeluesi i qytetërimit të vërtetë.
***
Është Profeti Muhamed (s.a.s.) ai që nuk i ka lëshuar rrugë dembelit dhe dembelizmit, që e ka quajtur punën adhurim dhe e ka duartrokitur njeriun punëtor, që u ka treguar ndjekësve të vet kohën përtej epokës së jetuar dhe koordinatat, si elementë drejtpeshimi për të gjithë njerëzimin.
***
Profeti Muhamed (s.a.s.) në daljen e tij si një shpatë e trimërisë dhe fjalës kundër mohimit dhe egërsisë, në shpalljen e së vërtetës pa pushim në të katër anët dhe në tregimin njerëzimit të rrugëve të ekzistencës së vërtetë, është personi unik dhe i papërsëritshëm.
***
Nëse ka një njeri që nuk e do injorancën, mohimin dhe egërsinë, ai është Profeti Muhamed (s.a.s.)! Sido që të bëhet, herët a vonë, zemrat që e kërkojnë të vërtetën dhe që janë të etura për diturinë shpirtërore, kanë për ta gjetur atë dhe kurrë më s'kanë për t'u ndarë prej gjurmëve të tij!..
***
Është Profeti Muhamed (s.a.s.), ai i cili e ka marrë nën mbrojtje fenë, nderin dhe atdheun, që i ka kumtuar njerëzimit në një formë përsosmërisht të ekuilibruar se përpjekja për t'i mbrojtur ato është një luftë e vërtetë identiteti dhe ndërgjegjeje dhe se kjo luftë është detyrë e lartë dhe sublime që rrjedh nga besimi.
***
Ka qenë Profeti Muhamed (s.a.s.) i pari që i ka kumtuar njerëzimit lirinë e vërtetë, që u ka bërë të ditura ndërgjegjeve se njerëzit janë të barabartë para të drejtës dhe ligjit, që e ka kërkuar epërsinë në moral, virtyt dhe devocion si dhe që e ka konsideruar adhurim thënien me zë të lartë të së vërtetës përballë mizorit dhe idesë së dhunës e padrejtësisë.
***
Është Profeti Muhamed (s.a.s.) që e ka grisur perden e hedhur në fytyrën e vdekjes dhe vdekshmërisë, që e ka treguar varrin si sallon pritje të botës së lumturisë së amshuar, që i ka çuar zemrat e çdo moshe që kërkojnë lumturi, të pijnë nën burimin e eliksirit të pavdekshmërisë!..
- Publikuar më .