Mbi Shkencën
Ndenjja larg shkencave pozitive duke pasur frikë se mos çojnë në ateizëm, është foshnjarake; po ashtu, edhe trajtimi i tyre si pretekst që çon në mohim duke i parë ato në tërësi si antagoniste të fesë dhe besimit, është injorancë dhe paragjykim!
* * *
Shkencat janë të dobishme me aq sa na e garantojnë lumturinë dhe na lartësojnë në vlerat njerëzore. Në të kundërt, shkenca dhe teknologjia që e bëjnë njeriun të përjetojë ëndrra të frikshme, janë një shtrigë që na ka zënë udhën e një djall!
* * *
Në krye të shekullit të kaluar, dikush, në kundërshtim me një pjesë materialistësh mëngjarashë që e patën hyjnizuar shkencën duke ia kushtuar çdo gjë asaj, i godiste në formën më delikate përçartjet e çuditshme që patën mbështjellë një shekull të tërë, duke thënë: "Shkenca pa fe është e verbër, feja pa shkencë, e çalë!" S'e di se ç'do të thoshte, po t'i shihte, këta tanët sot edhe të verbër, edhe të çalë!"
* * *
Pretendimi se shkencat pozitive s'janë asgjë, është fanatizëm dhe injorancë, ndërkaq që hedhja poshtë e çdo gjëje jashtë tyre, është sektarizëm naiv, kurse njohja dhe pranimi, nën dritën e çdo njohurie të re të mësuar, se janë edhe male të tëra të vërtetash të panjohura, është mendësi shkencore dhe orientim mendimi!
* * *
Shkenca dhe teknika janë në shërbim të njeriut dhe s'ekziston asnjë shkak serioz për t'u trembur prej tyre. Rreziku nuk është te shkenca dhe ngritja e një bote sipas shkencës. Rreziku është te injoranca, pavetëdijshmëria dhe shmangia nga marrja e përgjegjësisë!
- Publikuar më .