Ç'pritet Prej Shkencës

Meqë jeta e vërtetë për njeriun mundësohet me shkencë dhe kulturë, ata që e lënë pas dore mësimin, quhen të vdekur edhe po të jenë në jetë, sepse qëllimi më i rëndësishëm i krijimit të njeriut është vëzhgimi dhe mësimi si dhe, pastaj, mësimi të tjerëve i gjërave të mësuara vetë.

***

Masat dhe vendimet e një individi janë të goditura me aq sa ç'janë në marrëdhënie me mendjen dhe logjikën, kurse këto zhvillohen në përpjestim të drejtë me shkencën dhe intuitën.[1] Prandaj ndodh që atje ku nuk ka shkencë dhe intuitë, mendja është e ngathët, logjika, mashtruese, vendimet, të pagoditura!

***

Vlera njerëzore e një njeriu shquhet dhe del në shesh duke mësuar vetë, duke i mësuar dhe i ndriçuar edhe të tjerët pastaj. Kur atij nuk i shkon mendja të mësojë nëse s'di, ta rinojë veten me gjërat e mësuara e të bëhet shembull për të tjerët, mund të duket, në pamje të jashtme, se është njeri, por të le të mendosh në është me të vërtetë i tillë!..

***

Gjërat që do të mësohen për vete e që do t'u mësohen të tjerëve, pastaj, duhet të synojnë zbulimin e natyrës dhe cilësisë esenciale të njeriut si dhe të fshehtat e gjithësisë. Shkenca që nuk u bën dritë të fshehtave të un-it, që nuk i hap dhe ndriçon pikat e errta e të zëna të ekzistencës, nuk është shkencë!

***

Posti dhe funksioni të arritur me anë të diturisë dhe intuitës, janë më të lartë dhe jetëgjatë se postet e arritura me rrugë të tjera. Sepse dituria, në këtë jetë, duke e mbajtur njeriun larg të këqiave, e bën të virtytshëm e të vlefshëm, kurse, në jetën tjetër, projektet e ngritura në ndiesitë me anë të besimit dhe diturisë, i lumturon me anë të pozitave tejet të larta.[2]

***

Çdo nënë e baba, duhet që, para se kryet e fëmijëve t'u mbushen me gjëra të panevojshme, t'ua mbushin me dije e kulturë.[3] Sepse ndiesitë e zbrazëta nga e vërteta dhe shpirtrat e privuar nga intuita, janë si parcela toke të përshtatshme për hedhjen dhe mbirjen e çdo lloj mendimi të keq. Ç'të mbillet më parë në to, ka për t'u korrur pastaj!..

***

Synimi i mësimit është që dija t'i bëhet njeriut prijës dhe udhërrëfyes, që të ndriçohen udhët që shkojnë në përsosjen njerëzore. Për rrjedhojë, dituritë dhe shkencat që ia kanë zënë vendin shpirtit duke e shmangur krejtësisht atë, janë një barrë në shpinë të të zot, kurse intuita që nuk e orienton njeriun kah objektivat e larta, një hamallëk ndiesish dhe mendimi!..

Ja se si shprehet letrarisht për këtë gjë poeti kombëtar turk, Junus Emré:

Dituri do të thotë të dish,
Do të thotë veten të kuptosh;
E nëse ti veten s'e kupton,
Ç'të vlen kaq shumë të lexosh?..

***

Dituria apo shkenca me synimin dhe qëllimin të përcaktuara, janë, për të zotin, pretekst begatish dhe thesar i pasosur. Ata që e zotërojnë këtë thesar, vizitohen si të ishin një burim uji të ëmbël, vazhdimisht, për sa të jenë gjallë dhe bëhen pretekst për dobi. Kurse hipotezat boshe me synim të papërcaktuar që u hedhin zemrave dyshim e lëkundje e që i nxijnë shpirtrat, janë një grumbull plehrash përreth të cilit sillen vërdallë shpirtrat ose një kurth shpirtrash.

***

Edhe nëse dituritë dhe shkencat me degët e tyre të ndryshme dhe dobitë që përmban çdo degë janë dobisjellëse pothuajse për çdo njeri, meqë jetëgjatësia[4] e njeriut është e paracaktuar dhe mundësitë, të kufizuara, është e pamundur që të mësohen që të gjitha, të nguliten në kujtesë e të përfitohet prej tyre. Nisur nga kjo, çdo individ duhet t'i mësojë dhe vërë në punë gjërat e domosdoshme për të dhe kombin e tij pa qenë e nevojshme ta çojë kot jetëgjatësinë me gjëra që s'i hyjnë në punë!..

***

Dijetari apo shkencëtari i vërtetë do t'i ketë kurdoherë punët të lehta dhe zemrën të qetë nëse kërkimet dhe studimet do t'i rregullojë dhe zhvillojë nën dritën e informacioneve më të drejta, e pohimeve më të sigurta që s'të gënjejnë si dhe sipas përvojave shkencore. Kurse shpirtrat e mjerë, të privuar nga burimi i vërtetë i dijes, s'do të bëjnë dot gjë tjetër veç të rrinë e të ndërrojnë rrugë e drejtim vazhdimisht duke mos shpëtuar dot kurrë prej iluzioneve bruto, për çka edhe do të rrinë e të rënkojnë vazhdimisht nën dhimbjet e zhgënjimit!..

***

Fuqia dhe vlera e çdo personi është sipas përmbajtjes dhe pasurisë së diturisë që ka marrë: e atij që e përdor diturinë thjesht si një element thashethemesh, po aq; e atij që, duke e përdorur diturinë si një prizëm në njohjen e materies dhe dukurive, arrin gjer në skajet më të errëta të hapësirës e që, duke marrë krahë me kulturën e vet, takohet me të vërtetat përtej natyrës, gjithashtu po aq...


[1] Në origjinal është fjala arabishte "marifet" e cila në terminologjinë islame, veçanërisht të mistikës islame, do të thotë "intuitë e njohjes së Zotit". Intuita sipas mistikës islame është një dukuri metafizike, për çka edhe si koncept është e ndryshme nga intuita e psikologjisë materialiste. Prandaj edhe përkthimi i fjalës "marifet" me "intuitë" nuk është krejt i saktë, por më i miri i mundshëm si dhe i përdorur në praktikën e përkthimit në gjuhët perëndimore. Eshtë me vlerë të sqarojmë shkurt që, sipas istikës islame, Zoti, që është kategori e papërceptueshme, mund të njihet me të vërtetë, me aq sa e lejon kapaciteti shpirtëror njerëzor, me anë të ndjenjës dhe intuitës, me anë të përvojës metafizike dhe lartësimit shpirtëror, të cilat e aftësojnë shpirtin e njeriut duke bërë të mundur "rrokjen" e hyjnores, hyrjen në kontakt me të. Fjala "marifet" që do të thotë "mjeshtëri (shpirtërore)", është pikërisht niveli mjeshtëror shpirtëror i hyrjes në kontakt me Qenien Hyjnore. Pa dyshim që, në këtë mes, dija ka rolin e vet të madh e të pamënjanueshëm, gjë të cilën e thekson edhe vetë autori.

[2] Këtu autori ka përdorur neologjizmën turke "aşkın" që në filozofi do të thotë "transcendental".

[3] Në origjinal është fjala arabishte "irfan" që do të thotë "kulturë fetare e shpirtërore".

[4] Në origjinal është fjala me prejardhje arabishte, "ömr" që do të thotë "jetëgjatësi", kurse jetën si dukuri e emërton fjala arabishte "hayat", jo si në shqip që fjala "jetë" i emërton të dyja.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.