Simpozium: Dialogu ndërfetar e ndërkulturor si vlera integruese
Shtëpia Botuese "PRIZMI" dhe Instituti për "Dialog dhe Mirëkuptim", organizuan më 17 maj 2008 simpoziumin me temë 'Dialogu ndërfetar dhe ndërkulturor si vlerë integruese', ku merrnin pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, të shoqërisë civile, akademikë, studiues, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor etj.
Në simpozium u vlerësua dialogu ndërfetar si domosdoshmëri, ku rol të veçantë duhet të luajnë liderët fetarë me kontributin e tyre për paqen dhe pajtimin.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar, H. Selim Muça, e cilësoi dialogun ndërfetar, si një proces të nevojshëm që duhet të shoqërojë të gjitha fetë. "Ne na karakterizon toleranca e gjerë fetare dhe respektimi i mendimit ndryshe, që është burim i rëndësishëm i disiplinës shpirtërore edhe virtytit", tha ai.
Episkop Andoni, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, vlerësoi simpoziumin si një promovues i vlerave të tolerancës dhe dialogut në vendin tonë, si dhe theksoi se megjithë harmoninë e padiskutueshme ndërmjet komuniteteve fetare në vend, investimi dhe promovimi i këtyre vlerave duhet të vazhdojë intensivisht.
Ndërsa përfaqësuesi i Arqipeshkvisë së Metropolitanës Tiranë-Durrës, Arqipeshkëv Xhorxhi theksoi se "ne duhet të flasim jo vetëm për bashkëjetesë fetare, por dhe për dialog ndërfetar", duke kaluar nga toleranca në bashkëpunim. Të gjitha besimet duhet të angazhohen për të komunikuar vlerat e vërteta, që i shërbejnë paqes dhe drejtësisë në shoqërinë njerëzore".
Baba Reshat Bardhi, Kryegjyshi Botëror i Bektashive, në mesazhin e tij drejtuar simpoziumit nënvizoi se "sot dialogu fetar ka vlera që nuk duhet të varrosen, por duhen nxjerrë në dritë. Populli ynë gjatë gjithë historisë së tij është karakterizuar nga dialogu i sinqertë dhe toleranca ndërmjet besimeve fetare. Njerëzit tek këto besime nuk kanë parë çfarë i ndan, por çfarë i bashkon", tha ai.
Simpoziumin e kanë përshëndetur edhe organizatorët, drejtori i Shtëpisë Botuese "Prizmi", z. Nuh Tokçelik, si dhe presidenti i Institutit për Dialog dhe Mirëkuptim, deputeti z. Ferdinand Xhaferi.
Sociologu dhe studiuesi i mirënjohur, Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, në kumtesën e tij "Gyleni, një thirrje për dialog kulturor", vlerësoi maksimalisht rolin dhe kontributin e Fethullah Gylenit, një prej mendimtarëve më të shquar të botës turke dhe më gjerë, si dhe nismat e tij në fushën e dialogut ndërmjet besimeve, kulturave dhe qytetërimeve: "Krijimtaria e mendore e shpirtërore e Fethullah Gylenit është e përmasave të tilla që i ka kapërcyer me kohë kufijtë e çdo nderimi. Me të gjithë energjitë shpirtërore dhe krijimtarinë e tij të shumanshme, Fethullah Gylen ka qenë dhe mbetet i angazhuar në betejat pa zhurmë, por më të vështira të paqes, për paqtimin e marrëdhënieve ndërmjet qytetërimeve, ndërmjet popujve, ndërmjet individëve. Ai është zëdhënësi më i kualifikuar i idesë së dialogut, që synon të mbajë gjithnjë hapur dhe me kapacitet të plotë komunikimet e shumanshme ndërmjet qytetërimeve, popujve dhe besimeve. Nga studimi i vëmendshëm i veprës së Gylenit, edhe ne shqiptarët gjejmë çelësa për zgjidhje imediate dhe perspektive të mjaft problemeve të natyrave të ndryshme që traumatizojnë shoqërinë shqiptare të ditëve tona."
Ndërsa Prof. As. Dr. Gjergji Sinani, në kumtesën e tij theksoi për rolin që duhet të luajnë institucionet fetare në përhapjen e virtyteve bazë për funksionimin e shoqërisë si dhe rolin që luan lëvizja e Gylenit aktualisht në mbarë botën duke shërbyer si shembull që kërkon të integrojë vlerat më të mira tradicionale me botën moderne. "Kjo lëvizje", - shprehet Sinani, "kërkon t'i kapërcejë armiqësitë dhe urrejtjet dhe ta bazojë shoqërinë mbi tolerancën dhe pajtimin, sepse kështu zhvillohet kultura dhe dija në favor të njerëzimit dhe të krijohet një balancë ndërmjet individuales dhe sociales, pa e sakrifikuar njërën për tjetrën dhe duke e mbajtur fenë larg çdo presioni shtrëngues."
Ndërsa analisti dhe studiuesi i njohur Prof. Dr. Kiril Temkov nga Maqedonia, theksoi nevojën se çdokush duhet të mundohet të ndërgjegjësojë dhe të komunikojë me njerëzit mbi vlerat e tolerancës, dashurisë dhe dialogut, ide të cilat janë shpjeguar së fundmi nga teologu Fethullah Gylen. "Idetë e Gylenit", nënvizoi ai, "mund të jetë vendimtare kundër paragjykimeve, si dhe mjetet krijuese për mendimtari paqësore dhe praktikim. Kjo është ajo çka duam të japim ne - një dorë miqësore për të ecur bashkë dhe shpresë universale për të vendosur paqen në të gjithë botën."
Simpoziumi ka pasur 2 panele të moderuar nga Prof. As. Dr. Gjergji Sinani dhe deputeti e historiani Prof. Dr. Pëllumb Xhufi. Gjatë paneleve kanë referuar përkatësisht profesorë të nderuar nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, me temat përkatëse si më poshtë:
- QYTETËRIMI, KULTURA DHE TOLERANCA, Prof. Dr. Fadil Maloku, Universiteti i Prishtinës
- VLERAT, PARAGJYKIMET DHE PAQJA, Prof. Dr. Kiril Temkov, Universiteti Kiril Metodi, Shkup
- ELEMENTËT INTEGRUES NË PLURELIZMIN FETAR, Aldo Bumçi, Deputet
- DIALOGU NDËRFETAR SI FAKTOR I DIALOGUT NDËRKULTUROR, Dr. Milazim Krasniqi, Universiteti i Prishtinës
- GYLENI; NJË THIRRJE PËR DIALOG KULTUROR, Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, Universiteti i Tiranës
- HARMONIA NDËRFETARE SI VLERË INTEGRUESE E SHQIPTARËVE NË BASHKIMIN EVROPIAN, Dr. Ferdinand Xhaferi, deputet
- DIALOGU KULTUROR NË PERSPEKTIVËN E PAQES SOCIALE: RASTI SHQIPTAR SI VLERË POZITIVE, Prof. As. Dr. Gjergji Sinani, Universiteti i Tiranës
- ATË GIOVANNI FAUSTI S.J. NJË SHOSHITJE E NDRIÇUAR DHE PIONIERISTIKE MBI ISLAMIN DUKE U NISUR NGA SHQIPËRIA ZOGISTE, Atë Mario Imperatori, Drejtor i Shkollës së Studimeve të Larta të Filozofisë e Teologjisë Katolike, Shkodër
- NJË VËSHTRIM HISTORIK MBI TOLERANCEN DHE HARMONINË NDËRFETARE NDËR SHQIPTARËT, Ma. Genti Kruja, Sociolog, Tiranë
- Publikuar më .