• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • Shoqërisë i duhen të tillë vizionarë, që shpërfaqin vlerat e vërteta të myslimanëve

Shoqërisë i duhen të tillë vizionarë, që shpërfaqin vlerat e vërteta të myslimanëve

Shoqërisë i duhen të tillë vizionarë, që shpërfaqin vlerat e vërteta të myslimanëve

Shkrimi i mendimtarit dhe dijetarit mysliman M. Fethullah Gylen, me titull "Myslimanë, duhet të rishikojmë në mënyrë kritike të kuptuarit tonë të Islamit!”, i cili u botua më datë 17 dhjetor 2015 në prestigjiozen franceze “Le Monde”, ka bërë jehonë të madhe pothuajse në të gjitha mediat shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Pas jehonës në Francë dhe mbështetjes së elitës franceze, të cilët e vlerësojnë artikullin në fjalë si një kontribut tejet të rëndësishëm për paqen në botë dhe në luftën për terrorizmin, artikulli i dijetarit Fethullah Gylen ka tërhequr edhe vëmendjen e medias shqiptare, të cilat i kanë kushtuar një hapësirë të veçantë në edicionet e tyre. Një pjesë e madhe e televizioneve më të rëndësishëm, gazetat, revistat dhe portalet on-line në hapësirën shqipfolëse e kanë botuar të plotë artikullin e dijetarit mysliman, Fethullah Gylen, ndërsa nga lexuesit on-line është vlerësuar dhe komentuar gjerësisht si një kontribut i rëndësishëm.

Televizioni me audiencën më të madhe në Shqipëri dhe në hapësirat shqipfolëse, “Top Channel”, nën titullin “Fetullah Gulen, thirrje myslimanëve: Jo terror në emër të fesë”, thekson, se “dijetari mysliman dhe mendimtari Fetullah Gylen, në një shkrim të botuar në të përditshmen franceze “Le Monde” ka theksuar edhe njëherë, se terrori dhe feja nuk kanë asgjë të përbashkët dhe se qëndrojnë shumë larg njëra-tjetrës.”

Top Channel, ndërsa i referohet artikullit, nënvizon se “gjatë komentit për ngjarjet e fundit terroriste në Paris, Gylen ka deklaruar, se teologët dhe myslimanët e zakonshëm duhet të dënojnë me forcë çdo lloj akti barbar të kryer në emër të fesë.”

“Duke mos mbetur vetëm me kaq, dijetari mysliman shkruan, se duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë mes udhëheqësve fetarë, autoriteteve shtetërore dhe aktorëve të shoqërise civile që të luftohen dhe kundërshtohen me forcë rekrutimet terroriste. Gyleni i bën thirrje të gjithë myslimanëve të japin kontributin e tyre në riparimin e imazhit të njollosur të fesë islame, dhe njëkohësisht, t’i bashkohen pjesës tjetër të botës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.”

Në shkrimin e botuar në “Le Monde”, nënvizon “Top Channel”, Gulen del kundër tezës së përplasjes së qytetërimeve, duke theksuar se ripërsëritja e kësaj retorike i shërben vetëm përpjekjeve rekrutuese të rrjeteve terroriste. “Ai u bën thirrje të gjithë myslimanëve që të rishqyrtojnë në mënyrë kritike të kuptuarit, të jetuarit dhe të praktikuarit e Islamit.”

“Fethullah Gulen, dijetari mysliman, i cili prej shumë vitesh jeton në SHBA, është lideri i Lëvizjes Hizmet, e cila promovon arsimin dhe mbështet demokracinë dhe dialogun ndërfetar”, - thekson më tej Top Channel.

Ndërkohë edhe e përditshmja me tirazhin më të lartë në Shqipëri, “Panorama”, e ka botuar të plotë artikullin, si dhe i ka kushtuar një hapësirë të veçantë në variantin e saj on-line; në komentet e lëna prej lexuesve aty, vërejmë se ka pasur një jehonë tejet të gjerë në të.

E përditshmja tjetër shqiptare “Dita”, në shkrimin e saj me titull “Fethullah Gylen, thirrje myslimanëve: Jo terror në emër të fesë”, thekson se në një shkrim të botuar në të përditshmen franceze “Le Monde”, dijetari dhe mendimtari mysliman Fethullah Gylen ka përsëritur edhe një herë, se terrori dhe feja nuk kanë asgjë të përbashkët dhe se qëndrojnë shumë larg njëra-tjetrës. “Në një koment ku shpreh pikëllimin për ngjarjet e fundme terroriste në Paris, Gylen deklaron se teologët dhe myslimanët e zakonshëm duhet të dënojnë me forcë çdo lloj akti barbar të kryer në emër të fesë. Ai shprehet gjithashtu, se duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes udhëheqësve fetarë, autoriteteve shtetërore dhe aktorëve të shoqërisë civile, në mënyrë që të mund të luftohen dhe të kundërshtohen me forcë rekrutimet terroriste. Gyleni i bën thirrje të gjithë myslimanëve që të japin kontributin e tyre në riparimin e imazhit të njollosur të fesë islame dhe njëkohësisht t’i bashkohen pjesës tjetër të botës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”,- nënvizon “Dita” në artikullin e saj të gjatë, ku citohen pjesët më kryesore të artikullit.

Edhe “Dita” e përfundon artikullin e saj duke nënvizuar faktin, se mendimtari dhe dijetari Fethullah Gylen jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është drejtues i lëvizjes “Hizmet”, një lëvizje e cila promovon arsimin dhe mbështet demokracinë dhe dialogun ndërfetar.

Ndërkohë pothuajse të gjitha të përditshmet e tjera në Shqipëri, Kosovë dhe mediumet në gjuhën shqipë në Maqedoni, e kanë botuar të plotë artikullin e Gylen në hapësirat e tyre të analizave dhe opinioneve.

Artikulli, gjithashtu ka patur një jehonë të gjerë edhe në rrjetet sociale, ku është komentuar gjerësisht në kategorinë e komenteve të lexuesve, apo në profilet e tyre në rrjetet sociale. Disa prej komenteve të lexuesve të mediave shqiptare janë si më poshtë”

“Me sa kam dëgjuar rreth këtij autorit, ai ka hapur me mijëra shkolla në 170 shtete të ndryshme. Duket njeri vizionar. Pë të tillë mendimtarë ka nevojë Islami...”

“Një njeri që mendon si një terrorist nuk ka si të jetë mysliman, e jo më të veprojë si i tillë. Sa ndryshe do të ishte sikur njerëzit të bënin një kontroll vetes se si e jetojmë jetën, pastaj të kthehen dhe të gjykojnë të tjerët. Jam plotësisht dakord me Gylenin!”

“Falë njerëzve si Gyleni po mbahet në këmbë shoqëria sot”.

“Sa thjeshtë dhe sa bukur… Dhe… sa e vështirë të jesh mysliman siç duhet…”

"Shkrim perlë, me thellësi në mendim. Sikur të gjithë myslimanët ta kuptonin të pakten 50% këtë shkrim, shumë ndryshe do ishim.”

“Islami është një fe paqedashëse që fatkeqësisht po njolloset nga njerëz që nuk kanë lidhje me besimin. Prandaj duhen dhe të tillë njerëz vizionarë që tregojnë sadopak vlerat e të qënurit mysliman”.

“Është hera e parë që lexoj një shkrim të Gylenit. Kam dëgjuar shumë për përplasjen me Erdogan dhe realisht nuk arrija ta kuptoja arsyen. Ky shkrim tregon shumëçka, edhe arsyen pse nuk merret vesh me Erdogan. Çuditërisht, paska edhe klerikë myslimanë kaq vizionarë e largpamës. Por kam përshtypjen se pjesa myslimane e pashkolluar ose radikale do e ketë shumë të vështirë ta kuptojnë dhe përqafojnë këtë vizion, përkundrazi do e kritikojnë. Këto ide janë disa dekada para mentalitetit të disa myslimanëve që njoh vërdallë.”

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.