Fethullah Gylen dënon aktin terrorist në Stamboll

Fethullah Gylen dënon aktin terrorist në Stamboll

Mendimtari Fethullah Gylen ka dhënë një mesazh ku dënon ngjarjen e ndodhur në Sulltanahmet, në Stamboll, ku humbën jetën 11 vetë si pasojë e një sulmi me bombë. Pasi është ndalur në mendimin se bota islame duhet të refuzojë një orë e më parë çdo lloj shfaqjeje të terrorit, ai u shpreh ngushëllimet e tija mbarë popullit gjerman dhe atij peruan.

Ja cila ishte deklarata e Gylenit:

Egërsia e terrorit që kemi qenë provuar shumë herë deri më sot, e shfaqi edhe njëherë fytyrën e saj të shëmtuar në 12 janar, duke vënë në shënjeshtër kësaj here Stambollin.

E dënoj atë sulm terrorist barbar që u krye ndaj një grupi turistësh të pafajshëm, të cilët kishin ardhur për të vizituar Turqinë.

Njësoj si të gjitha sulmet terroriste që kanë ndodhur kohët e fundit në Mali, në Bejrut, në Paris, në Egjipt dhe në Bagdat, ku kanë humbur jetën me qindra qenie njerëzore të pafajshme, edhe këtë sulm, historia ka për ta përmendur si një thikë që i është ngulur në zemër ndërgjegjjes së mbarë njerëzimit.

U shpreh ngushëllimet e mia veçanërisht të gjithë familjarëve të viktimave që humbën jetën, por edhe mbarë popullit gjerman dhe atij peruan në përgjithësi, duke u uruar atyre durim e të plagosurve shërim sa më të shpejtë.

Me këtë rast, më duhet t’i rikujtoj edhe njëherë botës islame, se ajo duhet t’i mohojë me çdo kusht e cilatdoqofshin rrethanat, me sinqeritet të plotë, këto akte terroriste; duhet të dalim të gjithë, njëzëri, kundër çdo krimi të kryer në emër të fesë sonë; e lus Allahun që të na shpjerë sa më shpejt drejt ditëve kur në çdo anë të botës do të frymohet veç paqja dhe qetësia. Nuk do harruar për as edhe një çast, se “kushdo që vret një njeri, është si të kish vrarë mbarë njerëzimin.”

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.