Demokracia në mendimin e Gylenit dhe në politikën e Erdoganit

Demokracia në mendimin e Gylenit dhe në politikën e Erdoganit

Shumë vende rreth botës po përballen me një krizë të demokracisë. Me autoritarizmin në rritje, shumë shtete nga Azia në Evropë e gjer në Amerika po përballen me zgjedhje shumë të vështira në emër të qeverive të tyre, të të drejtave të njeriut dhe sundimit e ligjit.

Në krye të këtyre vendeve unë do të renditja Turqinë. Dikur një shembull i ndritur i demokracisë në botën myslimane, Turqia po bie sa vjen e më thellë në autoritarizëm gjatë këtyre viteve të fundit. Nga të gjitha ato që kanë ndodhur vëmendja e njerëzve është tërhequr natyrshëm drejt klerikut mysliman të njohur turk, Fethullah Gylen, për të parë se cilat janë mendimet e tij lidhur me atdheun e vet. Në një libër të mbramë të botuar prej tij, që titullohet “Nuk ka kthim pas nga demokracia”, ku janë të shpërfaqura shumë mendime dhe bindje të tij lidhur me çështje të ndryshme – nga Islami dhe demokracia deri te minoritetet dhe të drejtat e tyre, apo terrorizmi dhe xhihadi te dialogu dhe bashkëjetesa – të përmbledhura nën një titull. Analizat e tij të thella në mendim dhe që shprehin nevoja urgjente lidhur me shoqëritë që ngërthejnë këto problematika, i adresohen si Turqisë përsa i përket skizmave të saj tipike, si Çështja Kurde dhe Dasia Alevi-Suni, ashtu edhe të këtillave në mbarë botën.

“Nuk ka kthim pas nga demokracia” u botua për herë të parë në gjuhën turke në Turqi në shkurt të 2016-ës. Qëllimi i botimit të tij ishte reflektimi mbi idetë e Fethullah Gylenit mbi çështje të ndryshme që përfshinin demokracinë dhe Islamin, politikën, terrorizmin, xhihadin, qytetërimin perëndimor, si dhe të drejtat e njeriut dhe të gruas në Islam. Mirëpo cilat ishin qëndrimet e Gylenit në shumë prej intervistat që u zhvilluan me të para ose pas çdo ngjarjeje gjatë një harku kohor prej njëzet e pesë vitesh? Ky libër synonte pikërisht t’u përgjigjej kësaj pyetjeje, duke paraqitur një udhëtim nëpër idetë dhe mendimet e tij, si dhe për të nënvizuar rëndësinë dhe domethënien e artikulimeve të tyre në kohën kur ai i shprehu.

Pesë muaj pasi u botua ky libër, natën e 15 korrikut 2016, në Turqi u krye një përpjekje për grusht shteti. Vetëm tri orë pas nisjes së incidentit, Presidenti Erdogan deklaroi se pas kësaj tentative fshihej dora e Fethullah Gylenit. Ndërsa në ditët në vijim, Fethullah Gyleni zhvilloi një varg konferencash për shtyp në Pensilvani dhe shkroi editoriale opinioni në disa prej gazetave më prestigjioze nga e gjithë bota. Gyleni iu përgjigj pretendimeve rreth grushtit të shtetit dhe shpjegoi rrënjësisht edhe marrëdhënien dhe mospërputhjet e tij me Erdoganin. Ai kërkoi ngritjen e një komisioni ndërkombëtar që të hetonte se kush fshihej me të vërtetë pas kësaj tentative për të rrëzuar qeverinë turke. Ai us hpreh se do t’i bindej një më një vendimeve të këtij komisioni, duke shtuar se nuk besonte që të kishte njeri që të ishte dëmtuar më shumë se sa ai individualisht nga të katër tentativat e fundme për grusht shteti në Turqi dhe duke e shpallur edhe njëherë se ai ishte kryekëput kundër ndërhyrjeve të këtilla ndaj qeveriva të zgjedhura me rrugë demokratike.

Në vitin 1994 Gyleni qe shprehur se nuk demokracia është një sistem i atillë nga e cila nuk mund të bësh dot hapa pas, artikulim ky që çoi në ashpërsimin tejmase të gjuhës të një vargu grupimesh politike radikale asokohe në Turqi, të cilat shkuan gjer në ekskomunikimin e tij nga Islami. Gjatë së njëjtës periudhë, kur Erdogani kryente detyrën e kryetarit të bashkisë së Stambollit dhe pati deklaruar se e kundërshtonte politikën e Bashkimit Europian dhe qe shprehur: “Demokracia është si një autostradë. Ne zbresim kur të kemi mbërritur në destinacion. Ajo nuk është një qëllim në vetvete, por një instrument.” <1>

Në 2017 Erdogani është duke e akuzuar Gylenin se ka minuar demokracinë.

Kush prej tyre ka të drejtë?

Gyleni deklaroi se Presidenti Erdogan nuk beson te demokracia, pasi e shkatërroi gjithë progresin demokratik të Turqisë, duke inskenuar një kinse grusht shteti për të konsoliduar regjimin e tij shtypës në Turqi. Në intervistën që ai dha për Fareed Zakaria-n, Gyleni risolli edhe njëherë në kujtesë se Erdogani e kishte cilësuar këtë tentativë për grusht shteti si një “dhuratë prej Zotit”:

“Ngjan më tepër si një film hollivudi se sa si një grusht shteti ushtarak. Duket më shumë si një skenar i shkruar nga ai vetë, sesa si diçka reale. Nga ajo që duket, ata e kanë kryer këtë për të përgatitur terrenin që të realizojnë qëllimet e tyre të planifikuara tashmë.”

Gyleni iu shpreh Fareed Zakaria-s me një qëndrim të prerë se ishte kundër çdo lloj ndërhyrjeje të ushtrisë në punët e një qeverie demokratike:

“Në çdo grusht shteti, unë i shkreti jam prekur më shumë se kushdo. Megjithëse jam një njeri që kam qenë kundër ndërhyrjeve ushtarake gjatë gjithë jetës, sepse e gjithë jeta më ka shkuar duke vuajtur pasojat e trysnisë së shtetit dhe puçeve ushtarake. Jam i mendimit se asgjë e mirë nuk vjen kur ushtria kërkon të ndërhyjë në punët e një qeverie të zgjedhur me rrugë demokratike. Grushtet e shtetit vetëm do të përçanin, do të krijonin dasi dhe do të dizintegronin shumë njerëz, duke i shndërruar në armiq të njëri-tjetrit. Kjo është një fatkeqësi që do të prekë edhe brezat e ardhshëm, njësoj siç po ndodh me shoqërinë turke sot. Kësodore, ashtu siç e kërkon edhe mendja, unë kam qenë gjithnjë kundër tentativave për grusht shteti dhe i dënoj ashpër të gjithë ata që i hyjnë një aventure të këtillë. Dhe do të dënoja e do të mallkoja lirshëm çdo njeri që tenton të minojë demokracinë, lirinë dhe shpirtin e republikës. Ky është mendimi im i përgjithshëm.”

Në thuajse çdo intervistë të tij, Gyleni u pyet edhe për marrëdhënien e tij të mëhershme me Presidentin Erdogan, dhe përgjigjet e tij qenë:

“A është e vërtetë që ju dhe Presidenti Erdogan qkeni qenë dikur miq dhe aleatë? Nëse kjo është e vërtetë, atë çfarë i shkaktoi tensionet mes jush që shkaktuan këtë situatë që kemi sot?” Përgjigja e Gylenit ndaj kësaj pyetjeje të drejtuar nga revista “Politico”, një periodik që botohet në Shtetet e Bashkuara, ishte:

“Shumë vëzhgues e kanë quajtur këtë marrëdhënie si aleancë, por në të vërtetë ne nuk kemi qenë asnjëherë shumë pranë njëri-tjetrit. Unë jam takuar me të dy apo tri herë dhe në të gjitha rastet takimet tona kanë përkuar në kohë fushatash elektorale. Kur partia e tij hyri në zgjedhje unë gjendesha këtu, në Shtetet e Bashkuara, kështu që e kisha të pamundur që të votoja, mirëpo simpatizantët e lëvizjes “Hizmet” e mbështetën partinë e tij përmes votës dhe zërit të tyre në shtyp. Arsyeja e kësaj mbështetjeje nuk se është edhe aq e ndërlikuar për t’u kuptuar. Gjatë kohës që shkonim për në zgjedhjet e vitit 2002, ata (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) premtuan se do ta çonin Turqinë shumë hapa para në ëndrrën e tyre për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Europian, duke vënë në zbatim një varg reformash demokratike; duke bërë që të mbizotëronin të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe duke e integruar Turqninë më mirë me botën; duke i dhënë fund korrupsionit publik dhe diskriminimit të segmenteve të caktuara të shoqërisë për shkak të përkatësisë së tyre lidhur me bindjet politike. Unë dhe shokët e mi i mbështetëm që të realizoheshin këto premtime. Teksa hynin në zgjedhjet e vitit 2011 ata premtonin një kushtetutë demokratike, drafti i së cilës do të hartohej nga vetë civilët, pa u druajtur prej gjeneralëve të ushtrisë. Mirëpo me t’i fituar ato zgjedhje ata filluan t’i kthenin pas shumë prej reformave demokratike të implementuar gjer atëherë. Kushtetuta demokratike u kushtëzua fillimisht nga futja në projekt e një modeli të presidencës ekzekutive, derisa u harrua e tëra.”[2]

Kthesa U që bëri Erdogani nga demokracia që prej vitit 2011 ka qenë ilustruar ndoshta më së miri në kopertinën e revistës “The Economist”, numri i 8 qershorit 2013, e cila paraqiste Erdoganin të veshur me veshjen e një sulltani, me diçiturën: “Demokrat apo Sulltan? Ato ditë ishin ditët kur një valë e ashpër protestash po përgatiteshin kundër Erdoganit për të kundërshtuar planin e tij për të ndërtuar një qendër tregtare shumë të madhe mbi një prej parqeve simbol të qytetit të Stambollit, i cili njihet ndryshe me emrin Gezi Park. Ndërhyrja e dhunshme e policisë për ta neutralizuar këtë protestë shkaktoi 6 të vrarë, 10 të pafajshëm të verbuar, rreth 7.500 të verbuar dhe pesëmijë njerëz të ndaluar nga policia. <2>

Nga ajo që duket, komuniteti ndërkombëtar është duke i peshuar mirë ravijëzimet e të dyve, si të Gylenit, ashtu edhe të Presidentit Erdogan, mbi demokracinë. Kur radikalët e quanin diskutimin mbi demokracinë si diçka të ndaluar në Turqinë e viteve ’90, Gyleni argumentonte se Islami dhe demokracia janë shumë të afërta me njëra-tjetrën dhe se nuk mund të ketë kthim pas nga demokracia. Qëndrueshmëria e Gylenit në pikëpamjet e tij përgjatë kohës do të kenë një ndikim shumë pozitiv në dosjen e tij.

Pikëpamjet e Gylenit rreth demokracisë dhe Islamit janë shtylla qëndrore e librit Nuk ka kthim pas nga demokracia”. Tema të tjera që janë diskutuar aty portretizojnë mendimet e tij mbi modernitetin, laicitetin, qytetërimin perëndimor dhe vlerat, politikat, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, Islamin dhe gratë, dialogun dhe bashkëjetesën, terrorizmin dhe xhihadin, çështjen kurde, alevizmin dhe sunizmin, si dhe minoritetet dhe të drejtat që duhet të gëzojnë ato.

Komentet e Gylenit rreth këtyre tematikave hedhin dritë edhe mbi dy çështje të tjera tejet të qenësishme: “Cila është bota që dëshiron Gyleni? Pse kërkon Erdogani që ta neutralizojë Gylenin dhe lëvizjen “Hizmet” që ai përfaqëson?

Për shembull, në vitin 1997, Gyleni pati shprehur qëndrimet e tij lidhur me fenë dhe politikën. “Politizimi i fesë është i rrezikshëm, mirëpo ai është më i rrezikshëm për fenë se sa për një regjim politik, sepse aty kemi të bëjmë me zbrazje të shpirtit të fesë.”

Pas sulmeve terroriste të tmerrshme të 11 shtatorit 2001, kur shumë njerëz e hodhën vështrimin nga bota islame për të marrë ndonjë mesazh paqësor, Gyleni u shpreh me një sentencë aforistike: “Një mysliman nuk mund të jetë terrorist, ashtu siç një terrorist nuk mund të jetë mysliman. Askush nuk mund të shkojë në parajsë duke vrarë një tjetër qenie njerëzore.”

Ky libër, i cili është një lexim i domosdoshëm për ata që janë të interesuar në ecurinë e Turqisë moderne, apo që kërkon të lexojë se cilat mund të jenë zgjidhjet e shumë problemeve që duket sikur ngërthejnë tërë botën për shkak të kësaj çështjeje, i fton lexuesit e tij drejt një udhëtimi mes horizontit të përfaqësuar prej gjithë atyre çfarë ka thënë Gyleni gjer më sot lidhur me këto çështje që këtu e dy dekada më parë. Lexuesit që kërkojnë të gjejnë pak shpresë do të gjejnë çlirim në besimin e Gylenit te demokracia, sundimi i ligjit dhe i së derjtës dhe të drejtat universale të njeriut. Gyleni nuk ka reshtur asnjëherë së besuari se përpara mund të bëhet, jo përmes dhunës dhe përçarjes, por përmes dashurisë, respektit dhe dialogut. Nëse njerëzimi synon të shkojë drejt këtyre vlerave që nuk kufizohen prej faktorit të kohës, atëherë do të shihet se “nuk mund të ketë kthim pas nga demokracia.”

Shënime:

  1. Intervistë me Erdoganin në 14 korrik 1996, gazeta “Milliyet”.
  2. Katër vite më pas, në 15 prill 2017, revista “The Economist” u botua me një tjetër kopertinë: “Rrëshkitja e Turqisë drejt diktaturës” – me diciturën “Sulltan Erdogani kërkon të bëhet diktator.

 


[2] Po aty.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.