Muaji i Ramazanit dhe zbutja e zemrave

Fethullah Gylen: Muaji i Ramazanit dhe zbutja e zemrave

Muaji i Ramazanit, i cili shfaqet në horizontin tonë me bukuritë e tij magjepsëse, si agjërimi, iftari, syfyri, namazi i teravive, duke na futur brenda një atmosfere të përshpirtshme, ka një ndikim të jashtëzakonshëm sidomos në këto kohë kur tendosjet psikologjike vijnë njëra pas tjetrës pareshtur, kur dhuna dhe ashpërsia kanë marrë një dimension të pamasë, kundërshtitë shihen sikur të ishin ndofarë talenti më vete, e ftohtësia ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore përjetohet ndjeshëm, duke bërë të mundur që shpirtrat të futen edhe njëherë në hullinë e paqtimit, pa lënë që të mos depërtojë më, mes apo brenda tyre, asnjë fije ashpërsie apo ngurtësie e çfarëdoshme. Zaten, është një e vërtetë që njeriu i sotëm ndjen brenda vetes një respekt karshi këtij muaji që karakterizohet prej qetësisë, butësisë apo përshpirtshmërisë. Kështu që, sado të rrethuar prej lloj-lloj gjërash të papëlqyera, nëse do ta përdorim siç duhet vullnetin tonë, mund ta hapim plotësisht zemrën karshi këtij diapazoni kohe, e poashtu t’i drejtohemi atij me gjithë ndjenjat dhe respektin që meriton, atëherë edhe ai ka për të na përqafuar që ta derdhë mbi ne begatinë dhe mëshirën e tij, duke ia zënë shtegkalimin çdo shfaqjeje të dhunës, ashpërsisë apo mllefit, derisa të bëjë që mbi shoqërinë t’ia behin retë e qetësisë dhe rehatisë shpirtërore.

Shumëllojshmëri miqsh në vend të shumëllojshmërisë së ushqimeve

Ndërsa përsa i përket asaj se çfarë duhet bërë, për shembull dikush që banon në një apartament mund t’ua shprehë xhentilesën dhe bujarinë e tij komshinjve të tij, qofshin ata përfaqësues të cilësdo kulturë a botëkuptim, duke i ftuar ata për ta çelur iftarin së bashku, me kushtin që t’i lajmërojë disa ditë më parë. Madje, pasi t’i gostisë me ushqimet që ka përgatitur, t’u thotë: “Ju treguat durimin për ta pranuar ftesën dhe gostinë tonë. Duhet ta pranoni, por kjo është taksa për dhëmbët tuaj.”, duke u dhënë edhe nga një dhuratë të përgatitur më parë. Nëse ekzistojnë mundësitë, mund të përpiqet t'u kënaqë edhe shpirtrat e fëmijëve të tyre, duke u dhuruar edhe atyre nga ndonjë dhuratë. Në të njëjtën mënyrë, edhe një mësues, apo dikush që jep mësim në universitet, ose edhe dikush që punon në një tjetër institucion çfarëdo, pa bërë ndarje klasore mund t’ia hapë portën kolegëve të tij, duke dhënë një kontribut të çmueshëm në paqen shoqërore.

Ne duhet ta vlerësojmë aq mirë këtë muaj të begatë dhe të shndritshëm, saqë nuk duhet të ngelet asnjë sofër ku të mos shtrohet iftar. Dhe këto sofra, në vend të shumëllojshmërisë së asortimenteve ushqimore, duhet të jenë të mbushura me sasi dhe shumëllojshmëri miqsh. Siç e dini, Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) shprehet: “Ushqimi i përgatitur për dy vetë mjafton edhe për tre, dhe ushqimi i përgatitur për tre vetë mjafton edhe për katër.”[1] Nga ky këndvështrim, numri i madh i miqve që mund të ftohen në shtëpi nuk duhet të përbëjë asfarë shqetësimi.

Dhe një veprim i këtillë është një rrugë diplomatike tejet e rëndësishme për mbylljen e humnerave ndërmjet grupimeve të ndryshme shoqërore, asisoj që ndihmon parandalimin e çdolloj paragjykimi. Sepse, në të vërtetë, shumë probleme që nuk mund të zgjidhen dot asnjëherë prej përdorimit të forcës dhe dhunës, apo me çdo trajtë tjetër mekanizmi, mund të zgjidhen, madje shumë lehtë me anë të kësaj rruge. Po, nëse ju ia hapni zemrën tuaj kujtdo, dhe me njerëzoren tuaj hyni në zemrat e bashkëbiseduesve tuaj, duke përgatitur në zemrën tuaj një vend ku mund të ulet kushdo, asisoj që ato zemra do të gjenden përherë pas jush, e nuk ka inat, urrejtje, mllef, dhunë, vrasje dhe gjakderdhje që të mos parandalohet. Madje, njerëzimi e ka parë mjaft mirë se si disa probleme dhe shqetësime nuk zgjidhen dot kurrsesi me përdorimin e kërcënimeve. Përkundrazi, ata kanë parë se si me përdorimin e kërcënimit, kundërshtarët janë ashpërsuar më tej, duke u hedhur drejt organizimesh akoma edhe më të nxehura, të ngritura mbi boshtin e shkatërrimit.

Në një fjalë të urtë thuhet: “Një kafeje të pirë i zgjat hiri dyzet vjet.” Kështu që, edhe iftari që do të shtrojmë ne ka për t’u kujtuar për dyzet vjet. Nga ky këndvështrim, nuk do shmangur prej një veprimi të tillë, i cili do të na kthehet prapa në këtë farë mënyre. Ne nuk mund ta dimë, ndoshta kjo mund të jetë edhe begatia e vërtetë e muajit të Ramazanit. Domethënë, ne, ashtu si, duke agjëruar apo duke falur namazin e teravive, do të përfitojmë shumë mirësi në jetën e përtejme, do të përjetojmë edhe hyrjen në zemrat e njerëzve, që është një përfitim i një tjetër natyre.

Zë i pasqiejve që jehon ndër zemra

Nga ana tjetër, edhe heronjtë e shërbimit të cilët janë përhapur në të katër anët e botës me qëllimin për t’i shërbyer njerëzimit, mund ta përdorin muajin e Ramazanit si një mundësi të artë për të hyrë në zemrat e njerëzve. Ashtu si mishi i kurbaneve që priten në vendin tonë u shpërndahen, fillimisht atyre që janë në nevojë, e pastaj duke treguar bujarinë dhe ndjenjën e gjithëpërfshirjes së myslimanëve nëpër vende të varfra të Azisë dhe Afrikës, e prej andej u ngadhënjyen aq e aq zemra njerëzish, duke u treguar se kishte njerëz që mund të konsideroheshin si burim shprese dhe besimi për ta, poashtu nëpërmjet muajit të Ramazanit, duke u hapur atyre sofrat nëpër iftare dhe syfyre, mund të arrihen po aq hyrje në brendësi të zemrave të njerëzve, dhe kësimënyre edhe muaji i Ramazanit do të jetë vlerësuar asisoj që do ta kënaqë edhe Allahun (xh.xh.). Sepse, sidomos miqtë e ftuar nëpër vende të tjera, atje ku ndodheni, ndikohen aq shumë prej ftesave të tilla, saqë kur dëgjoni vlerësimet e tyre për to, e kuptoni më mirë rëndësinë e kësaj pune. Për shembull, ai zë i ezanit në çastin e çeljes së iftarit i vjen aq origjinal, saqë e shohin si diçka tejet magjepsëse. Kështu që një mundësi e tillë duhet vlerësuar me rrugët më të përshtatshme, në mënyrë që t’u flasim atyre për bukuritë dhe pasuritë tona.

E të gjitha këto punë të kryera prej nesh mund të arrijnë veç të ndjellin simpati ndaj Islamit. Mirëpo, edhe diçka e këtillë, për mendimin tim, nuk duhet nënvlerësuar. Kushedi, ata njerëz që po e dëgjojnë çdo gjë për herë të parë, me kalimin e kohës do t’i ndiejnë bukuritë e Islamit tjetërsoj, dhe e pa e ndjerë fare, ata do të ngrihen pingulthi drejt lartësive të përsosmërisë. Së këndejmi, kam përshtypjen, jo vetëm dhënia njëherë e iftarit, por edhe sikur tri apo katër herë të shtrohen sofrat, prapë ia vlen.

Njeriu i kohëve tona jetoi fatkeqësisht i panjohur me bukuritë e Islamit. Nuk i panë dot sjelljet dhe qëndrimet e mirëfillta prej myslimani. Andaj, posaçërisht, detyra jonë më parësore është, që me strukturën tonë familjare, në lidhjet me nënën, babanë apo fëmijët, me ftesat tona, t’u tregojmë atyre Islamin e vërtetë porsi xhentëlmenë. Nëse disa njerëz e shohin Islamin si gogol, rruga për ta kapërcyer këtë keqkuptim është formimi i një miqësie të sinqertë me ta. Kësodore, myslimanët, gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, duhet të veprojnë pikërisht ashtu siç ua këshillon pozicioni i tyre, duke i përdorur sa më frytshëm mendjen, logjikën, gjykimin dhe këshillimin, në mënyrë që ta realizojnë sa më me rendiment këtë punë.

Asnjë vepër nuk e zë dot vendin e veprave të kryera gjatë muajit të Ramazanit!

Adhurimet, të cilat na i ka urdhëruar Allahu që t’i kryejmë si një përgjegjësi e jona, ngase fitojnë trajtë sipas lidhjes sonë shpirtërore me to, kanë për të dëshmuar për ne përballë Allahut. Edhe ne, sa më shumë që ta kënaqim këtë muaj, edhe dëshmia e tij ka për të rrjedhur porsi ujëvarë drejt nesh. Nëse vlerësohet sa më frytshëm, kur të largohet, do të dëshmojë për ne, e ndoshta do të tregojë se mund të kemi qenë meritues të portës së Rejanit. Nga ky këndvështrim, ne duhet të tregojmë respekt për adhurimet që Allahu (xh.sh.) na ka caktuar, duke i njohur si diçka të shenjtë, duke u përpjekur pareshtur për t’i lënë ato përherë të kënaqura.

Veç kësaj, njeriu, në jetën e përtejme, do ta dijë se cilat mirësi, shpërblim i cilit veprim është, dhe kjo ka për t’i dhënë atij njeriu kënaqësi po aq sa edhe vetë mirësia. Ndoshta, përballë këtyre mirësive për të cilat është parë si meritues, do të thotë: “Falënderime pafund për Zotin tim! Fillimisht më nderoi mua me veprime të mira, ndërsa tani po më nderon me shpërblime për to.” Njeriu, atje, do t’i njohë me sy, hundë, gojë dhe vesh të gjitha agjërimet që ka kryer. Poashtu edhe urinë apo etjen që ka duruar, lodhjet gjatë namazit të teravive, emocionet e zgjimit për të ngrënë syfyr, apo qerasjet apo gostitë e shtruara për iftar, do t’i njohë atje në trajtat e tyre, duke ua përjetuar të gjitha kënaqësitë edhe njëherë.

Disa adhurime e marrin thellësinë e tyre pikërisht prej mënyrës së kryerjes së tyre. Edhe adhurimet e kryera gjatë muajit të bekuar të Ramazanit të këtij lloji janë. Kështu që, edhe veprat e kryera gjatë muajit të Ramazanit kanë për të arritur një vlerë të veçantë. Sepse njerëzit i afrohen Allahut (xh.xh.) në një mënyrë më të përshpirtshme. Nuk ka shpërblim agjërimi që t’i afrohet shpërblimit të agjërimit gjatë muajit të Ramazanit. Edhe njëzet rekatet e namazit gjatë muajve të tjerë, nuk mund t’i zëvendësojnë dot teravitë. Poashtu, edhe kënaqësinë e ngrënies së syfyrit gjatë këtij muaji, nuk mund ta ndjeni dot gjatë muajve të tjerë. Po njëlloj, edhe pritjet për thirrjen e ezanit para iftarit gjatë Ramazanit, nuk janë të të njëjtës sërë. Me pak fjalë, nuk mund ta arrini dot shpërblimin e arritur gjatë muajit të Ramazanit për të njëjtat adhurime, nëse i kryeni në kohë të tjera. Asnjë vepër tjetër nuk i zëvendëson dot ato. Pikërisht, nga ky shkak, edhe besimtarët që e ndiejnë me tërë thellësinë e saj këtë të vërtetë, ndiejnë një hidhërim thellë në zemrat e tyre, madje edhe përmallohen për muajin e Ramazanit deri vitin e ardhshëm. Nuk mund ta dimë, ndoshta edhe vetëm ky përmallim u përfton atyre të njëjtin shpërblim si të adhurimeve të një muaji të tërë Ramazani.

[1] Buhari, Et'ime, 11; Muslim, Eshribe, 179.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.