Mbajtja Gjallë E Entuziazmit Dhe Emocioneve Tona

Pyetje: Ndoshta në krye të herës hyjmë me emocion dhe entuziazëm në rrethin e shërbimit, por, me kalimin e kohës, ky zell mund të shuhet, madje njeriu mund edhe t'a ndiejë veten tërësisht jashtë këtij grupi. Çfarë na këshilloni për këtë çështje?

 

Përgjigje: Me të vërtetë që shumëkujt i duket shumë i veçantë, i freskët dhe ripërtëritës takimi i parë me shërbimin ndaj Kuranit dhe besimit. I percepton shumë ndryshe ato që sheh, dëgjon dhe lexon. Këto i reflektohen në zemër, në shpirt dhe në ndjenjat e veta. Por, pas njëfarë kohe, ai kaplohet nga një lloj plogështie dhe u nënshtrohet monotonisë dhe rutinës. Edhe sikur të vërtetat që i parashtrohen të jenë të reja dhe origjinale, ai nuk mund t'a ndiejë këtë origjinalitet dhe freski ngase nuk e ka përtërirë vetveten. Të tjera mendime dalin në pah dhe përparësive u ndryshon vendi.

 

        Çfarë po kërkojmë?

          Në këtë pikë, çështjet e para që duhet të rishqyrtojmë janë qëllimet, pikësynimet dhe prioritetet tona. Vallë, vërtet po u japim përparësi po atyre gjërave që u jep edhe Allahu? Çfarë duam, çfarë mëtojmë dhe pas çfarë gjërash jemi duke vrapuar? A po digjemi për përhapjen e emrit të Zotit të paktën aq sa për çështjet e kësaj bote? Kujt po i japim më tepër rëndësi dhe çfarë po duam të realizojmë më së shumti? Përreth çfarë gjëje sillen më tepër ndjenjat, mendimet, pretendimet, emocionet dhe përfytyrimet tona? Le t'u japim njëherë përgjigje të sinqerta këtyre pyetjeve dhe, nëse ende nuk kemi nga një përgjigje për to, le ta marrim edhe një herë nën hetim veten tonë.

         Nëse ajo që kërkojmë dhe ndjekim me këmbëngulje nuk është çështja e besimit, njohja e Zotit, dashuria për Të, mbërritja tek Ai, apo një përmallim i flaktë për Të, atëherë nuk mund të shpëtojmë prej drobitjes gjatë rrugës. Dhe është shumë e vështirë që t'a vazhdojmë jetën me gjallëri nëse nuk e prishim gjumin natën për t'i vënë kryet në sexhde e për t’u lutur me fjalët: "Allahu im, unë nuk jam i rëndësishëm, as bota ime nuk është e rëndësishme. Meqenëse Ti na ke krijuar që të të njohim dhe të të adhurojmë Ty, të përgjërohem që prej gjendjes fatkeqe ku kam rënë, që të më mundësosh një adhurim sikurse e meriton!" Pra, duket se ende jemi në hapat e para dhe nuk i kemi renditur si duhet prioritetet tona.

 

         Marifetullah (Të njohësh Allahun me cilësitë dhe veprat e Tij)

            Nga ana tjetër, ruajtja e zellit dhe emocionit qoftë në jetën personale adhurimore, qoftë në shërbimet që bëhen në rrugë të Allahut është e lidhur me thellimin në njohjen e hyjnores. Njohja e Allahut arrihet, rritet dhe zhvillohet duke lexuar dhe diskutuar vazhdimisht libra të shkruar rreth besimit, duke u zhytur në meditime për gjithçka të dukshme e të padukshme dhe duke e shndërruar çdo mjedis ku marrim pjesë në një kuvend që sillet nga sillet dhe sërish ligjëron veçse për shpirtëroren. Sekush le t’i shikojë edhe njëherë me këtë sy të folurën, bashkëbisedimet, pikëpjekjet dhe angazhimet e veta të përditshme. Sa përputhen çështjet me të cilat merremi apo diskutojmë në përditshmëri me shqetësimet tona kryesore? Dhe sa hutohemi dhe harxhojmë kohë duke ndjekur gjithë kureshtje tema ndoshta aktuale, por që nuk kanë asnjë lidhje me ne?

            Pas shumicës së problemeve me natyrë fetare qëndron besimi i dobët. Po ashtu, është pikërisht ai besim që lidhet edhe me rënien e njeriut pre e forcës së zakonit dhe pasivitetit. Për fat të keq, në ditët e sotme ka mangësi serioze në besim. Është e pamundur të themi se u besojmë të vërtetave të padukshme ashtu si duhet. Krahas kësaj, kemi dobësi, mangësi dhe të meta nga më të ndryshmet. Ndonjëherë shtypemi nën peshën e krenarisë dhe mendjemadhësisë, ndonjëherë shpartallohemi prej dëshirave të egos. Nuk po mundemi të shpëtojmë prej viruseve që po e bëjnë copë e çikë botën tonë shpirtërore. Kur të gjitha këtyre u shtohet edhe ligështia e besimit, bëhemi si ndërtesa gati në të rënë, që jetojnë çdo çast ballë për ballë me rrezikun e përmbysjes dhe shembjes. Nuk na vjen më për të qarë kur përmendim Zotin. Lidhja jonë me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi Të!) nuk është shumë e fuqishme. Përderisa është kështu, meremetimi i besimit mbetet domosdo puna jonë e parë dhe më e ngutshme.

            Ma merr mendja se për të qenë një rob i denjë i Zotit duhet që t’ja japim seriozisht fjalën vetes dhe t’i qëndrojmë besnik e me vendosmëri fjalës së dhënë. Pastaj, siç thotë edhe Bediuzamani Said Nursiu tek trajtesa Ajetul Kubra, duhet ta jetojmë jetën si një shtegtar i dijes që nuk gjen të ngopur. Prej faqeve të lexuara nëpër libra, soditjes së librit të universit dhe rrahjes së përbashkët të mendimeve duhet të vërshojë urtësia drejt zemrave dhe shpirtrave tanë. Është kjo urtësi që duhet shndërruar në dashuri, të marrë flakë e të ndizet nga dashuria për Allahun, por as kjo të mos shihet si e mjaftueshme; saqë të nesërmen të themi “A ka më?” dhe ta përsëritim gjithçka nga e para. Edhe sikur t’i shqyrtojmë me përpikmëri ajetet e krijimit, t’i vërtitim ato si pambukun që endet në tezgjah, dhe sikur të gjejmë udhë drejt Allahut përmes çdo shkronje, fjale apo rreshti të lexuar prej librit të gjithësisë, sërish nuk duhet të ndihemi të përmbushur. Të nesërmen duhet të kërkojmë rreze të reja prej diellit të diturisë.

            Në thelb, lakmia nuk është një ndjenjë e pranueshme. Por lakmia që tregohet për sa i përket njohjes hyjnore është për t’u vlerësuar. Këtë ndjenjë të dhënë prej Allahut njeriu duhet t'a përdorë pikërisht për t'u thelluar në njohjen e Zotit, për t'u djegur nga dashuria për Të, për t'i vënë shpatullat përhapjes së emrit të Tij dhe për të fituar kënaqësinë hyjnore.

 

         Ideali për të jetësuar

            Një çështje tjetër që duhet trajtuar brenda kësaj teme është edhe ideali për të jetësuar. Nëse doni që të mëkëmbeni, apo të vazhdoni të qëndroni të gjallë në botën tuaj të ndjenjave, mendimeve, zemrës dhe shpirtit, atëherë duhet që të bëheni ndihmës i ringjalljes së të tjerëve. Nuk ka diçka që të bëhet shkak për ringritjen e dikujt më shumë se sa përpjekja që ai bën për ringritjen e të tjerëve. Allahu nuk ju lë në mes të rrugës për aq kohë sa ju i zgjoni zemrat ndaj Allahut dhe i çoni ato drejt Tij duke shpartalluar çdo pengesë mes tyre. Përveçse fiton miratimin hyjnor, është e pamundur që një njeri që vrapon kah bërjes së dëgjuar të madhështisë së Zotit, që funksionon si një mburojë teksa u tregon njerëzve rrugët për në Xhenet, dhe që mendon për këto çështje gjatë gjithë kohës, ta lëshojë veten e të kaplohet nga përtacia.

 

         Të shqetësohesh për jetën shpirterore

            Një ndër dinamikat më të rëndësishme, të cilave mund t’u referohemi, është vuajtja së brendshmi. Le ta pranojmë me pikëllim se shpirti nuk na brengoset sa duhet për problemet që po jetojmë. Nuk na shqetësojnë monotonia, zbrazëtia dhe humbja e emocionit. Vazhdojmë të jetojmë në rehati, të hamë, të pimë, dhe të shohim qejfet tona edhe pse na është zhubrosur emocioni i jetës fetare. Nuk na bren meraku për jetën fetare aq sa për punët e kësaj bote dhe na kap shqetësimi më tepër për të ardhmen e këtushme se sa për atë që na pret në ahiret. Nuk arrijmë të ndiejmë për shkak të ankthit që na japin vështirësitë personale dhe familjare dhe çoroditjes së përgjithshme të jetës fetare dhe besimore që po kalon njerëzimi sot. Megjithatë, sikur vetëm të mund t'i drejtoheshim Allahut me gjendjen tonë mjerane, qoftë me fjalë, qoftë në heshtje… Ai do t'a pranonte lutjen tonë prej nevojtari.

            Mungesa e gjallërisë është një sëmundje, një hall shumë shqetësues. Ndërkaq, humbja e emocionit për gjërat fetare dhe shtimi i tij i tepërt për gjërat e kësaj bote është një sprovë më vete, një fatkeqësi prej Allahut. Këto dy bela i mjaftojnë njeriut edhe sikur të mos goditet nga diçka tjetër. Njeriu mund të besojë, mund të shkojë në xhami, mund t’i bëjë tavaf Qabes, por, përballë këtyre dy belave, do rrëzohej. Topitja emocionale bëhet si një shkallë lëvizëse që na e vështirëson ngjitjen drejt Allahut. Sepse, në vend që të ngrejë lart, na tërheq poshtë dhe ndoshta edhe na fundos.

            Kërkon nje zgjuarsi më vete edhe që ta ndash se çfarë është dhe çfarë nuk është me të vërtetë problem. Për shembull,  ata që nuk janë në gjendje ta ndiejnë kenaqësinë e besimit, që nuk thonë çdo ditë “Mijëra falënderime qofshin për Allahun që na krijoi besimtarë!”, që jetojnë të shkujdesur ndaj gëzimeve shpirtërore që përjeton zemra, që nuk mund t’i vuajnë në shpirt problemet që ka sot njerëzimi dhe që përjetojnë lodhje emocionale janë patjetër në një hall të madh. Duke pasur probleme të tilla, kushdo që vrapon pas punësh dytësore dhe sipërfaqësore dhe priret të përmbushë kënaqësitë materiale dhe trupore është duke jetuar brenda kthetrës së hekurt të vetë fatkeqësisë.

            Që ta përmbledhim, nëse vëmë re një ngecje dhe zmbrapsje tek vetja, nëse mendojmë se e kemi humbur zellin e ditëve të para, nëse nuk jemi në gjendje të shfaqim edhe në të tashjmen gjallërinë tonë të dikurshme, atëherë problemi duhet shtruar me një logjikë të shëndoshë dhe duhet t'i kërkojmë hesap vetes seriozisht. Kjo do të thotë se aty ka domosdo një problem që buron prej nesh. Çfarë mund të jetë bërë shkak për këtë gjendje kaq moskokëçarëse? A mos vallë u përhumbëm në shkujdesje, nisëm të jetojmë pa kurrfarë rregulli, ramë në dembelizëm, apo u larguam nga burimet që na ushqenin? Duhet përcaktuar menjëherë diagnoza e problemit, që të shohim për një kurë të përshtatshme. Për sa kohë nuk e bëjmë këtë, do të thotë se po e çojmë veten dëm kot. Gjithashtu, nëse nuk ia dalim dot vetë në krye me zgjidhjen e problemit, atëherë duhet të takohemi me një mjek profesionist dhe t’ia shpjegojmë atij gjendjen tonë. Duhet gjetur një zgjidhje sa më parë dhe duhen marrë masat para se sëmundja të kalojë në metastazë. Përndryshe, prishja e nisur në qendër do t’u avitet rrethinave fqinje dhe, duke u përhapur pak nga pak, do të zaptojë një hapësirë aq të madhe sa kthimi pas do të ishte tepër i vështirë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.