Prezantim

Eshtë një e vërtetë dhe realitet në nivelin e çështjeve mbi be­simin dhe Islamin se, në parashtrimin e tyre, ndodhemi në një periudhë kur kërkohet të bëhet më shumë shpjegimi i pse-ve dhe përse-ve, sesa i si-ve. Ndërkaq, asnjë mendje e shë­ndo­shë dhe ndërgjegje e kulluar që është e denjë jo vetëm për t'i klasi­fikuar dukuritë, por edhe për të bërë sintezat e duhura, nuk mund ta mohojë këtë të vërtetë. Sepse në ditët tona, shkencat e natyrës dhe filozofia, duke marrë forcë edhe nga zhvillimet ma­rramendëse të zhvillimeve teknike, po jetojnë ditët më të pa­më­shirshme të veprimtarive për ta tharë nga rrënjët pemën e besi­mit e cila duhet t'i ketë rrënjët në mendjen e njeriut, kurse degët dhe frutat, në zemrën e tij!

Siç është e pamundur për të marrë fruta nga një pemë me rrënjët të thara, ashtu është e pamundur për të mbledhur fryte cilësore të llojit si nga një besim i tharë prej pse-ve dhe përse-ve.

Hapësira e shkatërruar në fillim duhet meremetuar, pastaj, rre­gulluar e forcuar dhe, më pas, po të duhet, duhet stolisur. Stolisja para meremetimit dhe përforcimit është pa dobi, përfor­cimi para meremetimit është i panevojshëm, kurse meremetimi që nuk ndiqet nga rregullimi dhe përforcimi, është, shpesh, që t'i vret sytë. Prandaj, si në çdo çështje, edhe këtu, çlirimi prej qëndrimit të paqëlluar të skajshëm majtas apo djathtas për të ndjekur rrugën e mesme, do të ishte parimi i pashmangshëm i gjetjes së të drejtës.

T'i bësh qëllim në vetvete argumentet racionale për të rënë në idenë fikse të dialektikës dhe demagogjisë, është po aq një deviacion ideor sa ç'është shterpëzim në ide t'i nënvleftësosh ato duke i kundërshtuar plotësisht. Në fakt, që të dyja këto ide fikse janë dy fytyrat e të njëjtës së vërtetë. Gabimi në diagno­stikim qëndron te pranimi i këtyre dy fytyrave të të njëjtës së vërtetë si dy të vërteta më vete. Sidomos, duke parë vetëm pa­sqyrën fikse të të vërtetave të veta, këto dy mënyra të ndryshme mendimi kanë krijuar dhe krijojnë humnera shumë të vështira për t'i mbyllur. Mirëpo pak mendim larg sentimentalizmit dhe arsyetim i gjithanshëm mund t'i bashkojë këto dy skaje për t'i bërë të pashkëputshme. Dihet se burrat e mëdhenj të Islamit si imam Gazaliu dhe poeti Xhelaleddin Rumi, i mbiquajtur Mevla­na, në shumë vende të veprave të tyre, duke përdorur edhe ndikimin e diagnozës mbi sugjerimin, kanë vërtetuar se preo­kupimi me argumente racionale për të arritur te e vërteta është humbje kohe dhe se njeriu që i shpenzon përpjekjet vetëm për të mbledhur argumente racionale, për rrjedhojë, nuk do të ketë më fuqi për të arritur te e vërteta. Njeriun që përpiqet ta arrijë të vërtetën me argumente racionale, Gazaliu e përngjason me nje­riun që, megjithëse ka vënë si qëllim të shkojë në haxh (pele­grinazh), mbetet pa u nisur ngaqë merret me përgatitjen e kalit! Sipas tij, ky preokupim nuk e çon njeriun te e vërteta, por e pri­von prej saj. Kurse Mevlanai e përngjason njeriun që përpiqet ta gjejë të vër­tetën me argumente, me të mjerin që, megjithëse ndodhet para Qabes, kërkon kiblen (drejtimin e faljes)!

Shqyrtimi i specifikave që i kanë detyruar Gazaliun dhe Me­vlananë për t'u sjellur ftohtë ndaj argumenteve racionale, është një çështje më vete. Çdo fjalë e thënë pa analizuar etimologjinë e koncepteve dhe shprehjeve që i përkasin asaj periudhe, nuk mund të shpëtojë nga sipërfaqësia. Ndërkaq, një analizë e tillë etimologjike është e mundur duke rishqyrtuar çështjet e apolo­gjetikës islame të formuar gjer në atë periudhë, lidhur me çë­shtjen në fjalë, dhe duke u bërë atyre një shqyrtim të ri. Duke ua lënë këtë aspekt të çështjes penave kompetente të asaj fu­she, ne të përpiqemi ta paraqesim çështjen me nja dy analiza të vogla.

1) Preokupimi me argumente racionale në periudhën kur patën jetuar njerëzit e mëdhenj të Islamit që i përmendëm më sipër, ka qenë jo më shumë nevojë sesa fantazi paradoksale, se­pse besimi ka qenë i shëndoshë e i fortë dhe nuk kishte nevojë për meremetim dhe përforcim me argumente. Në të njëjtën ko­hë, meremetimi që do të kërkohej të bëhej pa qenë e domos­doshme e pa patur nevojë, nuk do të kishte ndryshim nga rrë­nimi. Prandaj u qenë kundërvënë ata argumenteve racionale që bartnin mundësinë për t'u bërë shkak për një rrënim të tillë.

2) Preokupimi me argumente racionale në një periudhë të pushtuar nga filozofia greke me anë të përkthimeve të bëra prej saj, qe shndërruar në një pasion të sëmurë, të tillë që diskutimi në këtë atmosferë i vlerave të argumenteve racionale ishte aq i pakuptimtë, sa ç'mund të ishte e pakuptimtë nxitja për ta da­shuruar Mexhnunin! Në të njëjtën kohë, duhet të ishte dikush që t'u kërkonte një parrullë mendimeve filozofike të pranuara pa u bërë asnjë kritikë, dhe ata këtë bënin.

3) Ndërsa argumentet racionale duhet të ishin vetëm pre­tekste dhe mjete në rrugën që shkonte për tek e vërteta, ato ishin shndërruar në qëllim dhe synim. Ja, pra, edhe Gazaliu me Xhelaleddin Rumiun, edhe të gjithë autoritetet që mendonin si ta, kërkonin t'i jepnin orientim këtij devijimi.

4) Këtë qëndrim e bënte të domosdoshëm etika e gjendjes dhe pozitës ku ndodheshin ata. Gjithashtu, mjekimi i sëmund­jeve moralo-shpirtërore të shfaqura në periudhat e tyre kërko­nte metodën mjekuese të përdorur prej tyre.

5) Njerëzit e mëdhenj i ngjajnë ujit të pastër e të kthjellët. Ata formësohen sipas përmasave dhe konfiguracionit të periudhës kur jetojnë. Dhe ky zhvillim merr formë plotësisht në vartësi të kushteve përkatëse. Veprat e shkruara në atë periudhë janë shembulli më domethënës i kësaj.

Njeriu i ditëve të sotme ka nevojë më shumë se kurrë më pa­rë për përforcimin e mundshëm me argumente racionale të të gjitha çështjeve të parashtruara atij me anë të informacionit të përcjellë[1]. Por kjo duhet mbajtur në nivelin e veprimit të thy­erjes së guaskës për të zbritur në bazë. E thënë ndryshe, thyerja e guaskës është kusht për ta shijuar origjinën, por jo kushti i ve­tëm. Kurse përsëritja e këtij veprimi nga të mëdhenjtë është që atë që e kanë shijuar vetë, t'ua mundësojnë për ta shijuar edhe atyre që e kanë një kapacitet të tillë.

Me shikimet dhe vështrimet e tyre të hedhura mbi faktet e jetuara[2], ata ishin të çliruar nga nevoja për çdo lloj argumenti dhe prove. Këta të lumtur që shëtisnin me njërën këmbë në pozita tejet të larta, këmbën tjetër nuk e shkëputnin nga toka në mënyrë që të kapnin nga dora edhe shumë të tjerë për t'i ngji­tur atje. Kishte nevojë për ta që t'i ngjisnin në nivelin e jetës së shpirtit dhe zemrës të mjerët që kishin ngecur të shtrënguar në pengesën e lëndësores. Por duhet pranuar se kthimi i tyre, për këtë qëllim, te argumenti dhe prova, ishte vetëm një sakrificë.

Sepse këtë moral ata e patën mësuar kështu nga Zotëria i Dy Botëve (s.a.s.)[3] që kishte vënë këmbën në pikat ku s'kishte arri­tur askush tjetër, ku s'kishte mundur të arrinte as dhe vështrimi i Xhebrailit! Kthimi pas i tij nga miraxhi është mësimi filozofik më i madh. Qëllimi, të gjendej mjalti i mjalteve, të aftësoheshin edhe të tjerët për ta gjetur!

"Nën hijen e besimit" u përgatit për t'i shërbyer një qëllimi të tillë. Dhe po me këtë qëllim po ju ofrohet edhe juve, lexues të dashur duke shpresuar se do të mbeteni të kënaqur e të lumtur!

Shtëpia Botuese "Prizmi"



[1] Në origjinal, nakl, përcjellje. Sipas shkencave islame, informacioni është dy llojesh: i përcjellë, aprioristik, dhe racional. Në islam, informacionin e përcjellë e përbëjnë Kur'ani dhe Hadithi (porositë dhe përvoja profetike e profetit Muhammed). Përkthyesi. Të gjitha shënimet janë të përkthyesit.
[2] Në origjinal: hakkal jakin, fakt i jetuar, i parë drejtpërsëdrejti, jo nëpërmjet tjetërkujt.
[3] Profeti Muhammed.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.