A mund të na e shpjegoni urtësinë e quajtjes kalif i pestë të Omer bin Abdulazizit ndërsa ekzistonin Hz. Hasani dhe Hz. Muavija?

Më duket se këtë çështje gjer tani s'e kanë bërë subjekt as teologët. Por, me që kemi të bëjmë këtu me një pyetje që i është ngulur në kokë dikujt, po përpiqem ta parashtroj. Kalifët rashidinë janë katër dhe në lidhje me këtë ka një mendim unanim. Këta janë: Hz. Ebu Bekir, Hz. Omer, Hz. Osman dhe Hz. Ali (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!). Këta janë kalifët, domethënë zëvendësit më të nderuar, më të hijshëm, më të përkryer e më të mëdhenj të Profetit (a.s.). Pas kalifëve rashidinë, kalifati kaloi në duart e Beni Ummejes, gjë që pasoi, në masë të madhe, krahas lëkundjes së çiltërsisë dhe sinqeritetit mes muslimanëve, edhe lëkundjen e vetë shpirtit të kalifatit. Shteti u kthye pjesërisht në sulltanat, sarajet i mbështolli luksi dhe tantanaja. Mjedisi u bë i përshtatshëm për lindjen e dobësive në shpirtrat e dobët. Krahas kësaj, emevitë nuk qenë njerëz krejt të zbrazët e shterpë. Mes tyre ndodheshin shumë individualitete të mëdhenj kompetentë të Kur'anit dhe sunnetit, traditës profetike. Por si familje kishin nisur të degjeneroheshin. Ndërkaq, brenda një familjeje të tillë, në një vend që i përngjante një gjembishteje, u rrit një trëndafil i rrallë ndër të rrallët si Omer bin Abdylazizi që do të krahasohej me vetë kalifët rashidinë. Në krye të veçantive që e ngritën Omerin në maja, vjen fakti që ai, duke i kapërcyer në një hop dëshirat trupore e materiale, duke vënë në vend të trupit, shpirtin e në vend të egos, zemrën, u vu të kërkojë rrugën e Profetit dhe miratimin e Allahut! Dhe kjo gjë nuk ishte aspak e lehtë, sidomos për atë! Për atë që jetonte në pallat mes tantanasë dhe shkëlqimit, që dilte çdo ditë për gjah, hante, pinte e dëfrehej, qoftë edhe legalisht, në saje të mundësive të shumta që zotëronte. Dhe ishte shumë e vështirë që të ndodhte ndryshe për dikë që jetonte në një familje e në një shoqëri të distancuar rreth njëqind vjet nga koha e Profetit si dhe, si pasojë e këtij distancimi, të distancuar edhe prej dinamikave në saje të të cilave ata ekzistonin, për dikë që zotëronte mundësitë e panumërta të pallatit! Pikërisht në këtë mes, i ungji Sulejman që po vdiste, në vend që të rekomandonte për kalif të birin, me këmbënguljen e disave rekomandoi të nipin Omer bin Abdylaziz, i cili, nga ana e nënës, binte nip i Hz. Omerit të famshëm. Edhe populli e pranoi këtë zgjedhje dhe i dha besën kalifit të ri. Dhe qysh atë ditë që iu dorëzua detyra e kalifit, Omeri erdhi menjëherë në vete, iu kthye shpirtit dhe ndryshoi sa të hapësh e të mbyllësh sytë nga koka në majë të thonjve! Ky Omer s'ishte më ai Omeri i vjetër! Që atë ditë ai nisi të përpiqej për ta ringjallur periudhën e kalifëve të parë. Përleshej me të këqiat, merrte rrugën drejt të mirave, lehtësonte rrugët që shkonin drejt gjërave të dobishme e të bekuara, parandalonte padrejtësitë, i shpallte luftë dhunës e mizorisë. Me që konsideronte se gjerdani në qafën e të shoqes ishte plaçkë lufte, thoshte "kjo gjë s'më shkon mua" dhe e dorëzonte në thesarin e shtetit. Pasurinë personale mbi të cilën krijonte dyshim, e dorëzonte në shtet, hidhte sipër një hirkë të vjetër dhe kalonte në krye të shtetit...

Kufijtë e kalifatit të asaj dite kalonin nga liqeni Aral, tej lumit Amudaria, Afganistani dhe Turkistani Perëndimor; kryeqendrat e atyre anëve ishin Buharatë, Semerkandet... Duke nisur me Gjibraltarin në Afrikën Perëndimore, kufijtë përfshinin Marokun, Tunizinë, Algjerinë, Egjiptin, Sirinë dhe Libinë dhe zgjateshin gjer në Anadoll. Dhe Omeri ishte udhëheqësi i këtij shteti! Gadishulli Arabik ishte triumfuar plotësisht, vendet e Gjiut ishin vënë nën pushtetin e Islamit. Omer bin Abdylazizi ishte i vetmi sundimtar në hapësirën sa dyzet e një Turqi të sotme, më drejt, ishte i vetmi zëvendës i Zotit në këtë hapësirë! Kurse ai ishte në atë kohë më i varfëri ndër njerëzit!...

Specialistët e mëdhenj të hadithit, porosive profetike, thonë se në atë kohë "besimtarët nuk gjenin se kujt t'ia jepnin sadakanë dhe zeqatin..." Kështu kishte pasë paralajmëruar Lajmëtari Besnik, Hz. Muhammedi (a.s.): "Do të vijë një ditë që do të silleni me zeqat në dorë e s'do të dini se kujt t'ia jepni..." Domethënë se s'kishte më të varfër. Të gjitha këto qenë vërte-tuar në kohën e Omer bin Abdylazizit. Ai e drejton shtetin dy vjet e ca muaj, por bëhet produktiv si për vite të tëra. Më pas ai bëri reforma në çdo aspekt të atij shteti që do të shtrihej gjer në Andaluzi. Omer bin Abdylazizi i hodhi poshtë të gjitha konsideratat e gabuara të gjer asaj dite për kalifët rashidinë. Ai shpalli pozitën e lartë të Hz. Aliut. I dha fund mungesës së etikës në hutbet e disave dhe, duke u udhëhequr nga ajeti-argument i Kur'anit që do ta citojmë në vazhdim e që sot ne e këndojmë në hutbet tona, u vu si barrierë gjoksin padrejtësisë, amoralitetit, prostitucionit, teprimit e mendjemadhësisë, mendoi me maturi e orientim, bëri një jetë të përkorët e monumentale:

"Allahu urdhëron drejtësinë, bujarinë, ndihmën ndaj të afërmëve dhe ndalon imoralitetin, paturpësinë, të keqen dhe brutalitetin, ju këshillon ju që të merrni mësim!" (Kur'ani, Nahl: 90).

Ja, pra, një mënyrë e tillë jetese e Omer bin Abdylazizit ndërsa kushtet nuk ishin aspak të favorshme për një jetë të tillë, fakti që ai ishte kaq i qashtër, kaq i patëmetë, kaq i shtruar e me tipare krejt si të kalifëve të parë ndërsa koncepti i të jetuarit te emevitë e asaj dite ishte aq i ndryshëm, e patën ngjitur atë në nivelin e njeriut të Shekullit të Lumtur të Profetit (a.s.). Eshtë për këtë konsideratë komplekse që disa njerëz të mëvonshëm e patën quajtur me të drejtë atë myxheddid, novator, dhe patën thënë se, në se bëhet fjalë për kalifin e pestë të vërtetë pas katër të parëve, ai është pa dyshim Omer bin Abdylazizi!

Dhe tani, duke kaluar në çështjen e parapëlqimit të Omer bin Abdylazizit ndaj Hz.Hasanit apo Hz.Muavijes,kjo e kapërcen mundësinë dhe aftësinë tonë krahasuese e drejtpeshuese. Kur e patën pyetur Hasan Basriun - njërin prej imamëve të ndjekësve të sahabeve, shokëve të Profetit dhe atë që kishte pasur fatin që në vogëli të ulej në prehrin e një prej bashkëshorteve të Profetit - për nivelin dhe pozitën e Omer bin Abdylazizit e të Vahshiut, për nga këndvështrimi i virtytit të përgjithshëm, domethënë të takimit personal me Profetin dhe përfitimit të drejtpërdrejtë prej tij, kishte thënë: "Omer bin Abdylazizi mund të jetë vetëm ca pluhur në hundën e kalit të Vahshiut!" Sepse Vahshiu kishte qenë sahabi, shok i Profetit. Kurse Omer bin Abdylazizi s'ishte sahabi. Ky mund të qëndrojë shumë para me disa aftësi e merita të tij, por virtyti absolut u përket vetëm shokëve të Profetit. Mund të përkrahen ata që i mbajnë anën epërsive të tij në një apo disa virtyte specifike, por i epërm është i epërmi në virtytin absolut.

Dhe tani, në këto kushte, e kemi të pamundur të bëjmë krahasim me Hz. Hasanin dhe Hz. Muavijen. Gjithashtu nuk na takon neve që të bëjmë gjykimin, llogarinë, miratimin dhe kritikën e nivelit mes tyre. Ata janë aq të mëdhenj, sa që na kujtojnë qeniet parajsore që kanë hedhur shtat në misionin profetik të Profetit tonë (a.s.), që janë ushqyer me ushqim të posaçëm, që janë zhvilluar në dimensione të posaçme. Ndoshta shumica e tyre kanë arritur nivelin e engjëjve. Kur ne të konkludojmë për ta kështu apo ashtu, ka shumë mundësi që para audiencës së Zotit të Gjithësisë të mbetemi të turpëruar. Kjo i përngjet kritikës së njerëzve që nuk do të mund të bënin as punën e portierit të një gjykate, ndaj njerëzve që qëndrojnë mbi kompetencën e gjykatës në fjalë! Dhe ç'gjë tmerrësisht e turpshme që është kjo! Për rrjedhojë, ne mbrojmë edhe gjuhën, edhe zemrën tonë, përkulemi më dysh me ndjenjën e respektit të thellë ndaj të gjithëve atyre dhe u lutemi të na pranojnë si portierë në portën e tyre!..

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.