Vezullime Utësie Ao Spas Flozofisë

Kundërshtimi i shumicës është gabim, por kur shumica të jetë shumicë, ndryshe, miratimi është gabim. Ashtu siç nuk është gabim kundërshtimi i opinionit të dhënë, bie fjala, nga inxhinierët për një të sëmurë, ashtu edhe nuk është gabim të mos merren parasysh pikëpamjet, bie fjala, të mjekëve për llogaritjet ndërtimore të një objekti...

***

Paaftësi nuk do të thotë vetëm mungesë fuqie apo pushteti. Sa e sa persona të fuqishëm e të aftë ka, të cilët, meqë nuk vlerësohen e nuk përfitohet prej tyre, ndodhen në gjendje pasiviteti e paaftësie.

***

Ashtu siç drita e atyre që e kanë atë në vetvete, nuk mund të fshihet e të shuhet me anë të errësirave, as edhe nuk mund të mposhtet me anë të ndonjë drite tjetër. Një burim i tillë drite, pavarësisht nga çdo gjë, digjet e ndriçon për sa të jetë gjallë...

***

Për ata që nuk e veshin dhe stolisin veten me besim, mendja është një vegël e dëmshme e shqetësuese...

***

Ai që bën vetëm duke parë, nuk mund të jetë i suksesshëm sa ai që bën duke ditur; po kështu, ai që bën vetëm duke ditur, nuk mund të jetë i suksesshëm sa ai që bën duke ndjerë e duke qenë i ndërgjegjshëm për atë që bën...

***

Varfëri s'është vetëm mungesa e parasë, por edhe e diturisë, mendimit, aftësisë. Nisur nga kjo, edhe të pasurit në para por të varfër në dituri, në mendim e në aftësi, janë një lloj të varfërish.

***

Disa herë syzet për syrin kurse gjithmonë syri për mendjen, mendja për parashikimin, parashikimi për ndërgjegjen dhe ndërgjegjja për shpirtin janë "e çarë" për të vëzhguar dhe mjet për të parë.

***

Njeriu më për të ardhur keq në çmendinë, është i mençuri. Po të hyjë një i çmendur mes nesh, bëhet për të ardhur keq. Çdo njeri është një i çmendur, por forma e çmendurisë është e ndryshme...

***

Njerëzimi është një pemë, kurse kombet, degët e tij. Ndodhitë, të cilat u përngjajnë erërave të forta, i përplasin ato me njëra-tjetrën me atë forcë që të fryjnë. Natyrisht, dëmin e pëson pema. Ky duhet të jetë edhe kuptimi i fjalës së urtë, "Kush bën, vetes ia bën!"

***

Netët janë si sheshe të hapura për zhvillimin e njeriut dhe për përgatitjen e lumturisë së njerëzimit. Gjithë në këtë mitër të errët janë mbarsur dhe zhvilluar idetë e larta dhe veprat e larta si dhe i janë ofruar përfitimit të njeriut!

***

Pothuajse gjithmonë ata që kanë ftuar për udhëtim përtej qiejve, janë zgjedhur mes atyre që derdhen udhëve në të aguar.

***

Barku i hedh jashtë ushqimet e patretshme e të padobishme e, pastaj, pështyn mbi to... Të njëjtën gjë bën edhe historia ndaj njerëzve të padobishëm!

***

Ndryshku është armiku i hekurit, plumbi, i diamantit, dëfrimi,53 i shpirtit... Në mos sot, nesër, pa diskutim, dëfrimi do ta kalbë e shkatërrojë shpirtin...

***

Çdo gjë e verdhë nuk është ar, çdo gjë që shkëlqen nuk është dritë, çdo gjë që rrjedh nuk është ujë...

***

Çdo shtrëngatë krijohet prej pikash të vogla uji të parëndësishme dhe arrin në një nivel të papërballueshëm. Trupi i shoqërisë është i ekspozuar çdo kohë ndaj këtyre lloj shtrëngatave dhe disa herë ndodh që këto shtrëngata i marrin me vete edhe ata që kërkojnë t'u dalin para si pritë...

***

Edhe nëse t'u tregosh naivëve se ç'është dituria dhe e vërteta, është po aq e vështirë sa të merresh me prova e argumente, mësuesit dhe udhërrëfyesit duhet ta bëjnë këtë detyrë me dashuri...

***

Më e rrezikshmja e të këqiave që mund t'i bien në kokë njeriut, është ajo që i vjen duke i qeshur në fytyrë...

***

Meqë të vërtetat lakuriqe nuk i kupton çdokush në të njëjtin nivel, është braktisur rruga e meditimit dhe është zgjedhur rruga e identifikimit dhe analogjisë.

***

Ankesa bëhet gjithmonë për kohën dhe vendin, kurse fajtori i vërtetë është injoranca. Koha dhe vendi janë të pafajshëm, kurse njeriu, shumë injorant dhe mosmirënjohës!

***

Atdheu s'është pyll, por kopësht. Për ta mbushur dhe rregulluar atë, ka nevojë për përgatitjen e luleve e të fidaneve frutorë...

***

S'e di se ç'mund t'u thuhet atyre që, pasi ua lenë kopshtin furisë pushtuese të barërave të këqia, ankohen për fatin...

***

Sa e sa rrugë të bukura me diell, me bar e lule ka që përfundojnë në shkretëtira vrasëse. Dhe sa e sa të përpjeta plot gjemba ka që arrijnë në dyer të parajsës...

***

Siç duket, njëra prej urtësive më të mëdha është fjala e urtë, "Njeriu ndodhet i fshehur nën gjuhën e vet!" Kurse për mua, fjala e urtë, "Në kërkofsh mik, Allahu të mjafton, në kërkofsh shok, Kur'ani!"

***

Njerëzit e dinë se ç'është njohja dhe gjënë e njohur, por s'e dinë se kush e bën njohjen. Ai që njeh, është shpirti me anë të mjetit mendje; ai që sheh, është prapë shpirti me anë të mjetit sy...

***

Po qe se lëvizja krijohet si rezultat i motiveve apo faktorëve racionalë apo natyrorë, është animale, kurse, po qe se mbështetet në motive apo faktorë ndërgjegjësorë e volitivë, është humane dhe shpirtërore.

***

E paqena është një hiç i frikshëm në tërë përmasat e të cilit, në mund të shprehemi kështu, nuk mund të gjesh as edhe një grimcë që të dëshmojë për ekzistencë në të...

***

Tani, njerëzve fetarë u thonë fanatikë. Fanatizmi është këmbëngulje e verbër dhe neurastenike në të shtrembrën, kurse këmbëngulja në të vërtetën është virtyt, pra kjo sjellje e besimtarit kurrsesi s'është fanatizëm...

***

Filozofia e pambështetur në mesazhet hyjnore është stonaturë e mendimit...

***

Filozofia e vërtetë është një brengë e mendimit dhe e shpirtit e krijuar vetëm e vetëm me anë të zgjimit të njeriut nga ana e Allahut për ta rrokur urtësinë...

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.