Përparimi
Zhvillimi dhe përparimi i një kombi varet nga edukimi ideor dhe ndiesor i individëve të atij kombi. As nuk mund të pritet që kombet me individë me arsye dhe ndriçim të brendshëm të pazhvilluar të përparojnë!
***
Kusht për lartësimin e kombeve është që individët të kenë arritur mes tyre unitetin e qëllimit. Në një shoqëri ku asaj që njëri i thotë e bardhë, tjetri i thotë e zezë, edhe nëse mund të vihen re përplasje sa majtas, djathtas, kurrsesi nuk mund të shënohen zhvillim dhe lartësim.
***
Brezat që nuk kanë marrë një edukatë të përbashkët, gjithmonë janë ndarë në kampe të veçantë sipas kulturave të marra dhe e kanë parë njëri-tjetrin si armiq. Të presësh përparim nga një shoqëri e tillë e përbërë prej gjelash që janë gati t'i hidhen sipër njëri-tjetrit, edhe në mos qoftë krejt e pamundur, është aq e vështirë sa mund të thuash e pamundur!
***
Çdo përparim shfaqet në fillim si një projekt dhe ide, pastaj u bëhet e pranueshme shtresave shoqërore dhe, më pas, realizohet me zellin dhe përpjekjet e individëve të lidhur dorë për dorë e zemër për zemër. Në të kundërt, çdo hap përparimi që, në planin ideor, nuk "ka marrë vizë" prej shkencës ose ka pësuar fatkeqësinë të mos mundet ta shprehë veten, është e dënuar të mbetet pa rezultat.
***
Më e pastra, më e shkëlqyera, më e rregullta dhe më e mira e çdo gjëje është ajo që ka përparuar. Sipas kësaj, të kënaqurit me atë që ke[1] është numërim në vend, kurse nxjerrja në shesh e veprave më me nivel, më madhështore duke e kapërcyer dhe tejkaluar atë që ke, është përparim.
***
T'i kthesh në djerr fusha e kodra, t'i katandisësh kopshtet e vreshtat në plehërishte, është rënie e regres; t'i bësh djerrinat pjellore dhe t'i kthesh plehërishtet në kopshte e vreshta, është përparim. Vendi i kombeve të përparuar është parajsë, malet, vreshta, kurse faltoret, pothuajse çdonjëra një pallat i shkëlqyer. Në kundërshtim me këtë, qytetet e vendeve të prapambetura, janë gërmadha, sokakët, plehërishte, kurse faltoret, nga një korridor i errët e i mykur.
***
Megjithëse ndikimi i shkrim-leximit mbi përparimin dhe lartësimin e kombeve dhe shoqërive është i madh sa nuk mund të mohohet, rezultati i kërkuar nuk ka qenë i mundur të arrihet kur brezat nuk janë edukuar me kulturën kombëtare në një drejtim të caktuar dhe nuk do të arrihet...
***
Çdo hap dhe ndërmarrje përparimi bëhet rezultative në atë masë sa ç'i jepet rëndësi vlerësimit të mirë të gjendjes aktuale si dhe përfitimit nga përvojat e brezave të shkuar. Në të kundërt, nëse çdo brez i ri nuk mendon të përfitojë prej përvojës së brezit paraardhës dhe secili ze një udhë sipas mendjes së vet e shkon, atëherë, sado që të përpiqen brezat, me qëndrime dhe veprime të tilla foshnjarake as dhe një pashë rrugë s'kanë për ta bërë dot!..
[1] Të kënaqurit me pak.
- Publikuar më .