Parashikimi

"Parashikim" i thuhet konceptimit të plotë e gjithëpërfshirës të specifikave që përbëjnë fundament për të parë e parandjerë, për të ditur e vlerësuar me anë të diturisë, përvojës dhe dritës së aftësisë konceptuese. Dhe, nëse njeriu parashikues sipas këtij kuptimi, është i hapur edhe për botët përtej, ai është bërë, më në fund, një njeri i së vërtetës, një hero i shpirtërores, i vendosur për t'u bërë i përsosur!

***

Mendja (arsyeja) është një burim i rëndësishëm diturie, kurse parashikimi, një burim serioz kulture. Eshtë mjaft e vështirë, madje e pamundur që njeriu me arsye por pa aftësi parashikuese të arrijë diku me ato që di edhe nëse di shumë gjëra dhe kupton nga shumë gjëra!

***

Po qe se parashikimi është konceptimi i një gjëje ashtu siç është ose afër asaj që është, çdo njeri i mençur (me arsye) mund të mos quhet i aftë për të parashikuar.

***

Në kundërshtim me dukjen shpesh të dyshimit, lëkundjes dhe pavendosmërisë te mendja e paaftë për të parashikuar, klima e parashikimit është gjithmonë e ngrohtë, e butë, e vendosur dhe e sigurtë.

***

Mendja dhe mendimi janë niveli i fundit konceptual i trurit, kurse parashikimi është shkalla e parë njohëse e shpirtit, ndërkaq që kulmi i tij është urtësia, për çka edhe Kur'ani, duke thënë "Ai që i është dhënë urtësia, quhet se ka arritur shumë dobi", e nxjerr në pah këtë të vërtetë!

***

Ata që e shohin qenien vetëm me sy, mund ta rrokin atë vetëm sa e lejojnë përmasat përfshirëse të shikimit. Ata që e hulumtojnë cep më cep materien me anë të aftësisë parashikuese, ashtu siç mbledhin bletët nektarin lule më lule, mund të nxjerrin kuptime të reja nga çdo gjë!

***

Syri rrok formën, fytyrën dhe vendin që zënë në hapësirë njerëzit që sheh. Përtej këtyre, parashikimi rrok te ata edhe gjëra të tilla si morali, virtytet dhe niveli cilësor shpirtëror.

***

Sytë i shohin materien dhe dukuritë me fytyrën e jashtme dhe aspektet e tyre lëndore, kurse parashikimi i sheh, i njeh dhe i koncepton edhe me aspektet e tyre të brendshme si përmbajtja, dobia, qëllimi përfundimtar dhe urtësia!

***

Parashikim nuk do të thotë mendje as edhe mendim. Ndërsa mendimi është fryt i mendjes, parashikimi është një aftësi hyjnore shumë përtej mendimit!

***

Gjëja që e dallon njeriun prej kafshëve, është vetëdija, parashikimi dhe, më tej, meritimi i frymëzimit dhe urtësisë. Ata që janë të privuar nga këto dhunti, quhen se nuk kanë arritur dot në pikën e fundit ku duhet të ndodhen sido që të paraqiten në pamjen e jashtme!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.