Kur'ani

Kur'ani është manuali më i mrekullueshëm i mesazheve dhe ligjeve hyjnore i lindur në horizontin e njeriut duke zbritur nga lartësia e lartësive në masën e vlerës së njeriut dhe duke marrë parasysh unitetin trup-mendje-shpirt të tij!

***

Kur'ani, pas të cilit janë lidhur sot afërsisht një miliard njerëz, me parimet e tij hyjnore përjetësisht të pandryshueshme, është teksti i vetëm dhe unikal si treguesi i rrugës më të shkurtër e më të ndriçuar që çon te lumturia e tërë njerëzimit!

***

Kur'ani është libri burim drite i bashkësive më të shkëlqyera e më dritëplote të historisë njerëzore, mes të cilave ndodhen edhe miliona dijetarë, mijra filozofë dhe mendimtarë, i bashkësive të cilat kanë vendosur për fatin e planetit! Në këtë kuptim, ai është i pashoq edhe në mbretërimin e tij!

***

Qysh nga dita e zbritjes e gjer më sot, Kur'ani as është kundërshtuar e as është kritikuar, megjithatë, kundër tij janë ngritur gjyqe që kanë përfunduar që të gjitha me "pafajësinë" e tij dhe betejat janë vulosur që të gjitha me fitoren e tij!

***

Kur'ani është një dritë që kristalizohet në zemra, një burim ndriçimi që u bën dritë shpirtrave dhe fund e krye një ekspozitë të vërtetash. Me fytyrën e tij të vërtetë, Kur'anin munden ta njohin e kuptojnë vetëm shpirtrat që munden t'i dallojnë të gjitha bukuritë e gjithësisë në një lule, që munden ta vëzhgojnë furtunën në një pikë ujë!

***

Kur'ani ka një të tillë stil shprehjeje që oratorët arabë dhe persianë kanë vënë ballin në tokë kur kanë dëgjuar ajetet e tij, kurse letrarët njohës të së vërtetës që kanë ndjerë dhe kuptuar bukuritë e përmbajtjes së tij, para Mbretit të Fjalës janë përthyer më dysh me nderim të thellë!..

***

Muslimanët kanë mundur të arrijnë unitetin mes tyre vetëm me anë të besimit dhe besnikërisë ndaj Kur'anit dhe kështu ka për të ndodhur edhe në të ardhmen. Ata që nuk i qëndrojnë besnikë Kur'anit, jo vetëm që s'mund të jenë muslimanë, por edhe as që mund të ngrenë një unitet të qëndrueshëm mes tyre!

***

Të thuash se "besimi është çështje ndërgjegjeje", do të thotë të pohosh se i pranon dhe vërteton Allahun, Profetin dhe Kur'anin jo vetëm me gojë, por edhe me ndërgjegje. Kurse adhurimi, me të gjitha llojet e tij, i lidhur pas kësaj mendësie, është shfaqja e detyrueshme e këtij vërtetimi të shëndoshë!

***

Vetëm një herë ka ndodhur ai transformimi më i madh, shembullin e të cilit historia nuk ka mundur ta përsërisë edhe një herë tjetër: shpërthimi në formë tufani drite në një periudhë kur njerëzimi vërtitej mes vedi në vorbullën e egërsisë së injorancës dhe mohimit dhe mbytja në dritë e botës në një hop, gjë që është realizuar me Kur'anin! Historia mjafton si dëshmitare për këtë!..

***

Kur'ani është libri që i mëson njeriut, me ekuilibret më të imta, kuptimin dhe esencën e njeriut, të vërtetën dhe urtësinë, individualitetin, atributet dhe emrat e Zotit dhe në këtë fushë është e pamundur të tregosh një libër të dytë të njëvlershëm me të. Edhe ti vetë do ta kuptosh këtë gjë nëse u hedh sytë urtësisë së të urtëve dhe filozofisë së filozofëve vërtetëdashës!..

***

Kur'ani është i vetmi libër që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë e vërtetë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve, gjer te kafshët, që ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, mitën, fajden, gënjeshtrën, dëshminë e rreme...

***

Përsëri është vetëm Kur'ani libri që, duke marrë nën mbrojtje bonjakun, të varfërin dhe viktimën, i ul në të njëjtën karrige mbretin me skllavin, komandantin me ushtarin, akuzuesin me të akuzuarin dhe i gjykon...

***

Ta tregosh Kur'anin si burim të miteve e bestytnive, s'është gjë tjetër veç ca përçartjeve të pathemelta të të pafeve të sotëm të trashëguara prej arabëve injorantë të katërmbëdhjetë shekujve më parë. Me një mendësi të tillë vihen në tallje urtësia dhe filozofia e vërtetë!..

***

A nuk do të duhej që ata që bëjnë fjalë për Kur'anin dhe kontributin e tij, të thoshin ca fjalë, qoftë edhe me vlerë të përkohshme, mbi rregullin, harmoninë, qetësinë dhe sigurinë e njeriut? Ç'është e drejta, kur e vë përballë Kur'anin me hallakatjen dhe shkatërrimin e qytetërimeve të tjera, me rënkimin e pashpresë të zemrave të privuara nga drita e tij, është mjaft e vështirë ta kuptosh këtë keqdashje dhe inat kundër tij!..

***

Jeta më e rregullt për njeriun është jeta ku merr frymë Kur'ani, ashtu që mund të themi pa u druajtur se një sërë bukurish të qytetërimit, të cilat sot përmenden e duartrokiten në të katër anët e botës, janë po ato gjëra që Kur'ani i pati inkurajuar qindra vite më parë. E kush është gabim dhe kush ka faj në këtë mes?..

***

Tek ne, ata që qysh prej kohësh hedhin e presin në adresë të Kur'anit e që e kanë bërë si profesion të merren me të, përgjithësisht kanë qenë dhe janë injorantët që nuk e dinë se s'dinë. Sa e hidhur është që këta të mjerë as kanë bërë ndonjë hulumtim mbi librin që i janë kundërvënë, as kanë lexuar ndonjë gjë mbi të. Në të vërtetë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes pretendimeve të këtyre dhe pretendimeve të injorantëve që tregojnë keqdashje ndaj shkencave eksperimentale, mirëpo do të duhet pritur edhe ca kohë që populli të zgjohet për t'i rrokur të vërtetat...

***

Kush e beson Kur'anin, quhet se e beson edhe Hz. Muhammedin dhe kush e beson Hz. Muhammedin, quhet se e ka besuar edhe Allahun. Kush nuk e beson Kur'anin, nuk quhet se e beson Hz. Muhammedin dhe kush nuk e beson Hz. Muhammedin, nuk quhet se e ka besuar Allahun. Ja, pra, përmasat e muslimanit të vërtetë!..

***

Në saje të Kur'anit, njeriu është ngjitur në kulmin e pozitave siç është ajo e bashkëbiseduesit të Zotit. Njeriu i vetëdijshëm se ndodhet në një pozitë të tillë, e dëgjon Zotin në gjuhën e Vet të Kur'anit, bisedon me Zotin dhe, nuk quhet gënjeshtar në betim nëse betohet se ka folur me Të!

***

Në klimën e ndritshme të Kur'anit, njeriut i bëhet sikur kalon nëpër varr ndërsa ndodhet ende gjallë në botë, sheh ringjalljen dhe Siratin, rrëqethet nën tmerrin e ferrit dhe ndien se po shëtit në majat e gëzuara të parajsës...

***

Ata që i pengojnë muslimanët për ta kuptuar Kur'anin e për t'u thelluar në të, i largojnë ata, për rrjedhojë, nga fryma e fesë së tyre dhe thelbi i islamit!

***

Pandeh se në një kohë shumë të afërt, kur, nën shikimet plot miratim dhe mahnitje të njerëzimit, ujëvarat e shkencave të ndryshme, e teknikës dhe artit, duke rrjedhur drejt oqeanit kur'anor, të derdhen në burimin e tyre të origjinës e të bëhen një me të, dijetarët, hulumtuesit shkencorë dhe artistët do ta gjejnë edhe një herë veten brenda atij deti të paanë...

***

E ardhmja nuk duhet parë shumë si periudhë e Kur'anit sepse ai është fjala e Individualitetit që i sheh dhe i njeh të shkuarën me të sotmen dhe të sotmen me të ardhmen si një e tërë e pandarë...

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.