Parathënie

O më i larti i të lartëve! Ndërsa merrnim krahë me shpirtin tonë duke soditur ekspozitat që i shtrove përgjatë rrugës sonë e pastaj na ftove për t’i parë, duke soditur më të spikaturat, më të çuditshmet veprat e Tua artistike që u dhe trajtat më të përsosura, duke soditur më të shkëlqyerën e më poetiken e atyre pikturave syverbuese e marramendëse që i vendose në zemër të natyrës e cila është një vepër arti e Jotja e që Ti i solle ato në formën e një valleje mijëra ngjyrash si shfaqje të bukurive të Tua të fshehta, si dhe duke të ndjerë e duke të parë Ty në gërvimën e lapsit Tënd e në harmoninë e librit Tënd që e shkrove me atë laps dhe e vure në shesh, pra, ndërsa merrnim krahë kështu, me anë të shpirtit tonë, na mbetën sytë në burimin e të gjitha rregullsive dhe akordeve të dukura nga të çarat e hapura nën dritën e emrave të Tu, në burimin e të gjitha ngjyrave dhe trajtave të soditura, në burimin e tingujve dhe zërave të dëgjuara prej gjithkah si dhe të koreve e simfonive të krijuara prej tyre. Zemrat, me atë enigmën e botëve të larta që është burimi i gjithçkaje, na ranë në dalldi...

Duke u kredhur në soditjen e së përtejshmes nga ato dritaret veç e veç të hapura për syrin e zemrës e të besimit, guxuam të vëzhgonim formën origjinale si pemë të bërthamës së Tuba-s së zemrave tona. Dhe u nisëm drejt një udhëtimi shumë të gjatë, shumë të vështirë, por dhe shumë kënaqësindjellës për përtej, drejt një udhëtimi që zgjatet e shkon përtej e më përtej. Dhe, duke e bërë këtë, duke e bërë Deklaratën Tënde prijës për shpirtin tonë, u derdhëm rrugëve të bërë me flatra nën rrezet ndriçuese të emrave dhe atributeve të Tua, të bërë me flatra me të vërteta dritash që shkojnë rrugë më rrugë drejt pafundësisë.

Dhe nëse në një udhëtim të tillë madhështor të përshkruar dhe legalizuar në Fjalën Tënde, me hartën të vizatuar me hollësitë më të imta, në një udhëtim për të cilin, pas hapjes, më në fund, të të gjitha dyerve me miraxhin e një të Lumturi, lindi mundësia për t’u ngjitur në ato botëra në një udhëtim të madh, e kapërcyem masën dhe prekëm në tokmakun e dyerve enigmatike të dyerve të Tua, po ia lëmë fajin paturpësisë së shpirtrave tanë të pagdhendur që s’dinë se ç’është edukata dhe politesa, strehohemi në mirëkuptimin Tënd dhe të lutemi të na falësh!

O Krijues i Lartë, i Bukuri i të bukurve që na ke dhënë ekzistencë e që i ke bërë ndjesitë tona të shijojnë kënaqësinë e pafundme të ekzistencës! Ti je që na e ke shtruar para si një libër këtë gjithësi të stërmadhe dhe prapë Ti je që na i ke bërë ndërgjegjet ta ndjejnë enigmën e saj dhe që ndërgjegjet tona i ke bërë një breg për dallgët e enigmës hyjnore! Ne nuk do të ishim po të mos na kishe bërë Ti të ekzistojmë. Po të mos na e kishe hapur këtë gjithësi të shkëlqyer para si një libër e të na e tregoje dhe shpjegoje me anë të protokollarëve dhe ciceronëve të Tu të lartë (profetëve dhe të dërguarve), do të shembeshim e shkonim si një tufë të paditurish që s’të njihnin, që nuk kishin mundur të arrinin dot thellësitë e ndjesive. Dhe si do t’i njihnim këto dhe Ty dhe si do të jepeshim me mahnitje pas rrugës Tënde nëse nuk do të kishe mirësinë të na e përshkruaje Veten, nëse nuk do të shtresoje në shpirtin tonë atë miratuesin e parë që kap e mbërthen gjërat që dimë e nuk dimë për Individualitetin e Lartë duke siguruar lidhjen mes botëve të jashtme dhe ndërgjegjeve tona e u jep atyre gjërave formë e orientim, që e bën diturinë dituri e intuitën intuitë?

Ne jemi robtë me kular në qafë të portës Tënde, kurse përshndritjet që reflektohen pa prá ndërgjegjeve tona, janë drita e ekzistencës Tënde. Ç’të kemi ne në dorë, është e dhëna Jote, dhurata Jote. Edhe një herë tjetër po e shpallim këtë; me pohimin se jemi robtë që s’pranojnë çlirim të portës Tënde, po duam të përsërisim besimin tonë!

O mbreti i zemrave, përmendja e të cilit u jep besim e siguri shpirtrave që mendojnë! Për t’ua çuar gjërat që ua mësove dhe përçove shpirtrave tanë, atyre me zemrat të vdekura e endacake sikurse zemrat tona, u përpoqëm të hulumtojmë dhe përcaktojmë dritaret që shohin gjërat që ndodhin dhe nga kjo ecuri e përgjithshme për kah ekzistenca Jote duke u futur vende-vende në vorbullën e materies dhe dukurive e duke u kthyer kohë më kohë edhe në vetvete, rrugët që do të na ngjisnin për në pranimin Tënd!

Duke i bërë këto, në paçim bërë gabim, kemi bërë duke ardhur tek Ti dhe duke u përpjekur për t’u bërë udhë të tjerëve. Në paçim bërë faj, në udhën Tënde kemi bërë. Gabimi mbetet gabim e faji faj gjithmonë. Me zemrat të dridhura, me shpirtrat përthyer më dysh, me kularë në qafat jemi duke pritur me tërë qenien tonë vendimin që do të japësh për ne. Dhe, duke e thënë këtë, e dimë se mëshira Jote që zgjatet e shkon gjer në pafundësi, gjithmonë është ndodhur para ndëshkimit Tënd. Është jashtë çdo diskutimi se rojave të portës Tënde që i kanë njohur favoret e Tua, nuk u ka hije faji, vetëm të lutemi, ki mirësinë të na lejosh të themi se falja Ty të ka hije shumë!

Po, Zoti ynë i Madhëruar: Mbretit i ka hije mbretëria dhe lypësit lypësia!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2022 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.