Përulësia, frika dhe butësia e zemrës

Përulësia, frika dhe butësia e zemrës

Pyetje: “A nuk erdhi ende koha që ata që i besojnë Allahut (xhel’le xhelaluhu) ta kujtojnë Atë dhe t’u zbuten zemrat në respekt për të vërtetën që zbriti prej Tij?” [131] Nga këndvështrimi i kuptimit të këtij ajeti të shenjtë, a mund të flitet për një pikë të shkrirjes që ekziston në çdo zemër? Cilat janë mjetet që nxisin ndjenjën e përulësisë në zemër?

Përgjigje: Sipas transmetimit të Ibn Mesudit të nderuar (r.a.), ky ajet është zbritur në Mekë. [132] Siç e dini, ky sahab i madh ka qenë ndër besimtarët e parë dhe që prej viteve të para të Islamit është gjendur pranë Krenarisë së Tablosë Njerëzore. Nga kjo pikëpamje, edhe ai, si Enes ibn Maliku (r.a.), i njihte shumë mirë hollësitë mbi Zotërinë tonë, Profetin. Njëkohësisht, ai ishte një sahab që sillej me kujdes shumë të madh në transmetimin e haditheve. Për shembull, kur pyetej për një hadith, ai, me një kujdes e përgjegjshmëri shumë të madhe, i mbështetej Allahut duke thënë: “La haule ue la kuuete il'la bil'lah.” Dhe pas kësaj, me një ndjeshmëri e përkujdesje të plotë, e transmetonte hadithin e kërkuar. Ashtu që prej Zotërisë sonë, Profetit (s.a.s.), të mos transmetonte asnjë fjalë të paqenë. Sepse sipas mendimit të Ibn Mesudit (r.a.), në përmendjen e një hadithi të Zotërisë sonë, ndryshimi i të shprehurit të qoftë edhe një fjale të vetme mund ta rrënojë jetën e përtejme të njeriut. Për shkak të kësaj ndjeshmërie, në shkencën e hadithit, Ibn Mesudi (r.a.) ka një vend krejt të veçantë, gëzon një vlerësim e respekt krejt të veçantë.

E pra, Ibn Mesudi (r.a.) na bën të ditur se ky ajet u zbrit në Mekën e Përnderuar, kur kishte kaluar veçse fare pak kohë prej fillimit të zbulesës hyjnore dhe jam i mendimit se për të kuptuarit e kësaj teme në përmasat dhe në thellësinë e vet të vërtetë, kjo hollësi mbart rëndësi të veçantë. Pra, kur kishte kaluar veç pak kohë prej fillimit të zbulesës, vërejmë se Kurani i Shenjtë i paralajmëron dëgjuesit e tij me fjalët: “A nuk ka ardhur koha që kur të përmendet Allahu, zemrat e besimtarëve të drithërohen në frikë, të përkulen në respekt; që përkundruall ajeteve të lexuara kraharorët të pushtohen prej drithërimës e ndjeshmërisë?” [133] Ndërkohë që qiellorja e çështjes ende ndihej në zemra. Zëri i përtej qiejve kishte zbritur mbi gjethe porsi një bulë e pikël vese. Por ja që madje edhe në një kohë të tillë, Allahu (xh.sh.) i thërriste sahabët që të thelloheshin më shumë në një horizont të ndjenjës, të emocionit e të ndjeshmërisë. Sepse kur çështjet i shihni me një vështrim të mpirë, nëse i trajtoni ato brenda rutinës dhe të zakonshmes, ahere ato çështje nuk arrijnë ta nxjerrin në pah atë emocion që duhet të mbartin shpirtrat tuaj. Pra, këtu ka një paralajmërim kundrejt lënies pas dore. Madje duke qenë se fjala i përket Hyjnisë, mund të thuhet se këtu përfshihet, madje, edhe një qortim. Natyrisht që ne nuk mund të hyjmë në të tilla mendime për zotërinjtë tanë, sahabët e nderuar, por Allahu (xh.xh.) mund t’ua thotë këtë edhe robërve të tij të lartë, edhe sahabëve fisnikë, edhe zotërinjve tanë, profetëve të mëdhenj, sepse Ai është Krijuesi i gjithçkaje. Nga ky këndvështrim, nuk duhet të përbëjë ndonjë shqetësim nëse pohojmë që në këtë ajet gjenden një qortim e një kritikë.

Zoti i Madhëruar, në vazhdimin e ajetit të shenjtë, urdhëron e thotë kështu: “Të mos bëhen si ata që iu dha Libri më herët. Mbi ta kaloi një kohë e gjatë, por zemrat e tyre veç u ngurtësuan.” [134] Pra, ata që iu dha libri para jush u mposhtën prej rutinës e prej të zakonshmes dhe megjithëse mirësia qiellore iu zbraz mbi krye, ata ranë në një gjendje që nuk ndienin më kurrfarë emocioni; dhe ndodhi që: “Shumica e tyre doli udhe e u bënë të ligj.” [135]

Risia në nisje dhe përpjekja për ripërtëritje në rrugë e sipër

Tani, po deshët, le të ndalemi pak në disa prej arsyeve të hidhërisë së zemrës, të rënies në të zakonshmen e në rutinën e përditshme që shfaqet. Thuajse gjithçka e re zgjon në një mënyrë apo një tjetër emocion te njeriu. Madje edhe te njerëz si ne, me zemër të ngurtë, te njerëzit e mbyllur kundrejt Zotit të Vërtetë, fillimisht kraharorët mund t’i mbështjellë një valë dashurie dhe emocioni që prodhon e reja. Ju pata folur më herët për një ndjesi timen. Kur pashë për herë të parë një personalitet që vinte prej pranisë së Bediuzaman Said Nursiut, tek unë ndikuan shumë pastërtia, kthjelltësia dhe përzemërsia e tij. Im atë, kur unë isha i vogël, fliste gjithmonë për sahabët. Kur unë e pashë atë njeri, thashë me vete: “Edhe në këtë shekull qenka e mundur që të ketë personalitete si sahabët!” E pra, një tablo e bukur që e shihni për herë të parë, ju shkakton një drithërimë të tillë. Kraharori çelet thuajse me krejt brendinë e vet dhe përpiqet ta vlerësojë atë. Por nuk duhet harruar se nëse një mirësi që i është dhuruar njeriut, ai nuk e pasuron me thellësi të reja, nuk e zgjeron, nuk shton ndonjë shënim anës saj, nuk e prek aty këtu formatin e saj, ose së paku nuk përpiqet të bëjë ndryshime në sqarimin e asaj çështjeje, atëherë pa e vënë re fare mund të bjerë në grackën e rutinës e të së përditshmes. Ashtu që, nëse u prin njerëzve në namaz e u lexon Kuran diku, prej namazit që fal dhe prej Kuranit që lexon nuk ndien asnjë emocion e drithërimë. Zemra e tij kthehet në një shkëmb të zhveshur, mbi të cilin nuk mund të dallosh asnjë shenjë jete. [136]

Po, është e vërtetë se fillimisht, në një mënyrë a një tjetër, lind një drithërimë, nderim e respekt që sjellin e reja dhe origjinaliteti. Por me kalimin e kohës, njeriu që nuk gjendet vazhdimisht në një përpjekje ripërtëritëse, që nuk jeton vazhdimisht në një stil të risimit përmes lutjeve e përkujtimit të Zotit, përmes adhurimit hyjnor të ushtruar në thellësitë e netëve, përmes vetëkorrigjimit, vetëkontrollit e meditimit; dhe duke qenë se nuk i përjeton këto, nuk kufizohet në ndjenjat e egos së vet, atëherë ai njeri herët a vonë e humbet fillin e vijimësisë. Ndaj edhe një individ i tillë nuk ka mundësi që ta ruajë pikën e vet të vesës. Dhe rruga për të mos rënë pre e një ngurtësimi të tillë të zemrës, kalon nga rivlerësimi i vazhdueshëm i çështjeve në këndvështrime të reja dhe nga thellimi në to. Pa shihni! Që nga shekujt e parë të zbritjes së Kuranit Fisnik e gjer në kohën tonë, sa shumë komente janë shkruar dhe sa shumë orvatje e përpjekje mendore janë bërë vetëm për trajtimin e kësaj çështjeje! Për shembull, pavarësisht se zotërinjtë tanë sahabë kanë përgatitur sa e sa tefsire mbi kuptimet e Kuranit, zotërinjtë tanë tabiinë nuk janë mjaftuar me to dhe kanë shkruar tefsire të reja.

Megjithëse personalitete si Ibn Xheriri, Zemahsheriu, Fahrud'din Raziu, Ebu Hajjani, Bejzaviu, të ardhur në periudhat e mëpasme, shkruan në kohën e tyre aq e aq tefsire, gjithsecili prej tyre nuk i gjykonte si të mjaftueshme ato që ishin shkruar para tyre, por çdonjëri shtonte shënime të reja, çdonjëri gjendej në përpjekje për të sqaruar diçka edhe më tej. Deri në ditët tona, sa e sa personalitete të mëdhenj e monumentalë ndër shekuj, duke sjellë me vete disi edhe interpretimin e kohës së tyre, nisur nga horizontet e veta, janë përpjekur të rigjejnë, ta kuptojnë e ta shpjegojnë Kuranin sërish e sërish. Për shembull, Bejzaviu, për të paraqitur interpretimet e veta, shkroi një vepër tefsiri me dy vëllime. Mirëpo historianët e dijes – qofshin në stil të shtjellimit (sherh), të shënimeve sqaruese (pashije) apo të komentit (talik) – janë shprehur se punimet e bëra mbi këtë tefsir janë më shumë se 250.

E pra, secili ka mundësi që në çdo kohë të thotë diçka të re për Kuranin. Madje edhe fjalët e një njeriu si Said Nursiu, fjala e të cilit zë vend në çast e milimetër për milimetër, duhen shprehur e sqaruar duke marrë nga pas atmosferën dhe interpretimin e kohës. Në të kundërt, nëse i merrni veprat e tij, bëni çdo mëngjes mësim siç pranohet për zakon, ose nëse shkoni mbrëmjeve diku dhe atje lexoni sipërfaqësisht ndonjë pjesë prej atyre veprave dhe nëse mendoni se kësisoj e keni kryer detyrën tuaj, atëherë nuk do ta kuptoni dot atë në thellësinë dhe në pasurinë e tij të vërtetë. Atëherë ajo që duhet bërë është që të biem në një mende që, përmes përqasjesh e analizash krejt të reja, duke mbërritur në interpretime të ndryshme prej tekstit të lexuar, duke u ndalur në konstatime të reja, të bëjmë të rrjedhin gurra të reja të dijes prej zemrës e ndërgjegjes sonë. Sikurse mësuesi i nderuar tërheq vëmendjen në “Ajetu’l-Kubra”, për nga bota e zemrës sonë, duhet të jemi kurdoherë njerëz të parimit dhe gjithmonë duhet të mund të themi: “A nuk ka edhe më?” [137] Ashtu që një njeri, edhe në u përballtë një ditë ballas me Qenien Hyjnore, sërish duhet të mbartë mendësinë, pra, të mund të thotë: “O Allahu im, a s’ka edhe më tej? Gjendja që po përjetoj tani është siç i shkon për shtat zemrës sime. Të lutem e të përgjërohem, o Allahu im, hapma atë horizont të dijes që të mësoj siç e meriton Ti, Qenia Jote Hyjnore!”

Amaneti u dorëzohet zemrave të fisme e të gjalla

Meqë erdhëm në këtë pikë, dëshiroj të kujtoj një çështje: mund të hapni shkolla në dyqind e më tepër vende të botës. Në ato dyqind e më tepër vende, institucionet që do të hapni mund të arrijnë gjendjen që të bien në sy të gjithkujt e të tregohen me gisht për mirë prej çdokujt. Në vendet ku gjendeni, njerëzit mund të tregohen dashamirës dhe mund të dëshirojnë të ngjyrosen me ngjyrat dhe dizajnin e ndjenjave dhe mendimeve tuaja. Kudo, njerëzit mund t’ju shohin me dashuri e vlerësim. Por nëse nuk i drejtoheni Allahut me imanin e një Ebu Bekri (r.a.), të një Ibn Mesudi (r.a.), të gjitha këto punë që keni kryer nuk do të kenë kurrfarë vlere e kurrfarë domethënieje tek Allahu.

Allahu na ka dhuruar sa e sa mirësi. E rëndësishmja është që në përshtatje me të tilla mirësi, të forcohet marrëdhënia jonë me Allahun. Nëse ju nuk i drejtoheni me shumë seriozitet Allahut me mirënjohje e përgjërime si: “O Allahu im, m’i dhurove mua këto mirësi, ndërkohë që gjendja ime mëkatare dhe e errët i shkonte më fort për shtat kufrit. Po Ti nuk bëre kështu. Nuk më le në mohim. Nuk ma ngurtësove zemrën. Nuk më hodhe në rrugë pa krye. Nuk më bëre prej atyre që fituan zemëratën Tënde. Urdhërove për mua udhëzimin e më caktove këtu. O Allahu im, përkundrejt të gjitha të mirave që i njoh e s’i njoh, që i kam vënë re e s’i kam vënë re, që Ty të qofshin lëvdime e falënderime pa fund e pa anë!”; nëse nuk e përforconi në vazhdimësi marrëdhënien tuaj me Allahun, nëse nuk mbeteni të lidhur pas mendimit që Imami i Allvarit e shpreh me fjalët: “Me meritë nuk i kam këto unë i varfëri, / Ky hir e kjo mirësi vallë pse më erdhi?”, atëherë duhet që të gjitha punët që bëni, t’i rishikoni edhe një herë për të marrë vesh nëse i kryeni apo jo me pikësynim të vetëm të arritjes së kënaqësisë së Allahut.

Allahu (xh.xh.) i jep vlerë të resë dhe të mirës. Ashtu siç i zbret nga qielli çështjet e lidhura me Fenë e Tij, po ashtu mundëson që ato të dëgjohen, të ndihen e të vlerësohen gjitmonë të reja e plot freski. Për këtë arsye, mund të themi, se nëse Zoti i Madhëruar dëshiron, edhe në qofshi të dobët, Ai mund t’ua heqë të tjerëve mundësinë e të qenit element i balancës në ekuilibrin mes shteteve dhe t’jua dhurojë atë juve. Asisoj, që porsi një zë i fuqishëm, i dalë prej një koraleje, të mund t’ia bëni të ditura të gjitha ndjenjat dhe mendimet tuaja botës mbarë. Por në mos e përfaqësofshit dot plotësisht këtë mision, ahere Vullneti Hyjnor, i pastër e i lirë prej kryerjes së punëve të pavlera, pse t’jua ngarkojë më kot juve një mision të tillë! Sepse, për arsye të mospërfaqësimit në thelbin e saj të vërtetë, ai mision do të merret sërish prej jush e do t’i ngarkohet tjetërkujt.

Nga ky këndvështrim, kundrejt ngurtësimit të zemrave, duhet të jemi gjithmonë në një tendosje të vazhdueshme. Por në përballje me gjendjen tonë plot shqetësim e trazim të brendshëm, nuk rri dot pa i bërë vetes këto pyetje: “Përse ne, sikur të ishim ftuar në një sofër në të cilën gjenden plot e plot të mira nga më të larmishmet, me një dashuri e dëshirë, me një përflakje të brendshme, nuk ngrihemi të falim namaz nate? Përse nuk e ndiejmë të njëjtën kënaqësi teksa marrim abdes? Përse kur vëmë ballin në tokë, nuk jemi në një marrëdhënie të tillë me Allahun, aq sa të themi: “O Allahu im, sikur kjo sexhde të mos mbaronte kurrë!”?

Nëse në marrëdhënie me Të nuk ushqejmë një dëshirë e ndezulli si ajo e një Shah Gejlani, e një Ebu Hasan Shazeli, e një Ahmed Bedeuiu apo e një Ahmed Rufaiu, nëse nuk e çojmë çështjen përpara duke thënë: “A nuk ka edhe më, o Allahu im?”, ahere punët dhe veprat që kryejmë, edhe në paçin ndonjë vlerë gjer në njëfarë pike, mund të thuhet pa ndonjë dyshim se ato nuk shprehin një vlerë e domethënie në lartësinë e duhur. Prandaj edhe nuk duhet harruar kursesi, që Zoti i Madhëruar amanetin e vet ua lë njerëve të rinj e të mirë, që janë të sigurt në çuarjen e amanetit në vend.

Shkurt, nëse dëshirojmë që në zemrat tona të ndezim ndjenjën e respektit e të frikës, ahere duhet të mësojmë vazhdimisht rreth çështjeve në biseda të hijshme, të përpiqemi t’i kuptojmë çështjet nga ky këndvështrim në mënyrë më të gjerë dhe në këtë mënyrë të forcojmë besimin tonë. Madje edhe kur ulemi të pimë një çaj, duhet ta lidhim e ta sjellim çështjen tek Allahu dhe në çdo rast, në një horizont të ri të dijes, gjithçka duhet ta lidhim e ta përfundojmë me Të. Në të kundërt, fare pa e kuptuar, emocioni bie në lodhje prej rrugës, e humbasim gjallërinë tonë dhe brendia jonë fillon të vdesë e të kalbet. Zoti na ruajtë të gjithëve prej një fundi të tillë!


[131] Hadid, 57/16.

[132] Muslim, Tefsir 24; En-Nesai, Es-Sunenu’l-kubra 6/481; Ebu Ja’la, El-Musned 9/167.

[133] Hadid, 57/16.

[134] Hadid, 57/16.

[135] Hadid, 57/16.

[136] Shih: Buhari, Ilm 20; Muslim, fedail 15.

[137] Shih: Bedizaman, Rrezatimet f. 101 (Rrezatimi i Shtatë, Rrezja e parë).

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.