Besimtar Ideal, Musliman Ideal

Muslimanë janë ata, prej duarve dhe gjuhëve të të cilëve muslimanët e tjerë janë të sigurtë. Emigrantët mekas janë ata që i lanë mënjanë dhe i braktisën gjërat që Zoti i kishte ndaluar.[1]

Le të analizojmë shkurtimisht hadithin e mësipërm. Në origjinalin e hadithit përpara fjalës muslimanë është vënë nyja al që e bën atë të shquar. Argumenti qëndron në faktin që aty flitet për besimtarët idealë të cilët hyjnë në atmosferën e sigurisë dhe besimit, duke mos e zhytur veten në një atmosferë ku ata të mund të dëmtojnë ndokënd me gjuhët dhe duart e tyre. Hadithi u referohet vetëm muslimanëve të vërtetë dhe idealë që lanë gjurmët e tyre në të gjithë mendjet, jo atyre që u shfaqën ose pretenduan të jenë të tillë, dhe as atyre që e kanë të shkruar “muslimanë” në kartën e identitetit apo në pasaportë. Ne e kuptojmë këtë nga varianti që përdoret në Arabi, në të cilin tregohet diçka specifike, e përcaktuar qartë. Kjo rrjedh nga rregullat gramatikore të gjuhës arabe: “Kur diçka është përshkruar me një nyje shquese, forma më e lartë dhe më e përsosur e fjalës ka dalë në dukje.” Prandaj, kur dikush dëgjon “besimtari,” e para gjë që i vjen në mendje është domethënia më perfekte e fjalës “besimtar,” dhe synimi i këtij hadithi.

Përveç kësaj, një person nuk mund ta mësojë vetë një rregull gramatikor kaq të imët, për të është një çështje që i përket arsimit të detyrueshëm. Pra, nuk ishte e mundur për të Dërguarin e Zotit të kishte një arsimim të tillë, ai ishte analfabet ose, më saktë, nuk dinte shkrim e këndim. Kështu, ai nuk ishte duke shprehur mendimet e tij, por ishte mbështetur në ato gjëra që Mësuesi i Amshuar e kishte mësuar të thoshte. Për këtë arsye, shumë rregulla gramatikore të imëta gjenden në shprehjet dhe njoftimet e Profetit pa asnjë gabim në përdorimin e tyre.

Le të kthehemi në hadithin e mësipërm: muslimanët e vërtetë janë njerëzit te të cilët një person mund të ndjejë siguri dhe besim aq shumë sa edhe muslimanët e tjerë mund të kthehen tek ta pa asnjë mëdyshje. Një njeri mund t'u besojë atyre një pjesëtar të familjes pa pasur aspak frikë. Ky person nuk do të lëndohet dhe as do të ndjejë dhimbje nga gjuha dhe duart e muslimanëve. Nëse ndonjëri ka ndjekur me vëmendje një tubim me një musliman të vërtetë, mund të largohet pa dyshuar se ndokush mund ta marrë nëpër gojë ose nuk mund të dëgjojë në mes tyre thashetheme për të tjerët. Muslimanët e tillë janë të ndjeshëm ndaj dinjitetit dhe nderit të njerëzve të tjerë, po aq sa janë për veten e tyre. Ata nuk mendojnë të ushqehen vetë, por të ushqejnë të tjerët. Ata nuk jetojnë për vetveten, por për t'u dhënë mundësi të tjerëve të jetojnë. Edhe kënaqësitë shpirtërore do t'i sakrifikojnë për të tjerët. Unë i përftoj të gjitha këto domethënie nga fakti që nyja shquese në arabisht gjithashtu ka kuptimin hasr, një frenues, një devocion me synim të posaçëm.

Siguria dhe muslimanët

Duke iu referuar etimologjisë, fjala musliman dhe folja selim rrjedhin të dyja nga rrënja silm. Kjo do të thotë që për muslimanët, çdo subjekt gjendet në të njëjtën linjë me silm (garancinë), selim sigurinë dhe Islamin. Muslimanët janë mbërthyer nga një atraksion hyjnor i tillë sa që e gjithë veprimtaria e tyre sillet rreth kësaj qendre të fuqishme.

Ata i përshëndesin të gjithë me selam, paqe, prandaj dashurinë për veten e vënë në zemrën e gjithsecilit. Ata e përfundojnë faljen e tyre me selam. Të gjithë njerëzit, xhindet, engjëjt, të gjitha krijesat e vetëdijshme dëgjojnë selamin, lutjen e tyre për paqe dhe siguri për të tjerët. Prandaj ata kanë shkëmbyer përshëndetje gjithashtu edhe me krijesat e padukshme. Deri më tani, asnjë popull tjetër nuk e ka shtrirë përshëndetjen në një hapësirë kaq të gjerë sa muslimanët. Islami bazohet në kryerjen e detyrimeve kryesore që janë agjërimi, dhënia e zeqatit, kryerja e haxhit, dhe ushtrimi i besimit. Kjo do të thotë që ata vendosin të lundrojnë në detin e sigurisë dhe garancisë duke iu bindur urdhërit: Hyni të sigurt e me gjithë zemër (në Islam)! (el-Bakara, 2:208). Ata u hodhën në detin nga buron siguria dhe Islami, pavarësisht nga kushtet. Askush nuk mund të dallojë gjë tjetër veç mirësisë në veprimet dhe qëndrimet e njerëzve të tillë.

Përse gjuha dhe dora?

Si në të gjitha thëniet e Profetit tonë, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, çdo fjalë në hadith është zgjedhur me shumë kujdes. Përse ai ka zgjedhur gjuhën dhe dorën për të folur rreth tyre? Sigurisht një arsyetim tejet i hollë e ka përcaktuar këtë zgjedhje. Një person mund të dëmtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë. Duart përfaqësojnë aspektin fizik (të drejtpërdrejtë) dhe gjuha, aspektin shpirtëror (të tërthortë). Njerëzit i sulmojnë të tjerët drejtpërsëdrejti, fizikisht, ose tërthorazi, përmes thashethemeve dhe vënies në lojë. Muslimanët e vërtetë kurrë nuk përfshihen në veprimtari të tilla, sepse është pranuar që ata gjithmonë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, veprojnë me drejtësi dhe zemërgjerësi.

Profeti e përmend gjuhën përpara duarve sepse në Islam një person mund të hakmerret për atë që ka pësuar me duar, ndonëse nuk është gjithmonë e njëjta situatë kur dëmi është shkaktuar me anë të thashethemeve dhe shpifjeve. Në këtë mënyrë, veprime të tilla mund të shkaktojnë lehtësisht konflikte mes individëve, komuniteteve, madje dhe kombeve. Qëndrimi që duhet të mbahet ndaj kësaj mënyre për të dëmtuar të tjerët është më i vështirë në krahasim me dëmin që mund të shkaktohet me duar dhe është kjo arsyeja që Profeti përmend gjuhën përpara duarve. Nga kjo pikëpamje, vlerat e muslimanëve para Zotit janë treguar sheshit. Të jesh musliman ka një vlerë të tillë të madhe para Zotit, sa që muslimanët e tjerë duhet të kenë nën kontroll duart dhe gjuhët e tyre në çdo veprim ndaj tyre.

Një tjetër dimension moral i rëndësishëm i Islamit është që muslimanët duhet të mbajnë brenda tyre gjërat që do të dëmtonin të tjerët, qofshin fizike apo shpirtërore, dhe të bëjnë të pamundurën që të mos u bëjnë keq atyre. Le të mos bëjmë të këqija, sepse çdo segment i shoqërisë islame duhet të shfaqë siguri dhe garanci. Muslimanët mund të jenë realisht të tillë nëse brenda tyre ekziston ndjenja e sigurisë dhe gjithashtu zemrat u janë mbushur me besim. Kudo ku ata jetojnë ose kudo ku mund të gjenden, është shfaqur kjo ndjenjë që rrjedh nga el-selam. Ata urojnë për siguri në largim, zbukurojnë faljen e tyre me përshëndetje dhe u dërgojnë besimtarëve të tjerë selame, lutje dhe urim për paqe për ta kur e përfundojnë namazin. Sipas të gjitha gjasave, është e pakonceptueshme që njerëzit që e kanë drejtuar tërë jetën e tyre në një orbitë të tillë për selam, mund t'i hyjnë një rruge që është në kundërshtim me parimet themelore të garancisë, besimit, drejtësisë, sigurisë së kësaj bote dhe botës tjetër, dhe kështu të dëmtojnë vetveten apo të tjerët.

Mund të jetë shumë e dobishme nëse shqyrtojmë thelbin e kësaj thënieje: Muslimanët e vërtetë janë përfaqësuesit më të besueshëm të paqes universale. Ata shtegtojnë ngado me këtë ndjenjë sublime, ushqyer thellë në shpirtin e tyre. Duke mos provuar asnjëherë të shkaktojnë vuajtje dhe mjerim për të tjerët, ata janë kujtuar kudo si simbole të garancisë dhe sigurisë. Në sytë e tyre nuk gjendet asnjë ndryshim mes dhunimit fizik (të drejtpërdrejtë) apo dhunimit shpirtëror (të tërthortë) të të drejtave të një personi tjetër. Në të vërtetë, në disa çështje gjyqësore që janë zhvilluar së fundi, dhunimi shpirtëror është trajtuar si një krim edhe më i rëndë se në të kaluarën.


[1] Buhari, Iman, 4.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.