Dialogu nuk është një luks për paqen botërore, por një domosdoshmëri
Një nga institucionet arsimore më të njohura të Kanadasë, universiteti Carleton dhe Instituti i Dialogut Ndërkulturor analizuan lëvizjen Gylen. Në kryeqytetin Otava, u diskutuan të vërteta të dukshme në simpoziumin e titulluar: “Për një botë më të mirë: Ndikimi i lëvizjes Gylen”.
Prof. Dr. Darrol Bryant nga universiteti Waterloo analizoi faktin që për shkak të mosmarrëveshjeve, kanë vdekur dhe janë masakruar 15 milion njerëz gjatë Luftës së Pare Botërore dhe 50 milion gjatë Luftës së Dytë. Bryant theksoi se lëvizja Gylen ka globalizuar përpjekjet për një dialog të bazuar në të drejtat e përbashkëta njerëzore. Profesori i universitetit Saint Paul Peter Barnes tregoi se fjala e Gylenit “diversiteti është motori i jetës” i ka ndryshuar vizionin për jetën dhe në fund theksoi se nuk frikësohej më nga dialogu. Pedagogu i Universitetit St. Edwards Prof. Dr. James Puglisi duke pare ngjashmërinë mes institucioneve arsimore të Gylenit dhe shkollave të themeluara nga prifti Basil Moreau pas revolucionit francez, tha se Gyleni, pa kaluar në ekstrem, i ka paraprirë një lëvizjeje sociale brenda kornizës së rregullave universale. Pasi nënvizoi faktin se lëvizja Gylen nuk mbështetet tek shteti dhe qëndron larg politikës Puglisi tha se “dialogu i vlerësuar nga Gyleni nuk është luks, por një domosdoshmëri”.
Në simpozium morën pjesë folës nga universitetet Carleton, Toronto, Waterloo, Wilfrid Laurier, Saint Paul, Renison, Ottawa dhe McGill të Kanadasë dhe universitetet Teksas dhe St. Edwards të SHBA. Në seancat e përbëra nga katër pjesë u diskutua ndikimi i lëvizjes arsimore Gylen në fushën e paqes dhe dialogut. Pedagogu i universitetit të Teksasit Prof. Dr. Yetkin Yildirim theksoi se veçoria më e rëndësishme e lëvizjes e cila e dallon nga të tjerat është aspekti i aksionit. Pedagogu i fakultetit teologjik në universitetin e Teksasit, Prof. Whitney Bodman tha se Gyleni i fton të gjithë në klimën e ndriçuar të Kuranit. Bodman u shpreh se “Kurani i drejtohet të gjithë njerëzve. Ka shumë libra dhe tekste të shenjta, por asnjëri nuk pasqyron vizionin e Kuranit. Kurani flet me dritën e kulluar të Ibrahimit. Çdo njeri ka të drejtën të besojë Allahun. Nuk ka asnjë ndryshim mes nesh, të gjithë jemi robër të lyer me bojën e Zotit.
Avokatja Marla Bryant nënvizoi se Gyleni, ashtu si Mevlana, me fjalët “në vend që të reformoni botën, ndryshoni veten tuaj” i shërben kulturës së përbashkët të bazuar në tolerancë, dashuri dhe paqe.
Kumtesa e cila fitoi interesin më të madh ishte kumtesa e McCormick nga universiteti i Teksasit i cili përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes “A mund të bëhet Fethullah Gylen mik i feminizmit perëndimor”? Duke marrë parasysh faktin se Gyleni ka përdorur vlerat morale si respektin, dashurinë për të arritur drejtësinë, ai mbrojti tezën se Gylen mund të pranohet si një mik i feminizmit, por në një specifikë të tijën.
Ndërkohë që profesori i teologjisë i universiteti të Torontos, Prof. Dr. Tom Reynolds, foli për ndikimin e lëvizjes Gylen në fenomenin e globalizimit, Prof. Dr. Brice Balmer theksoi se pozicioni jopolitik dhe bashkues i palëve të ndryshme i Gylenit mund të jetë një mundësi për të zgjidhur metodën e ftohtë dhe shtypëse të laicizmit ndaj fesë.
- Publikuar më .