• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • Çmimi “Gandi” për paqen për vitin 2015 i jepet dijetarit mysliman Fethullah Gylen

Çmimi “Gandi” për paqen për vitin 2015 i jepet dijetarit mysliman Fethullah Gylen

Çmimi “Gandi” për paqen për vitin 2015 i jepet dijetarit mysliman Fethullah Gylen

Një ndër çmimet më prestigjioze në botë për paqen, “Çmimi i Arkitektëve të Paqes Gandi, King, Ikeda” për vitin 2015 i është dhënë dijetarit dhe mendimtarit mysliman Fethullah Gylen. Ceremonia tradicionale e dhëniës së çmimit të paqes, ku morën pjesë qindra akademikë, aktivistë dhe të ftuar të shquar, u zhvillua në Qendrën “Martin Luther King” të Universitetit të Morehouse-it. Ky çmim u është dhënë më parë disa personaliteteve të shquara si Mihail Gorbaçov, Nelson Mandela dhe Desmond Tutu. Ndërkohë, që është hera e parë që ky çmim i jepet një dijetari mysliman.

Duke folur në ceremoninë e dhënies së çmimit në shtetin e Atlantas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dekani i Qendrës Martin Luther King, Prof. Lawrence E. Carter, tha se është hera e parë që çmimi i Arkitektëve të Paqes “Gandi, King, Ikeda” i jepet një mendimtari dhe kleriku mysliman. “Kemi nderin që sot, këtë çmim t’ia japim një personaliteti të nderuar, i cili ia ka kushtuar jetën e tij përhapjes së mësimeve tradicionale të Islamit në mbarë botën dhe që përmes qëndrimit të tij të publikuar në gazetën Washington Post, duke dënuar sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi Qendrën Botërore të Tregtisë, ka dhënë një kontribut të çmuar për paqen globale”, u shpreh Prof. Lawrence E. Varter.

Kemi nderin t’i dorëzojmë sot këtë çmim sepse…

Prof. Carter në fjalën e tij tha se “Kemi nderin t’i dorëzojmë sot këtë çmim; sepse ka ngritur zërin kundër sulmeve vetëvrasëse me bombë dhe është shprehur se nuk mund të bëhet xhihad duke vrarë njerëz të pafajshëm… Kemi nderin t’Ju dorëzojmë këtë çmim; sepse vazhdimisht jeni shprehur se vlerat dhe parimet morale njerëzore janë vlerat e përbashkëta të të gjitha qenieve njerëzore… Kemi nderin t’Ju dorëzojmë këtë çmim; sepse në predikimet e Tuaja i keni prezantuar njerëzimit se pikërisht se dallimet e natyrshme mes njerëzve, janë vlerat kryesore që i bashkojnë ata shpirtërisht dhe jo duke mbjellë përçarjen dhe diskriminimin e bazuar mbi dallimet racore, përkatësinë etnike, gjinore apo përkatësitë e ndryshme të popujve. Kemi nderin t’Ju dorëzojmë këtë çmim; sepse bazuar në besimin dhe këndvështrimin personal tuajin, i gjithë aktiviteti juaj në mbarë botën është bazuar mbi principet e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet të ndryshmeve… Kemi nderin t’Ju dorëzojmë sot këtë çmim; sepse predikimi juaj është bazuar mbi devizën, se edukimi më i mirë që mund t’u ofrohet njerëzve nuk është vetëm dija, por bashkëjetesa në paqe e harmoni ndërmjet të gjitha krijesave. Keni shfaqur urtësinë që vazhdimisht të ripërtërini përpjekjet Tuaja të vazhdueshme për t’i ofruar njerëzimit një rrugë ku besimi Islam bashkohet me vlerat sociale. Personalisht shpreh kënaqësinë të konstatoj ekzistencën e një lidhjeje mes Jush dhe vlerave të Gandhi, King (Martin Luther King). Ju përcjell përgëzimet e mia më të sinqerta.”

Fethullah Gylen: Çmimin e pranoj jo si vlerësim ndaj meje, por si vlerësim ndaj atyre që i kanë dedikuar jetën kësaj lëvizjeje

Pas fjalimit të Dekanit të Qendrës Martin Luther King, Prof. Lawrence E. Carter, çmimin, në emër të dijetarit Fethullah Gylen e mori Dr. Alp Y. Aslandoğan. Pas marrjes së çmimit, Dr. Alp Y. Aslandoğan u lexoi të pranishmëve mesazhin e dijetarit mysliman Fethullah Gylen.

“Shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për drejtuesit e Qendrës Martin Luther King të Universitetit të Morehouse-it për konsideratën e tyre duke më vlerësuar si fituesi i Çmimit të Arkitektëve të Paqes “Gandi, King, Ikeda” për paqen për vitin 2015.

Këtë çmim e pranoj në emër të të gjithë pjesëtarëve të “Lëvizjes për Shërbim”, të cilët i kanë dedikuar jetën e tyre shërbimit ndaj njerëzimit, pa pritur asgjë në këmbim të kësaj sakrifice. Janë mësuesit, të cilët shërbejnë mijëra kilometra larg shtëpive të tyre, në afërsi të poleve të Veriut dhe të Jugut, në temperatura ekstremisht të ulëta nën zero; ata të cilët vazhduan të mbajnë të hapura dhe të ofrojnë mësim në shkollat në Irakun e Veriut, pavarësisht kërcënimit të pushtimit nga ISIS; ata në Nigeri dhe në Afganistan, të cilët ofrojnë mundësi për edukimin e vajzave; mjekëve, infermierëve dhe individëve të angazhuar në misionet humanitare në Somali dhe Sudan në kushte të tmerrshme; sipërmarrësve të cilët konkurojnë me donacione për qëllime bamirësie pavarësisht problemeve ekonomike me të cilat përballen. Ata të devotshëm të dashurisë nga vende të ndryshme të botës, me përkatësi të ndryshme fetare dhe prejardhje të ndryshme etnike, janë ata njerëzit, puna dhe sakrifica e të cilëve meriton këtë çmim.

Janë pikërisht ata, të cilët lumturinë e tyre e kërkojnë tek lumturia e të tjerëve. Ajo çfarë i bashkon ata dhe pionierët e të drejtave të njeriut në Azi, në Afrikë, në Shtetet e Bashkuara, të tilla si Dr. Martin Luther King Jr., dhe të tjerë në të gjithë botën, është angazhimi i tyre për njerëzimin. Të mbajturit të çdo njeriu me dinjitet dhe të qënitur të përkushtuar ndaj dinjitetit të çdo njeriu është një shenjë respekti për Krijuesin e tyre.

Gjithmonë i jam lutur Zotit që Ai të më përfshijë në mesin e këtyre individëve të bekuar, por asnjëherë nuk e kam konsideruar veten si udhëheqës i ndonjërit prej tyre. Jeni treguar të mirësjellshëm duke njohur dhe vlerësuar përpjekjet dhe sakrificën e tyre dhe personalisht këtë çmim e pranoj thjesht në emër të tyre dhe jo në emrin tim personal.

Gjendja ime shëndetësore nuk më lejon të bashkohen me Ju në këtë rast kuptimplotë. Por, për shpirtrat e bashkuar rreth vlerave të larta njerëzore, afërsia fizike asnjëherë nuk është e nevojshme për një bashkëbisedim. Ju jam mirënjohës që më përfshitë në mesin e atyre, puna e të cilëve është e njohur përmes këtij çmimi. Falenderoj komitetin organizator për konsideratat e Tyre”.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.