Avokati i Gylen përgënjeshtron pretendimet për një ekstradim të mundshëm të klientit të tij
Nurullah Allbajrak, avokat i mendimtarit dhe teologut islam turk Fethullah Gylen, është shprehur se në emër të klientit të tij nuk ka as edhe një hetim kriminal, proces gjyqësor të pezulluar, apo ndofarë procesi tjetër ligjor në Turqi, duke i përgënjeshtruar kësodore të gjitha pretendimet e hedhura prej Kryeministrit turk, Rexhep Tajip Erdogan, në lidhje me një ekstradim të mundshëm prej Shteteve të Bashkuara të klientit të tij, ku ai është edhe duke jetuar aktualisht.
"Me sa di unë, në emër të klientit tim nuk ka as edhe një proces hetimor apo urdhër arresti," - u shpreh Allbajrak për gazetën Today's Zaman, duke e vënë në pyetje bazën ligjore me të cilën qeveria është duke kërkuar ekstradimin e Gylen prej Shteteve të Bashkuara.
Ai nënvizoi gjithashtu, se edhe në rast të një urdhër-arresti të mundshëm, kjo i takon gjykatës për të proceduar, e kësisoj mund të bëhet edhe publike.
Shpjegimi i Allbajrak erdhi si një përgjigje ndaj pohimeve të kryeministrit Erdogan gjatë një interviste të dhënë për kanalin televiziv publik të Amerikës, PBS, për Charlie Rose të hënën në mbrëmje, ku ai shprehej se Shtetet e Bashkuara duhet ta ekstradonin z. Gylen.
Kur Rose e pyeti kryeministrin turk, nëse mendonte se Shtetet e Bashkuara do t'i përgjigjej kërkesës së Turqisë për ekstradim, Erdogan u shpreh, se të paktën e shpresonte diçka të këtillë. Mandej shtoi, se të paktën Shtetet e Bashkuara duhet ta dëbonin atë.
Erdogan gjithashtu bëri të ditur se mendimtari turk kishte një të drejtë ligjore qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, e cila quhet ndryshe "green card", që i jep Gylenit të gjitha të drejtat ligjore të Shteteve të Bashkuara. Kryeministri vërejti në të njëjtën kohë, se qeveria e tij ia kishte anuluar pasaportën z. Gylen, mirëpo nuk përmendi këtu, as llojin e pasaportës së anuluar, si edhe as arsyen e këtij anulimi.
Në muajin mars, prefektura e provincës lindore të Erzurumit i anuloi z. Gylen pasaportën e gjelbër me ndajshkrimin se kishte disa parregullsi në mënyrën se si ishte përftuar.
Kjo pasaportë e gjelbër, që përdoret në Turqi, është një lloj i veçantë pasaporte, e cila i bën të mundur zotëruesit të saj që të mund të udhëtojë jashtë kushtëzimit të vizave nëpër disa vende të caktuara të botës.
Mendimtari Gylen, i cili pati dalë në pension prej Drejtorisë së Çështjeve Fetare (DIB në Turqi) si një zyrtar i këtij institucioni, por edhe si predikues, në vitin 1981, pati aplikuar si shumë të tjerë për këtë pasaportë të gjelbër, të drejtën e të cilës e pati marrë në vitin 1991.
Avokati i Gylen u shpreh se vendimi për të anuluar pasaportën e klientit të tij ishte një veprim i motivuar politikisht, pa as më të voglën bazë ligjore. Ai, ndër të tjera, shprehet se z. Gylen e pati marrë pasaportën e gjelbër në përfundim të plotësimit të kushteve të aplikimit pranë autoriteteve përkatëse, në bazë të Nenit 4, ligjit no: 5682, i cili u jep të drejtën ish-zyrtarëve apo nëpunësve civilë të shtetit turk, që janë larguar në pension në përfundim të detyrës së tyre, të përfitojnë të drejtat e parashikuara nga ky lloj i veçantë pasaporte.
Sidoqoftë, si çdo qytetar i Republikës së Turqisë, z. Gylen ka të drejtën për të pasur një pasaportë të zakonshme turke.
Vendimi për t'ia mohuar të drejtën e pasaportës së gjelbër erdhi pikërisht pas retorikës kundërvënëse që kryeministri Erdogan shfaqi ndaj Lëvizjes Hizmet të frymëzuar prej Fethullah Gylenit, sipas të cilit mendimtari turk është duke u përpjekur që t'i thurë një grusht shteti, një pohim i cili është përgënjeshtruar vazhdimisht prej vetë klientit tim.
Në intervistën e tij për PBS, Erdogan pretendonte njëkohësisht se Gylen mund të përbëjë rrezik sigurie edhe për Shtetet e Bashkuara.
"Këta elementë, të cilët vunë në rrezik sigurinë kombëtare të Turqisë nuk mund të lejohen që të qëndrojnë nëpër vende të tjera të botës, pasi mund të bëjnë edhe në këto vende, pikërisht ato çfarë u bënë vendit të tyre." - iu shpreh ai njërës prej pyetjeve të Charlie Rose.
Të martën, kur u pyet prej një gazetari pas një mbledhjeje të grupit parlamentar të partisë, nëse do të ndiqej me të vërtetë një proces ekstradimi për Gylenin, Erdogan iu përgjigj: "Po, do të nisë."
Avokati Allbajrak shprehet, se pretendimet e Erdogan duhet të shihen si një përpjekje për të shkaktuar ndonjë proces gjyqësor të mundshëm në të ardhmen, duke shkaktuar trysni ndaj gjykatave dhe prokurorëve. "Edhe sikur në të ardhmen të ketë një vendim gjykate për ekstradimin e Gylen, kjo është diçka që duhet komunikuar përmes Ministrisë së Drejtësisë ndaj autoriteteve amerikane," - vërejti ai, - "madje, mandej do të jenë gjykatat amerikane ato që do ta shqyrtojnë një kërkesë të atillë, nëse mund të bëhet apo jo zyrtare."
Shtetet e Bashkuara mund t'i ekstradojnë bartësit e "green card"-it drejt vendeve të tyre të origjinës në rastet kur akti që ka përbërë bazën e kërkesës mund të konsiderohet si një krim në ligjet e të dyja vendeve, Shteteve të Bashkuara dhe shtetit kërkues, e nëse sulmi nuk është politik, atëherë nuk ka asnjë arsye për një proces gjyqësor të drejtë dhe autoritetet politike parapëlqejnë që të veprojnë kësisoj. Sipas këtyre kushteve, sidoqoftë, është mëse e qartë, se çdo kërkesë nga ana e qeverisë turke për ekstradimin e z. Gylen do të refuzohet.
Vërejtje e pazakontë prej Shtëpisë së Bardhë
Kjo nuk është hera e parë që Erdogan ngre çështjen e ekstradimit. Në një konferencë të tij për shtyp, dhënë televizioneve gjatë muajit mars, Erdogan u shpreh se i kishte kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ekstradimin e menjëhershëm të Fethullah Gylen, pasi përbënte rrezik për sigurinë kombëtare të Turqisë. Erdogan madje shkoi gjer sa të pohonte se Obama e shihte pozitivisht këtë kërkesë, madje edhe se i ishte përgjigjur: "E mora mesazhin."
Në një pohim të pazakontë, Shtëpia e Bardhë akuzoi kryeministrin turk, Erdogan, për keqpërdorim të përmbajtjes së bisedës telefonike me presidentin amerikan, Obama.
"Përgjigja e presidentit Obama, siç është paraqitur, në lidhje me z. Gylen, nuk është aspak e saktë," - u shpreh Shtëpia e Bardhë në një përgjigje të kthyer me anë të një e-mail-i ndaj shumë organizatave mediatike, përfshirë këtu edhe gazetën "Today's Zaman", gjatë muajit mars. Kjo lloj përgjigjeje është e para në marrëdhëniet ndërkombëtare mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, si një përgënjeshtrim haptazi i varianteve të kryeministrit turk për çështjet e diskutuara.
Gylen jeton sot në një ekzil të detyruar prej rrethanave shëndetësore, duke mos pasur kurrfarë parashtrese ligjore, e cila t'i pengojë kthimin në Turqi. Shumë pak kohë pasi ai pati shkuar në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2000, ai u akuzua për ngritjen e një organizate të paligjshme në Turqi, ndërkohë që qe çliruar prej kësaj akuze vetëm në vitin 2008.
Pas një hetimi për korrupsion dhe paudhësi të bërë publik më 17 dhjetor, ku u mbajtën nën arrest plot pesëdhjetë vetë, përfshirë këtu edhe bijtë e tre ministrave të kabinetit, si dhe shumë emra në zë të biznesit apo aleatëve të qeverisë turke. Gjithashtu akuza u hodhën edhe mbi shumë zyrtarë të tjerë të shtetit, për të cilët thuhej se edhe ata ishin të përfshirë në këto afera të paligjshme. Vetëm shumë pak kohë pas lëvizjeve brenda qeverisë së tij, Erdogan pezulloi nga detyra prokurorët që ishin marrë me këtë çështje, e bashkë me ta edhe mijëra oficerë policie e të tjerë, duke pretenduar se këta të fundit ishin nën kontrollin e Gylenit, dhe ishin duke u përpjekur për të krijuar një "shtet brenda shtetit", i cili po përpiqej për të rrëzuar qeverinë e tij.
Në telefonatën e datës 19 shkurt, Presidenti theksoi rëndësinë e politikave të rrënjosura në ligjin e së drejtës, si dhe rëndësinë e marrëdhënieve të respektit të ndërsjellë ndërmjet vendeve. Përpjekja jonë për të punuar bashkë me Turqinë, veçanërisht në disa çështje tejet të rëndësishme për rajonin, do të vazhdojnë ende në të njëjtën mënyrë," - e përfundonte deklaratën për shtyp Shtëpia e Bardhë.
Në shfaqjen e tij përpara televizioneve turke gjatë muajit të shkuar, Erdogan u shpreh: "Unë i diskutova këto çështje (është fjala për çështjet e lidhura me Gylen) edhe me Presidentin Obama. Unë i thashë atij, se burimi i çrregullimeve brenda vendit tim gjendet atje tek ju, kështu që prej jush pres, që të bëni atë ç'është e nevojshme. Po të kërkoj ndihmë, njësoj siç ti më kërkon mua kur kemi të bëjmë me njerëz (këtu në Turqi), të cilët kërcënojnë sigurinë e brendshme të Shteteve të Bashkuara. Kësisoj, Obama e pa pozitivisht këtë kërkesë timen, duke m'u përgjigjur: "Mesazhi u mor."."
Në Uashington, askush nuk e mohon se Erdogan gjatë bisedës së tij telefonike me Obamën, kërkoi ekstradimin e Gylenit në Turqi. Mirëpo, ajo që i ka surprizuar amerikanët është se kryeministri turk është duke e ruajtur çështjen e ekstradimit përherë në axhendën e tij kombëtare, megjithëse autoritetet amerikane i janë përgjigjur, se kërkesa për ekstradim nuk është ide e mirë, dhe se qeveria turke nuk do t'ia arrijë dot asaj që po kërkon," - shprehet Ali H. Asllan, drejtori i së përditshmes "Zaman" në Washington.
Më interesante janë pretendimet e kryeministrit, sipas të cilit presidenti amerikan, Obama, e sheh pozitivisht këtë kërkesë për ekstradim. Amerikanët nuk arrijnë ta besojnë, se si kryeministri turk u përpoq ta keqinformonte popullin e tij rreth një bisede të bërë me presidentin e Shteteve të Bashkuara. - shton ai.
"Vëzhgues të ndryshëm në Uashington nuk i shohin pohimet e Obamës si një "dritë jeshile" për një ekstradim të mundshëm të Gylenit. Fakti se kryeministri turk Erdogan është duke e sjellë çështjen Gylen vazhdimisht në zë, madje duke pohuar se Obama është treguar i hapur ndaj këtij ekstradimi, ma merr mendja duhet të jetë diçka tejet bezdisëse për qeverinë amerikane," - thotë Asllan.
Sipas një burimi diplomatik, i cili foli për Today's Zaman me kushtin e ruajtjes së anonimatit, për ekstradimin e Gylenit nuk ka as edhe një bazë ligjore sepse nuk ka as edhe një shenjë a provë të mundshme, që të vërtetojë akuzat e ndërtimit të "shtetit brenda shtetit", apo të përbërjes së ndofarë rreziku për sigurinë kombëtare.
Marrëveshja për Ekstradimet dhe Ndihmesën e Ndërsjellë në Çështjet Kriminale mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Turqisë përcakton bazën ligjore për ekstradimet, nga të dyja palët, kështu që është qeveria turke ajo që duhet të japë provat e nevojshme kundër Gylen, në mënyrë që për të të mund të kërkohet një ekstradim.
- Publikuar më .