Përse e studiojmë dhe e besojmë Fethullah Gylenin

Përse e studiojmë dhe e besojmë Fethullah GyleninLibrat e Gylenit dhe për Gylenin, që Shtëpia Botuese “Prizmi” ka përkthyer dhe botuar këto vitet e fundit janë ngjarje në jetën tonë kulturore, intelektuale dhe shpirtërore, ndihmesë dhe pasurim i asaj biblioteke shumë të munguar, për gati gjysmë shekulli, ku përveç disa broshurave dhe librave që anatemonin fetë, besimet dhe personalitetet me përmasa universale, nuk kishte asgjë tjetër, edhe pse në botë ekzistojnë mijëra dhe mijëra botime prestigjioze, të ribotuara dhe të përkthyera në dhjetëra gjuhë të botës. Ateizmi dhe ateistët gjithandej realitetit tonë monist ishin më shtatimët dhe të dobët se liliputët, sepse nuk mund t’i kundërshtosh doktrinat fetare-teologjike, pa i ditur ato. Në fund të fundit edhe kundërshtimi ateist, ashtu si kundërshtimi në një fushë tjetër, nënkupton më së paku informacionin dhe njohjen minimale, përndryshe nuk di ç’kundërshton e çfarë mbron dhe afirmon.

Është kjo njëra nga arsyet që vitet e fundit, kur rrethanat e lirisë së mendimit janë krejt ndryshe, u kam pohuar studentëve në disiplinën e Historisë së Qytetërimit, se çështja e besimit është në të drejtën dhe vullnetin e çdo individi, por njohja e doktrinave fetare, e etnogjenezës, historikut, traditës, përmbajtjes së shpërndarjes së tyre në planet, janë aspekte dhe pajisje të çdo individi që nis ta quajë veten intelektual. Vështruar nga kjo pikëpamje, një histori serioze e intelektualëve shqiptarë, që nga shekulli XVI e këtej do të dëshmonte bindshëm se në të gjithë brezat tanë në vazhdim, intelektualët më të shquar shqiptarë, kanë qenë veç të tjerash, njohës serioz të religjioneve, kanë kontribuar që doktrinat fetare-teologjike të njihen edhe nga komunitetet tona. Madje jo vetëm ata, por lumturisht edhe të gjithë artistët tanë më me emër, në të gjitha fushat e ndryshme të krijimtarisë, edhe i kanë shfrytëzuar këto njohje besimesh dhe doktrinash për të pasuruar, sensibilizuar, humanizuar dhe artin e tyre. Ata kanë mishëruar që herët atë thënien kuptimplote të Albert Ainshtajnit: “Ai që nuk beson në një fe është i çalë, ai që nuk beson në shkencë është i verbër”.

Pa aspektin dhe njohjen religjioze ata nuk mund të shkonin te imazhet e përkryera estetike dhe artistike që na kanë dhënë. Përkundrazi, pjesa më e madhe e artistëve të periudhës moniste, mbase jo dhe për faj të tyre, mbetën të pakultivuar në këtë aspekt dhe artet shqiptare të kësaj faze, edhe nga kjo pikëpamje përbëjnë një shmangie nga tradita. Kështuqë librat e Gylenit janë plotësime të domosdoshme të një biblioteke të munguar. Natyrisht që zgjedhja dhe prurja e një mendimtari s’duhet të përbëjë rastësi. Dhe rasti i Gylenit nuk është aspak i tillë. Pasi ka fituar reputacionin më të lartë gjithëkombëtar, të një populli njëqind milionë banorësh, me tradita të moçme dhe shumë të pasura, pasi e ktheu veprimtarinë dhe doktrinën e tij në një dritë-ndriçuese për çdo bashkëkombas, mbasi arriti ta hedhë atë edhe në praktikë, duke përftuar lëvizjen e madhe Gylen, si fare pak të gjallë, u vendos në piedestalin e nderit, duke gëzuar dita-ditës një mbështetje përherë e më të gjerë, duke lindur solidaritet, kredibilitet dhe veprime që sjellin humanizëm. Kur t’i tregojnë e përshkruajnë që të gjitha këto, mund të mbledhësh supet në trajtë mosbesimi.

Dhe ke të drejtë. Realitetet përreth, brenda dhe jashtë vendit, të kanë bërë thellësisht skeptik. Përse? Përgjigja është e thjeshtë fare. Nismat sokratike të fare pak njerëzve, tjetërsohen dhe me fonde që kanë ardhur prej një nisme kinse-humane, ti sheh një vilë me pishinë diku pranë një gjelbërimi, një hotel me pronar enigmatik, një biznes që lind sa mbyll e çel sytë. Me lëvizjen Gylen nuk ndodh kështu. Me një vizitë disaditore në Turqi, ti sheh me sytë e tu shkolla, kopshte, universitete model që janë ngritur pikërisht nga kjo lëvizje. Prek e vështron azile dhe shtëpi kurative të fjalës së fundit, spitale me mjek të specializuar që s’kanë kurrfarë lidhjeje monetare me pacientin, që nuk premtojnë të pamundurën, që maten fort për çka do të kryejnë, që në çdo çast gërshetojnë humanizmin me profesionalizmin. I shikon e i prek që të gjitha këto arritje që janë të shpërndara gjithandej, që vazhdimisht ripërtërihen e shumohen dhe pyet veten: si janë arritur që të gjitha këto? Si fillimisht një njeri i vetëm arriti të futet në zemrat e shumë njerëzve, të shtresave më të ndryshme, të bëhet shumë i afërt dhe i besueshëm për ta, t’u përçojë idetë, vizionet dhe synimet e veta, t’i solidarizojë me njëri-tjetrin, t’i vërë në një lëvizje të paparë humaniste dhe progresiste, t’i kthejë në një forcë aktive rindërtuese dhe ripërtëritëse. Me ç’mjete e kreu gjithë këtë mision të rrallë në tërë historinë e brezave të fundit?Vetëm me mendimin e tij thellësisht human, thellësisht koherent dhe konsekuent, të qartë, të kthjellët, komunikues dhe atraktiv. Që nga fjalimet dhe ligjërimet më të para, deri te librat e panumërt, të një rëndësie problemore gjithnjë në rritje, Gyleni në gjysmë shekulli krijimtari dhe veprimtari shfaqen para gjithë audiencës së tij shumë të madhe me të njëjtat rrënjë doktrine dhe mendimi, me të njëjtin besim të konsoliduar dhe përherë të ripërtërirë, me të njëjtat afirmime të mëdha, me po ato kritika me të cilat e nisi rrugën.

Kjo koherencë dhe konsekuencë gjysmëshekullore ku shkëlqen e rrëzëllen besimi dhe vlerësimi islam, ku ndriçon erudicioni, njohja e filozofisë, kontradiktave, përvojave, veprave të personaliteteve, e bën atë, në çdo vepër të tij, me dimensione dhe thellësi enciklopedike.Këto janë disa nga arsyet që e kthyen personalitetin e tij në një humanist të dimensioneve planetare. Duke studiuar me laps në dorë çdo vepër të përkthyer, ne shohim se në hapësirat e fletëve të tij lulëzon dhe valëvitet i njëjti grurë farëmirë, i njëjti polen që fekondon bimët, e njëjta erë e ngrohtë përtëritëse pranverore: Gjersa ekziston njeriu, feja është vetvetiu shpirtërore. Ripërtëritja shpirtërore është akt i përhershëm i secilit njeri. Kryhet përmes vetes dhe të tjerëve, përherë përmes zanafillës dhe besimit. Kujdes rrënjët e hershme dhe të moçme. Ruajini fort ato sepse në to është identiteti dhe përhershmëria e përtëritjes. Në to është kodi i përhershëm i katharsit të çdo individi dhe bashkësie. Alternativat nuk sajohen, por gjenden dhe nxiten nga prirjet historike të zhvillimit njerëzor. Konfliktualitetet janë të zgjidhshme nëse ekziston logjika, dashuria, toleranca dhe mirëkuptimi. Jo te disa, por me prirje për t’u shtrirë e përhapur te të gjithë. Të përjashtuarit përfshihen mandej në turmën amorfe, në kontingjentë dhune, terrorizmi dhe prapakthimi.

Ripërtëritja për Gylenin është njëherazi mendim, ndjenjë dhe veprim. Është afirmim rrënjësh dhe vazhdim i tyre. Kjo sjell rilindjen e përhershme, të pandërprerë dhe gjithëpërfshirëse. Përmes këtij procesi që zgjatet dhe bartet në breza, riparohet “logjika e lëkundur”. “Trashëgimtarët e tokës” nuk janë specie e re, por specie në vazhdim. Trungje që zgjerohen me rrathë të tjerë. Kombi u rikthehet rrënjëve, s’ka kurrfarë nevoje të mëkohet nga rrënjë të tjerë. Ndërtimi dhe zëvendësimi i tyre është me pasoja shumë të rënda. “Kombi që mbart përbrenda zjarrin e thellësisë” nuk ngrin kurrë. Brenda kombit gjendet “zjarri i thellësisë së rilindjes”. Edhe orientimet themelore janë primordiale dhe s’është nevoja të ndërrohen. Parimet e moçme s’janë relike muzeale.

Natyrisht që në procesin e gjatë të progresit dhe të përsosjes kemi shumë nevojë “për mendje të plota gjithëpërfshirëse”, “për doktorët e shpirtrave”, për “plejadën e njerëzve të kualifikuar, për heronj që dinë të shuajnë “mosbesimin errësues”, për ata që dinë ta kthejnë besimin në dashuri, për ata që arrijnë ta zotërojnë “të menduarit matematik”, por jo pa zemër për “heronjtë e mendimit dhe të veprimit”, sepse një kohë pa prometej është e vdekur. Vetëm të tillët mund të jenë “arkitektët e shpirtrave tanë, “skulptorët që mund të gdhendin statujën sublime të shpirtrave tanë. Kjo statujë mund të ngrihet , mund të lartësohet, mund të qëndrojë e palëkundur në sheshet e të sotmes dhe të ardhmërisë. Qëndron e palëkundur sepse krejt ndryshe nga statujat e mermerta, të bronzta, ajo është në radhë të parë shpirtërore. Si e tillë ajo jeton përherë dhe ripërtërihet përherë. Janë vetëm disa pak mendime këto nga burimi i dlirë dhe i pashtershëm që përmban dijetari Gylen.

Kumtesa e mbajtur në “Promovimin e Ideve të Gylenit”, Tiranë, 13 Mars 2010.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.