Po ndamë do të ngopemi, po u ndamë do të zhdukemi!

Thelbësore në besimin e njeriut është pranimi me zemër i të gjitha të vërtetave, besimi te të cilat është i detyruar. Nëse zemra beson dhe i pranon ato, atëherë edhe punët që duhen kryer nuk janë më kurrsesi të vështira, përkundrazi gjithçka lehtësohet. Po ashtu, njeriu fillon të largohet prej gjërave të ndaluara dhe prej mëkateve njësoj siç largohet prej gjarprit apo akrepit.

Deri në ngadhënjimin e Mekës Ebu Sufjani (r.a.) ishte një nga armiqtë më të thekur të Allahut (xh.sh.), të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe të fesë islame. Ishte një ndër ata njerëz që e shihnin çdo mëkat, çdo shpifje dhe çdo fyerje ndër gjërat më të zakonshme, as të lejuar e as të ndaluar. Gjatë ngadhënjimit të Mekës, edhe pse mund të dukej sikur kish besuar, zemra e tij pati arritur që të ngopej e të bindej dhe besimi pati zënë vend në të veçse pas ngadhënjimit.

Pavarësisht gjithë të këqijave që kishte bërë gjer atëherë, sjellja e Profetit tonë (s.a.s.) njerëzishëm me të gjithë e pati habitur, duke u bërë edhe shkaku që ai të nderohej mirëfilli me besim. Bëhet fjalë për të njëjtin Ebu Sufjan (r.a.), që kur pati humbur njërin sy në betejën e Jermukut, e pati marrë atë në dorë dhe i qe drejtuar me këto fjalë: "E për ç'më vlen ti mua, o sy! Kur ti, për vite me radhë, nuk e pe dot të Drejtën!" dhe e pati hedhur tutje.

Vlera e një organi kuptohet më mirë pasi e humb atë. Andaj, duhet njohur mirë vlera e gjërave që Allahu (xh.sh.) na i ka lënë amanet pa na kërkuar asgjë në këmbim dhe duhen përdorur sa më mirë.

Njeriu duhet të shohë të marrët dhe ta kuptojë vlerën e mendjes së tij pa u çmendur. T'ia dijë vlerën rinisë para se të plaket dhe ta përdorë siç duhet shëndetin e falur, para se t'i vijë e ta mbërthejë ndonjë sëmundje. Pa i shpërdoruar dhe pa i çuar dëm mirësitë e trupit të tij, përftimi i të cilave nuk është i mundur kundrejt kurrfarë shumelekësh; nuk duhen shpërdoruar sikur t'i kishe gjetur në rrugë, por duke bërë një investim sa më të mirë e sa më serioz për në jetën e përtejme. Përmes besimit dhe bindjes së tij në të, njeriu i kupton dobësinë dhe mangësitë e tij më së miri atëherë kur përballet me sëmundjet apo fatkeqësi të tjera të ndryshme. Pikërisht atëherë fillon t'i qaset me më shumë mëshirë dhe dhembshuri krijesave të tjera, atyre që janë më të dobëta, jetimëve apo të varfërve.

Mesihu i nderuar (a.s.) thoshte: "Mirësi nuk quhet kur ti i përgjigjesh me të mirë së mirës që të bëhet. Mirësi quhet kur i përgjigjes me të mirë së keqes." Andaj edhe besimtari mund t'i falë të këqijat që i bëhen atij vetë. Madje, po të jetë e nevojshme, ai mund t'i përgjigjet edhe duke bërë mirë atyre që mund t'i kenë bërë keq.

Vetëm se padrejtësitë, tradhtia dhe shpifjet e përbaltjet që bëhen ndaj fesë madhështore të Islamit, ndaj shërbimit ndaj fesë dhe Kuranit dhe përfaqësisë shpirtërore të këtij shërbimi përbëjnë një të keqe, falja e së cilës nuk mund të jetë më kurrsesi në dorën e individit. Kushdo ka të drejtën e mbrojtjes së vetes prej atyre që veprojnë padrejtësisht me këtë kauzë të shenjtë e të lartësuar dhe e tradhtojnë atë dhe duhet ta përdorë atë.

Çdo gjë në rrugën e besimit dhe njëjësisë së Zotit është e lidhur me Krijuesin e Gjithëfuqishëm dhe vetëmse tek Ai mbështetet. Andaj edhe, porsi një nëpunëse e caktuar prej tij, një milingonë arrin të mundë faraonin, një mizë Nemrudin dhe një mikrob edhe njeriun më të fuqishëm, ndaj edhe padrejtësitë nuk kanë mbetur asnjëherë si fitore për atë që i ka kryer ato.

Ndërsa kur bëhet fjalë për besimtarin, ai është përgjegjës, si për gjendjen e besimit të tij, po ashtu edhe për shpëtimin e besimit të të tjerëve. Gjithësecili ka të metat e veta, mirëpo ka edhe të mira që ia mbulojnë gabimet e bëra. Andaj edhe besimtari duhet të përqendrohet e të shohë veçse të mirat, virtytet dhe cilësitë e mira të njerëzve dhe jo gabimet, të metat apo mangësitë e tyre, duke u përpjekur pa ndërprerë për t'i shpëtuar ata prej zjarrit të mohimit dhe çudhëzimit.

E në një periudhë si kjo e sotmja kur problemet kanë mbështjellë çdo shpirt, kur e kota kërkohet që të na shfaqet si e drejtë dhe dashuria për interest ia ka kaluar asaj për të drejtën, besimtarët duhet të bëjnë të pamundurën për t'i shkrirë këto masa akulli që qëndrojnë mes njerëzve; vendin e urrejtjes, mllefit dhe smirës duhet ta zënë vëllazëria, mirëkuptimi, dashuria, dhembshuria dhe mëshira. Kësodore, gjërat që të bëjnë të turpërohesh duhen mbuluar dhe në pah duhet të dalin veçse, vlerat dhe bukuritë e moralit, si mirëkuptimi dhe toleranca.

Ah sikur t'i kishim mësuar këtij brezit tonë, që në vend të urrejtjes dhe mllefit të zgjidhte dashurinë, në vend të shkatërrimit, djegies dhe vrasjeve të zgjidhte restaurimin e zemrave të thyera dhe ringjalljes së shpirtrave të vdekura dhe, që në vend se të ishte në anën e ngatërrestarëve, të zgjidhte të ishte zgjidhës i tyre. Profeti ynë i dashur (s.a.s.) na ka thënë se "të gjithë ata që i bëjnë keq një zemre që ka besuar ose përpiqet ta mashtrojë duke i thurur kurthe, janë të mallkuar dhe janë (të) larguar prej mëshirës së Allahut (xh.xh.).

Kurse Bediuzamani (r. alejh) na ka thënë se "armiqësia dhe dashuria janë antonime të njëra-tjetrës, njësoj si drita me errësirën. Në domethënien e tyre të vërtetë ato nuk mund të jenë kurrsesi të bashkuara."[1] Kurse Nurettin Topçu ka thënë se "feja dhe urrejtja (besimi dhe mohimi) nuk mund të bashkëjetojnë në një zemër."

Ajo që nuk do harruar është kjo: ata që merren dhe luftojnë me vëllezërit e tyre nuk mund t'i pengojnë dot dëmet e armiqve. Nëse arrijmë që ta ndajmë çdo gjë me njëri-tjetrin, si në aspektin material, ashtu edhe në atë metafizik, atëherë, siç na e thotë edhe poeti ynë, Junus Emreja, "po ndamë (me njëri-tjetrin) do të ngopemi, po u ndamë do të zhdukemi."

Sepse nuk duhet ta harrojmë kurrsesi, siç kemi mësuar prej Bediuzamanit (r. alejh), se "bashkimi dhe uniteti janë shkaku më i mirë për të fituar mëshirën hyjnore", se detyra dhe profesioni ynë është që, të bashkuar dhe në unitet, të shpëtojmë besimin nga zjarri.


[1] Letra e Njëzetedytë

 

Pin It
  • Publikuar më .
© 2022 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.