Ftesa në Islam- Kumtimi

Një tjetër emërtim që Fethullah Gylen i jep lëvizjes së tij është edhe Kumtimi. Edhe ky, ashtu si xhihad, është një koncept tërësisht kuranor dhe ka një rëndësi të veçantë në terminologjinë islame. Si koncept, kumtimi është përcjellja më së miri dhe komunikimi më i saktë i fjalës së Zotit te njerëzit e tjerë, në mënyrë që ata ta kuptojnë e ta konceptojnë atë më së miri.

Gyleni në veprat e tij e trajton me kujdes të posaçëm këtë koncept. Sipas tij, nga njëra anë kumtimi, ashtu si dhe xhihadi, përbën një nga qëllimet e ekzistencës së profetëve. Profetët janë ata që kanë dhënë përgjigjet e duhura për pyetjet: Çfarë jemi? Nga vijmë e ku shkojmë? Cili është qëllimi ynë në këtë udhëtim?. Pyetje këto që kanë munduar përherë gjithë filozofët e mendimtarët, duke na mësuar më së miri qëllimin e jetës sonë, realitetin e vdekjes dhe duke na larguar shqetësimet e frikën në këtë sens. Kjo veprimtari e profetëve që i përcjell njerëzimit mesazhin hyjnor në lidhje me të vërtetat, që është njëkohësisht edhe arsyeja kryesore e ekzistencës së tyre, quhet kumtim-ftesë për besim. (Dritë e Pashuar, 1: 200-1).

Njëri prej aspekteve më të rëndësishëm të kësaj propagande është emri bil ma’ruf, nehji anil munker - përhapja dhe propagandimi i mirësisë dhe parandalimi e largimi i njerëzve nga ligësia. Me shmangien e kësaj përgjegjësie jetike për mbijetesën e shoqërisë, nis përhapja e të keqes dhe negatives, e njëkohësisht, edhe humbja dhe harresa e vetive të mira njerëzore. Padyshim që kjo përgjegjësi ka edhe formën e vet tipike të të përmbushurit. Gjatë historisë ne shohim institucione të plotësuara të themeluara vetëm me qëllim që të përmbushin këtë detyrë, si për shembull, institucionet e bamirësisë në kohën e Osmanëve. Një mënyrë gjithashtu shumë efikase për përmbushjen e kësaj detyre është edhe propagandimi dhe këshillimi i së mirës. Në një hadith të tijin, Profeti urdhëron: Besimi është këshillë. Domethënë besimi nga njëra anë ruan ekzistencën e tij në shoqëri me propagandimin e të mirës dhe të drejtës, nga ana tjetër ruan vetitë më të mira të njeriut e të shoqërisë duke i mbajtur ato të gjalla dhe aktive. Duhet mbajtur parasysh se në vazhdim të hadithit theksohen edhe dy pika të rëndësishme: këshillimi e propaganda e së mirës duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e Zotit dhe veprën e të Dërguarit të Tij, pa synuar pozitë a lartësi në sy të njerëzve dhe barazia para këshillës fetare, duke pozicionuar përballë saj në mënyrë të barabartë çdo individ të shoqërisë, qoftë prijës apo udhëheqës i saj. (Buhari, “Iman”; Muslim, “Iman”)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.