Dinamikat kryesore në aksionin e Gylenit

Pasi analizuam principet themelore të lëvizjes së Gylenit, le t’i hedhim një sy edhe dinamikave kryesore të kësaj lëvizjeje.

a. Altruizmi

Një element shumë i rëndësishëm në lëvizjen Gylen është “të japësh jetë, qoftë edhe duke lënë pas dore jetën tënde”, ose ndryshe, altruizmi. Për sa kohë që individët nuk i kanë zemrat të mbushura me dëshirën për t’u dhënë jetë të tjerëve, me sakrificë e devotshmëri dhe për sa kohë që shumica e shoqërisë nuk përbëhet nga të tillë individë, ringjallja e mirëfilltë e një shoqërie dhe e një kombi është e pamundur.

“Ai që mendon vetëm për vete, ose nuk është njeri, ose është një krijesë e mangët. Rruga drejt njerëzimit të vërtetë kalon duke menduar të tjerët, qoftë edhe duke lënë pas dore vetveten” thotë Gyleni, ndërsa zbërthen konceptin e altruizmit në përmasa të ndryshme.

“Njeriu duhet të sillet si një prokuror ndaj gabimeve të veta dhe si një avokat ndaj gabimeve të të tjerëve.

Njeri i pjekur dhe mik i vërtetë është ai që edhe te dalja nga ferri, edhe te hyrja e parajsës, di të thotë: “Urdhëro!”

Njeriu i vërtetë është ai që duke mbushur kanën e vet me ujë, nuk e lë bosh atë të të tjerëve.” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 128)

“Lartësia e njeriut afër Zotit matet me lartësinë e sakrificës së tij. Kriteri më i saktë i matjes së sakrificës është lënia pas dore e kënaqësive dhe përfitimeve personale për hatër të lumturisë të tjetrit. Nuk e di nëse mund të konceptohet një akt më i lartë sakrifice se sa të zbehësh vetveten për hatër të shoqërisë, të durosh aty kur duhet të hidhesh si një luan e të kufizosh lumturinë tënde për lumturinë e të tjerëve. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 208)

b. Dashuria, shpresa dhe mëshira

Në elementet e lëvizjes Gylen, vendin më të veçantë e zë dashuria, shpresa dhe mëshira. Sipas Gylenit, dashuria është ndjenja e parë që e zgjon njeriun, djepi i parë ku ai përkundet. Botën e ndritur e të lumtur të së ardhmes mund ta ndërtojnë vetëm ata heronj të dashurisë, që veprojnë në emër të saj.

“Ata heronj dashurie, me buzëqeshje dashurie në buzë e majà dashurie në shpirt, me vështrimet e tyre përhapin dashurinë njerëzore, me mirësinë e tyre përfshijnë çdo njeri. Dielli, ndërsa lind e perëndon, yjet ndërsa vezullojnë, i çojnë atyre mesazhet e një dashurie pafund...” (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 202-3)

Sipas Gylenit, nuk ka asnjë ndjenjë negative në botë, të cilën dashuria nuk e mund. Dashuria, së pari lartëson e përgatit për të përtejmen çdo shpirt që takon. Këta shpirtra pastaj, janë ata që kërkojnë pushtetin absolut të dashurisë në çdo zemër e ndjenjë. Në rrugën e dashurisë vdesin dhe po në atë rrugë ngjallen sërish duke psherëtirë e ndier për dashurinë.

“Është e pamundur të lartësohet e të maturohet një shpirt që nuk është plot me dashuri” thotë Gyleni. Sipas tij, të tillët edhe nëse jetojnë njëmijë vjet, prapë se prapë nuk mund të maturohen aspak. Zemrat që nuk njohin dashurinë nuk shpëtojnë dot nga labirinthet e errëta të egos, ndaj dhe nuk ndiejnë dot dashuri për njeri; nuk dashurohen me dashurinë dhe jetojnë e vdesin pa e kuptuar atë dashuri pafund që ka në themel ekzistenca. (Yitirilmiş Cennete Doğru, 96)

Për Fethullah Gylenin, diferenca fillestare e një zemre të mbushur me besim është dashuria që ka ajo për dashurinë dhe armiqësia që ushqen ndaj armiqësisë. Urrejtja ndaj gjithçkaje është ose çmenduri e plotë, ose shenjë e një zemre që i është dorëzuar djallit. “Duaje njeriun dhe magjepsu pas tij!” shprehet ai. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 107)

Sipas Gylenit, dashuria dhe mëshira luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të konceptuarin e Islamit, por edhe në strukturën e veprimtarisë së tij. “Një gjethe e këputur nga pema në vjeshtë më dhemb sikur të ishte krahu që këputet nga trupi im”, thotë Gyleni, ndërsa nuk duron dot as tharjen e një luleje në dhomën e tij, por bën të pamundurën që ajo të lulëzojë sërish e ruan jetën e një milingone sikur të ishte krijesë njerëzore, duke theksuar se mesazhet e dashurisë qiellore janë ato që kanë ndërtuar botën dhe lartësuar qiejt. Çdo gjë, nga mikrobota e deri te makrobota, e ka arritur këtë funksionim të përpiktë dhe këtë ritëm të mrekullueshëm ekzistence vetëm në sajë të mëshirës. Çdo pjesë e kësaj bote jeton në sajë të mëshirës, tregon mëshirën dhe e premton atë. Ndaj dhe gjithësinë ne nuk e shohim ndryshe, po si një performancë mëshire. Për Gylenin, ata që nuk e kuptojnë dot se këtë kor të mëshirës së gjithanshme në univers e dirigjon Mëshira e Pafundme e Zotit nuk janë veçse shpirtra pafat.

“Përballë gjithë këtyre ngjarjeve njeriu ka përgjegjësinë të përqendrohet e të deshifrojë mëshirën e pafundme me ndërgjegjen dhe vullnetin, me konceptimin dhe mendjen e vet, si dhe të bashkohet pastaj në këtë harmoni të përkryer me melodinë e vet personale. Ai ka një obligim njerëzor që të tregojë mirësi e mëshirë ndaj shoqërisë ku jeton dhe ndaj individëve të saj, ndaj universit e ndaj çdo krijese që ekziston aty. Njeriu arrin të përparojë e të lartësohet në këtë rrugë aq sa ai mundet të mëshirojë. Nga ana tjetër, sa më tepër që ai bëhet pre e dhunës, tiranisë e egërsisë, aq më shumë ai bie e poshtërohet, derisa bëhet faqja e zezë e njerëzimit. (Sizinti, Nëntor 1980)

Shpresa, për Gylenin, është së pari një kategori e besimit. Njeriu që beson ndien shpresë dhe kjo shpresë është aq e fortë sa ç’është edhe besimi i tij. Në fakt, me përfshirjen e shpresës, vendosmërisë dhe vullnetit në një zemër besimtare, normat njerëzore tejkalohen dhe shumë gjëra konceptohen si mrekulli nga ata njerëz që nuk e kanë jetën shpirtërore shumë të zhvilluar. Nëse njeriu e ka zgjedhur mirë atë që do të besojë dhe është lidhur me të shpirtërisht, atëherë në zemrën e tij nuk ka vend as për pesimizëm dhe as për humbjen e shpresës.

Sipas Gylenit, shpresa është zbulimi i shpirtit dhe konceptimi i pushtetit që qëndron aty. Me këtë konceptim njeriu kalon nga zemra në një lidhje me Pushtetin e Pafund dhe zbulon forcën e pushtetin me të cilin arrin kudo. Kështu, grimca bëhet diell, pika bëhet det, pjesa bëhet e tërë dhe shpirti bëhet një frymë në univers. Një shpirt i mbushur me “një dritë të pashuar, ngjyrë të pahumbur, diell të paperënduar”, drita e të cilit i bën errësirat mëngjes dhe ditët si ditë nëpër kopshtet e parajsës. Janë këta që në horizontet e tyre dielli nuk njeh perëndim dhe stinët, me ndërrimin e tyre, u ekspozojnë peizazhet marramendëse të njohjes. Ndjenjat e tyre të mbushura me shpresë e optimizëm nuk pyesin për lodhje e trishtim, nuk njohin ngrica e përvëlim, po janë të gatshme çdo çast të përmbushin atë detyrë sublime që u kërkohet. (Çağ ve Nesil, 1-3)

c. Toleranca dhe Falja

Në terminologjinë e Gylenit toleranca ka një përmasë të thellë, të cilën ai e shpreh kështu: “Duartrokitja me mirësi e mirësisë, mbështetja e zemrave besimtare, sjellja butë me mohuesit e ateistët, duke shkrirë inatin e urrejtjen e tyre dhe fryma ringjallëse e Mesias” janë themelet e tolerancës, kurse aspektet e tjera të saj janë përgjigjja me mirësi ndaj ligësisë, fisnikëria edhe ndaj atyre që nuk njohin të drejtat e etikën dhe lënia mënjanë e në harresë e sjelljeve të pahijshme që na janë bërë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 101)

Ndërsa shpjegon mirësinë e tolerancën që duhet të ketë një njeri i këtij aksioni, Gyleni shprehet:

  • Hapja kujtdo zemrën, aq sa mundesh, le të bëhet ajo sa oqeani! Mbushu me besim dhe duaje njeriun. Le të mos mbetet as edhe një zemër e thyer, të cilës nuk ia ke zgjatur dorën e ndaj të cilës nuk ke shprehur interes...!
  • Përgjigjju çdo mirësie me mirësi dhe mbështeti zemrat besimtare; ndërsa me mohuesit sillu aq butë, sa mirësia jote të arrijë të shkrijë ligësinë e tyre.
  • Mos harro se ndodhesh në rrugën më të larmishme pas deklaratës më të mrekullueshme, pas një Udhërrëfyesi të Lartë në dialog me qiellin. Mos harro dhe mendo ata që nuk kanë as edhe njërën prej këtyre cilësive. Mendo e bëhu zemërbutë ndaj tyre…
  • Largoje ligësinë me mirësi, sjelljet e rënda bëj sikur nuk i sheh. Çdokush pasqyron karakterin me sjelljen e tij. Ti zgjidh rrugën e tolerancës dhe sillu me fisnikëri ndaj të paudhëve…
  • Duaje dashurinë dhe bëhu armik i armiqësisë. Kjo është cilësia më spikatëse e një zemre që ngazëllen me besim.
  • As edhe njëherë mos u bëj pre e egos tënde duke ndjekur mësimet e tij. Sipas tij çdo njeri veç teje është fajtor dhe i pafat. Ky do të ishte shkatërrim për ty. Ti duhet të jesh i ashpër me egon tënde dhe i butë me të tjerët.
  • Kriteri yt në sjelljen me të tjerët duhet të jetë sjellja e Zotit me ty. Sillu me të tjerët si sillet Zoti me ty. Atëherë do të jesh mes njerëzve, me Zotin dhe do të shpëtosh kështu njëherë e mirë nga vetmia.
  • Mund ta gjesh vlerën tënde te Zoti, duke matur vlerën që ka Ai në zemrën tënde dhe vlerën që ke ti mes njerëzve, me sjelljen që paraqet ndaj tyre. Për as edhe një çast mos iu ndaj Zotit. Dhe mes njerëzve bëhu njëri prej tyre. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 107-8)

Gyleni thekson se shpresa dhe dëshira më e madhe e njeriut, i cili ka aftësinë e prirjen për të gabuar e për të kryer mëkate, është falja dhe toleranca. Ashtu sikur kërkimi i faljes, pranimi i gabimit dhe pendesa janë tregues të një ndërgjegjeje dhe botëkuptimi të lartë, edhe falja dhe toleranca janë gjithashtu tregues edhe më të lartë të të tilla virtyteve. Falja është pranimi i një kthimi në origjinë dhe një kërkim fillestar i vetvetes. Për këtë arsye, vepra më e çmuar te Allahu është pikërisht kjo falje, si kthim në origjinë dhe si kërkim i mirëfilltë i vetvetes. Ata që falin, falen. Ata që nuk e njohin faljen, nuk munden ta arrijnë atë. Ata të pafat, që asnjëherë nuk janë bërë copë nën rëndesën e gabimit të vet, nuk kanë se si ta kuptojnë kënaqësinë sublime të të falurit.

d. Durimi dhe Qëndrueshmëria

Një përmasë tjetër shumë e rëndësishme e Lëvizjes Gylen është durimi dhe qëndrueshmëria. Sipas tij, sa e rëndësishme është zbulimi i së vërtetës dhe lidhja shpirtërisht me të, po aq e rëndësishme është edhe qëndrueshmëria dhe besnikëria në lidhje me të. Ata njerëz që thyejnë këtë besë të dhënë në këtë rrugë dhe bëhen pré e pavendosmërisë së tyre, pas njëfarë kohe humbin edhe vetëbesimin dhe bëhen pré e ndikimeve të të tjerëve. Me kalimin e kohës këta individë humbin edhe vlerat e tyre shpirtërore, edhe personalitetin dhe nuk paraqesin asnjëfarë vlere e dobie as për veten dhe as për shoqërinë. (Kriteret ose Dritat e Rrugës, 213)

Përkufizimi i Gylenit për durimin piketohet në disa aspekte të durimit; ai përfshin durimin që duhet treguar në përmbushjen e urdhrave të Allahut, në rezistencën ndaj mëkatit dhe në distancimin prej atyre që Allahu ka ndaluar, durimin për të mos rënë në pesimizëm e për të mos u ngutur, durimin ndaj çdo gjëje që Zoti ka vendosur që të mund të jetojmë dhe durimin ndaj joshjeve të kësaj bote. (Kalbin Zümrüt Tepeleri, 1:142-3)

Fethullah Gyleni paraqet një aspekt origjinal të durimit dhe të qëndrueshmërisë, i cili na ndihmon të kuptojmë më së miri edhe dinamikat e Islamit, edhe dinamikat e aksionit të tij. Sipas Gylenit, një njeri që është lidhur shpirtërisht me Zotin, nuk duhet të presë shpërblimin e shërbimeve të tij në rrugën e Zotit në këtë botë dhe nuk duhet të krenohet me opinionet e mira që kanë njerëzit për të. Aq më tepër që ai nuk duhet të presë respekt e mirënjohje nga askush dhe nuk duhet të zvogëlohet duke përmendur shërbimet që mund të ketë bërë për njerëzit a për kombin. Gjithë ç’ka bërë ai, është një detyrë njerëzore dhe njeriu është i detyruar ta përmbushë atë.

Sipas Gylenit, gjatë jetës së tij në shërbim të Zotit, njeriu mund të hasë plot gjëra të bukura, po edhe plot vështirësi. Mund t’i jepen shpërblime pa i kërkuar, ose mund t’i jepen dënime e ndëshkime pa i merituar. Në këtë aspekt, një njeri i pjekur i aksionit nuk duhet të bëjë dallim mes shpërblimit dhe ndëshkimit të njerëzve. Për të, mirësia e Zotit është gjëja më e rëndësishme, ndaj edhe nëse si rezultat i shërbimeve të tij ai përfton gjëra pozitive, duhet menjëherë t’i lidhë ato me mirësinë e Zotit e të mos mendojë kurrsesi se i ka fituar vetë. Të njëjtën sjellje duhet të tregojë edhe me komplimentet e shokëve, të cilët të impresionuar nga veprat e tij, mund të shfaqin një respekt të veçantë e një admirim për të. Ai përnjëherë duhet të kthjellohet e të ndërgjegjësohet se gjithçka është një refleksion i mirësisë së Zotit të vet.

Përfundimisht, Gyleni e lidh fjalën kështu:

“Mos i lumturo armiqtë me këngët e egos tënde, duke thënë dituria ime, ndershmëria ime, nderi im! Dhe as mos i largo miqtë e tu me sjellje egoiste. Nëse ke vërtet virtyte, lëri të lulëzojnë në botën tjetër. Lëre jetën tënde të bëhet melodi në buzën e engjëjve! Kalite durimin tënd dhe përforcoje qëndrueshmërinë, se vetëm me ta mundesh ta arrish këtë pjekuri të shpirtit.”

e. Besa e Besnikëria

Në botëkuptimin e Gylenit besa dhe besnikëria janë dinamika nga më kryesoret të një veprimtarie të tillë. Besa dhe besnikëria kanë dy aspekte: këmbëngulja në adhurimin e Zotit dhe mos-ndarja as edhe për një çast nga dera e Tij, kërkimi i vazhdueshëm i kënaqësisë së Tij dhe lidhja e përhershme me Të, kurse aspekti tjetër është vazhdimi në rrugën e zgjedhur, pa ndryshuar rrugë dhe pa u larguar aspak prej qëllimit kryesor.

“Besa është cilësuar edhe si bashkimi i njeriut me shpirtin”, shprehet Gyleni duke theksuar se nuk kemi pse presin besë e besnikëri nga ata njerëz që nuk e lënë të jetojë zemrën dhe shpirtin. Sipas tij, ndjenja si urrejtja, inatet e xhelozia nga njëra anë janë si helme që mbysin virtytet si besa e besnikëria, nga ana tjetër ndikojnë për keq në fjalët që thuhen, në premtimet që bëhen e në betimet që jepen. Më tej Gyleni shton:

“Individët, në sajë të besnikërisë përfitojnë sigurinë në shoqëri dhe lartësohen. Familjet arrijnë të mbijetojnë vetëm kur formohen mbi themele besnikërie. Kombi arrin në prosperitet e unitet vetëm falë këtij virtyti. Shteti e ruan autoritetin e tij ndaj shtetasit vetëm kur respekton këtë virtyt. Humbja e këtij virtyti shkatërron personalitetin vetjak, sigurinë familjare dhe mbarëvajtjen kombëtare e shtetërore. Në një shoqëri të tillë individët humbin besimin te njëri-tjetri, familja nuk ka më themele, shteti është një despot mbi shtetasit dhe secili organizëm është i huaj për njëri-tjetrin.

Pavendosmëria e brendshme është ajo që vret jetën shpirtërore dhe shkatërron besën e besnikërinë. Një nga shkaqet tipike të pavendosmërisë shpirtërore është braktisja e lutjeve të përditshme. Nga ky aspekt është shumë e rëndësishme ruajtja e ndjeshmërisë dhe gjallërisë shpirtërore, vazhdimësia me durim e lutjeve, faljeve dhe përgjërimeve shpirtërore, lidhja e përsosur me Zotin, ushqimi i mendjes me dije e njohuri dhe i shpirtit me dashuri e besim. (Fasıldan Fasıla, 1:114-5)

f. Rinovimi i vetvetes

Sikur e kemi theksuar edhe në pjesën e parë, rinovimi i vetvetes është një proces që paraqet rëndësi të veçantë në mendimin e veprimtarinë dhe Gylenit. Rinovimin e vetvetes ai e sheh si një kusht parësor e një parim të rëndësishëm për ekzistencën afatgjatë. Sipas tij, të gjithë ata që nuk pranojnë të rinovojnë vetveten kur është e nevojshme, janë të destinuar që herët a vonë të fshihen nga skena e ekzistencës. Çdo qenie e ruan gjallërinë e saj duke u rinovuar; kur rinovimi nuk kryhet më, atëherë lind kalbëzimi, shkatërrimi dhe shpërbërja është e pashmangshme.

“Rinovimi i vetvetes nuk duhet ngatërruar me magjepsjen pas së resë dhe as me ndjekjen e modës”, thotë Gyleni dhe vazhdon: “Dobësia pas modës është kolorimi i pirgjeve të bëra zhele-zhele me ngjyra tërheqëse e vezulluese, për të bërë të padukshme plagët e copëtimin e tyre. kurse rinovimi i vërtetë është zbulimi i Ujit të Përjetësisë dhe aksioni për t’i dhënë pavdekësinë shoqërisë me anë të atij uji. Rinovimi i vërtetë ruan kthjellësinë e rrënjëve dhe të bërthamave të veta dhe arrin në klimën e re dhe të kthjellët të meditimit, duke bërë sintezën e çdo vlere të trashëguar nga e kaluara, me vlerat aktuale dhe format më të fundit të të menduarit. Konceptimi i rinovimit si ndërrim i modelit të fustanit apo kostumit, veshje e frakut apo përdorim i brilantinës nuk është veçse një mashtrim. Prezantimi i rinovimit në këtë mënyrë është një iluzionizëm, një mashtrim e një cektësi e vërtetë. Rinovimi i vërtetë është vlerësimi më së miri i zhvillimeve shkencore e teknologjike dhe përdorimi i tyre në shërbim të njeriut, kthimi i thjerrëzës që kemi në dorë herë pas here nga zemra jonë duke analizuar nga fillimi mendimet, idetë e bindjet tona, duke shtuar në hojet e zemrave tona nektarin e nevojshëm për realizimin individual të mëtejshëm, filtrimi i universit nga aftësitë e mendjes sonë, duke e stërvitur atë më së miri e duke e hapur atë çdo herë e më tepër përballë horizonteve të reja të perceptimit dhe mendimit. (Sizinti, Prill 1982)

g. Vuajtja e Dhimbja

Vuajtja dhe dhimbja janë një tjetër dinamikë e rëndësishme e aksionit të Gylenit. Kjo vuajtje e dhimbje është në një farë mënyre majaja e qenies së tij. Ai është një njeri që ia ka kushtuar jetën dhe veprën e vet Zotit, pëlqimit të Tij dhe shpëtimit të njerëzimit nga zjarri i ferrit, aq sa e lejon Zoti, duke bërë të pamundurën për t’i afruar ata me parajsën. Njëkohësisht, qëllimi i jetës së tij është lumturia e një brezi me vlera të larta morale e humane, edukimi i asaj gjenerate që “drejt parajsës së humbur”, përsos jetën e vet me vlera të larta njerëzore e morale dhe jeton në horizontet e një epoke të artë. Të gjitha këto synime të larta e bëjnë jetën e Gylenit një shembull konkret vuajtjeje e dhimbjeje. Si ata njerëz që i kanë ndenjur afër, ashtu edhe ata që i hedhin një sy shkrimeve të tij dhe dëgjojnë bisedat e tij, dëshmojnë menjëherë vendin e pamohueshëm që kanë këto ndjenja te ai.

Sipas Gylenit, rruga e vetme drejt qëllimeve të larta është rruga e vuajtjes. Udhëtari i së vërtetës, pastrohet me anë të dhimbjes, purifikohet nga ajo dhe me të arrin gjer në thelbin e vet. Nuk ka as maturi dhe as njësim me shpirtin aty ku nuk ka vuajtje. Shpirti maturohet me dhimbje, ndjenja çlirohet me dhimbje. Ata shpirtra që nuk njohin dhimbjen janë të papjekur, ato zemra janë krahëprera e të venitura. Vuajtja ia shumëfishon vlerat përpjekjes dhe rezultateve të saj. Ç’ka arrihet pa dhimbje është si një pasuri e trashëguar. Vjen pa mund e ik pa dhimbje. Vetëm për ato gjëra që fitohen me vuajtje e dhimbje pafund sakrifikohen edhe shpirtra, edhe jetë... Një komb dhe një qytetërim është shpresëdhënës në të ardhmen, i vendosur e i fortë vetëm nëse është formuar nën udhëheqjen e atyre trimave që kanë vuajtur dhe u ka dhimbur shpirti për të. Përkundrazi, nëse është formuar dhe zhvilluar në duart e atyre që nuk kanë vajtuar e rënkuar dhe që nuk dinë ç’është dhimbja e vuajtja në jetë, ai komb e qytetërim është i pafat dhe i destinuar për t’u zhdukur. Nuk mund të pritet asnjë lloj sakrifice nga ata që e kanë kaluar jetën në mes të luksit e komfortit dhe që nuk kanë provuar etjen e urinë për hir të gjërave që kanë pasur, që nuk kanë braktisur atdheun e familjen dhe nuk janë përballur, qoftë edhe njëherë me lëkundjet dhe tronditjet e kohës. Aty ku nuk ka sakrificë, nuk mund të ketë as një aksion të vërtetë.

h. Përgjërimi për falje dhe lotët

Islami është besimi ideal që Zoti ka vendosur për njerëzit. Këtë besim e karakterizon një thellësi shpirtërore, mbi të cilën konsiston lidhja e njeriut me Krijuesin. Fethullah Gylen është një njeri që mundohet ta ndiejë sa më thellë këtë besim dhe ta perfeksionojë botën e tij shpirtërore më së miri, si burim i një lidhjeje të mirëfilltë me Zotin. Në këtë aspekt, edhe në veprimtarinë dhe lëvizjen e inspiruar nga ai, Gyleni thekson rëndësinë e konceptimit të gabimeve dhe përgjërimit për faljen e tyre, mundësisht me lot ndër sy. Vuajtja e brendshme, dhimbja, përgjërimi për falje dhe lotët janë fjalë kyç në përkufizimin e jetës së një besimtari, që e jeton çdo çast me vetëdije për lidhjen e tij me Krijuesin. Ndaj edhe Gyleni preferon këtë dritare për të soditur Islamin, njeriun, brendësinë dhe kuptimin e tyre.

Në botëkuptimin e tij, lotët janë shëmbëlltyra e mëshirës hyjnore mbi sytë e njeriut, kristalet ku gjuha bashkohet me fjalët e zemrës, shpirti bëhet një me ndjenjat, simbole të atij çasti kur pastërtia shpirtërore bashkohet me vuajtjen e zemrës së bërë copë dhe malli në zemrën e të përmalluarit për të përtejmen bëhet i padurueshëm. Zjarri i dashurisë sublime fashitet paksa dhe ferri vetë freskohet nga ata lotë. Ja pse i Dërguari i Allahut thotë kështu: “Ditën e Gjykimit, në atë kaos kur shkëndijat e ferrit përndjekin njerëzit, shfaqet Xhebraili me një gotë ujë në dorë. “Çfarë është kjo?” e pyes dhe ai më përgjigjet: “Këtu janë lotët që besimtarët kanë derdhur prej frikës dhe dashurisë së Zotit dhe kjo është e vetmja gjë që i shuan këto shkëndija të tmerrshme.” Ndaj dhe stolitë e zanave të parajsës nuk janë aq të vlefshme sa këta lotë. (Fasıldan Fasıla, 2:29-30)

Gyleni i përmbledh me këto fjalë mendimet e tij për lotët e derdhur në rrugën e Zotit:

“O njerëz, që gjatë historisë keni harruar të derdhni lotë! Ju që qeshni në vend që të qani, moskokëçarës, indiferentë! Ejani, të mblidhemi e të qajmë së bashku para rrugës pa krye ku jemi! Të qajmë për padijen tonë! Të qajmë për ato që kemi humbur, pa e marrë vesh se i kemi humbur. Të qajmë për botën tonë të brendshme, që e kemi kthyer në një statujë prej guri me gabimet tona, për ndjenjat tona të zbehura e të venitura, për zemrën tonë, që ka humbur çdo mirësi! Të qajmë se do të vdesim kështu, se do të ringjallemi ashtu siç kemi vdekur e me këtë gjendje nuk do të gjejmë dot vend mes atyre trimave të historisë që do vijnë turma-turma në përfundimin e Provimit të Madh. Të qajmë për vetminë tonë -jemi si një frut që këputet nga pema-, për shkeljen me këmbë që na bëjnë, për largimin tonë nga mëshira…! Të rrahim flatrat drejt lartësive, si pëllumbat, e të psherëtijmë me një “ah!” aq të thellë atje nëpër lartësi, sa edhe retë të nisin të derdhin lotë! Pastaj le të rrjedhin ato pikëza mëshire mbi përvëlimin tonë e ta shuajnë pak këtë zjarr! Zjarrin e inatit e urrejtjes! Zjarrin e kësaj bote dhe asaj të përtejmes!...

O Zoti im! Ty të lutemi e prej Teje kërkojmë! Na dhuro lotë për sytë tanë, na mëso të qajmë! Të qajmë që të meritojmë mëshirën Tënde, të qajmë që nuk e ndiejmë dot mallin e largësisë, të qajmë sa zemra të na dridhet, shpirti të na digjet e një thirrje e shkëputur nga gjoksi të ushtojë në tokë e në qiell. (Sizinti, Shtator 1979)

Gyleni citon disa ajete dhe thekson se lotët janë përgëzuar e nxitur edhe nga Kurani:

Kurani përdor këtë shprehje për të lavdëruar besimtarët: “Me të dëgjuar ajetet e Zotit, ata përkulen në sexhde dhe prekin tokën me fytyrë.” (Isra, 107) dhe i tërheq vëmendjen atyre që mëkatojnë me këtë shprehje: “Le të qeshin pak e të qajnë shumë!” (Tevbe, 82). Kurse i Dërguari i Zotit lutej kështu: “O Zot, më mbro nga zemra që nuk dridhet e syri që nuk derdh lotë!” Lotët e kthjellët janë njëkohësisht edhe simboli i një zemre të butë dhe ndjenje të thellë. Nuk mund të shihen pika loti në sytë e atyre që i janë ngurtësuar zemrat dhe mykur ndjenjat. (Fasıldan Fasıla, 2:30)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.