• Home
  • Intervista
  • “Ato farë fjalësh të ulëta nuk i përdorën as mosbesimtarët”

“Ato farë fjalësh të ulëta nuk i përdorën as mosbesimtarët”

Ato farë fjalësh të ulëta nuk i përdorën as mosbesimtarët

Mendimtari Fethullah Gylen, e ka ndalur heshtjen e tij të gjatë, duke folur për herë të parë për çështjet që po diskutohen aq shumë sot në rendin e ditës. Nisur prej ngjarjeve të hetimit të çështjeve të ryshfetit dhe korrupsionit të datës 17 dhjetor, e deri tek lirimet e të akuzuarve të çështjes “Ergenekon”, ai vendosi që t’u kthejë përgjigje të gjitha pyetjeve, të cilat kishin filluar të përbënin shqetësimin dhe kureshtjen njëherazi të të gjithëve, duke filluar që nga fyerjet dhe shpifjet e pareshtura, gjer tek zgjedhjet vendore të 30 marsit. Përgjatë leximit të kësaj interviste, që do të zgjasë pesë ditë, do të ndiqni se cilat janë ndjenjat dhe mendimet e të nderuarit Gylen në lidhje me këtë periudhë të vështirë që është duke kaluar Turqia.

Kur i shkuam për ta intervistuar ishte i kapluar prej pikëllimit, shqetësimit, dhe nga qëndrimi i tij i menduar nuk vërehej as edhe një fije ndryshimi. Dukej se tërë ato fjalë të pahijshme e kishin prekur, por ajo prekje nuk ishte kthyer asnjë grimcë në trajtë pesimizmi; krejt e kundërta, në çdo çast lutej, që ashtu si në fundin e çdo errësire të natës, të lindte sërish një diell. Kishte besimin se çdo gjë do ta gjente zgjidhjen me kalimin e kohës. “Përbaltja me shpifje, akuzat e komplotit kanë qenë përherë kaderi i njerëzve të kësaj rruge, e kështu do të jetë përherë. Do të jetë largpamësia dhe kthjelltësia mendore, që me kalimin e kohës, do ta fshijë e largojë çdo gjë. Nuk ka shpifje apo akuzë të pabazë që të mund t’i rezistojë largpamësisë.” – u shpreh ai, duke shtuar: “Ah sikur, ata që e kanë lëshuar veten pas këtij dyshimi për komplote të mundshme, të mund të përpiqeshin ta kontrollonin njëherë rrugën nga janë duke shkuar, nën dritën e Kuranit dhe të Sunetit...”

Ishte shumë i shqetësuar, që çdo çështje e diskutueshme e rendit të ditës i atribuohet menjëherë Lëvizjes. “Sa herë që ka diçka, e cila nuk mund t'i shpjegohet publikut, atë ia hedhin si baltë Lëvizjes, duke nxjerrë veten të larë, - u shpreh ai, - dhe për më tepër kjo është kthyer në njëfarë refleksi." Pretendimet e hedhura për ndofarë kurthi ndaj ushtrisë, ia përngjasoi lojës së ulët të disave.” Nuk harroi të theksonte si gjithnjë, se cilatdoqofshin kushtet, është shumë e rëndësishme të jesh gjithnjë në anën e së drejtës dhe vlerave universale.

Kohët e fundit, karshi shkëlqesisë suaj janë thënë lloj-lloj gënjeshtrash e shpifjesh nga më të ndryshmet. Janë përdorur fyerje nga më të rëndat. Ndërsa ju iu përgjigjët të gjitha këtyre akuzave, me fjalët tuaja, duke u ndenjur të heshtur, aq sa të mos u kthenit asnjë përgjigje.

Patjetër që u mërzita shumë, më shqetësuan tej mase. Ç’është e vërteta, ende nuk e kam kuptuar se me ç’prova dhe argumente arrijnë t’i artikulojnë ato soj fjalësh me një vetësiguri aq të theksuar. Këtu do të privohem ta them, por ato shprehje aq të ulëta, ato farë akuzash mëkatnore, nuk mbaj mend t’i kenë përdorur as mosbesimtarët karshi besimtarëve në të gjithë historinë. Kjo nuk u shkonte aspak atyre që i thanë. Nuk do të them se kanë gënjyer. Do të parapëlqej më tepër të them se po përpiqen t’i mashtrojnë njerëzit për disa çështje, e vërteta e të cilave nuk është aspak e atillë. Por brenda vetes gjeta një siguri të këtillë: në çdo kohë, veçanërisht kur ka pasur futje ngatërresash, shpifjesh, janë përbaltur emra njerëzish, është luajtur me nderin e besimtarëve, e si pasojë ata që nuk kanë qenë të njohur me thelbin e çështjeve, janë bërë ortakë të atij mëkati, qofshin në dijeni ose jo. Kush jemi ne në fund të fundit!.. A nuk ka pasur të atillë që kanë shpifur karshi nënës sonë, Aishes (r.a.) edhe në Periudhën e Lumturisë. Madje më keq, të udhëzuarit arritën gjer aty sa të shpifnin edhe mbi Allahun (xh.xh.). Sa e sa shembuj të këtillë ka vetëm në Kuran! Thanë, hasha, “Zoti e bëri bir...”; hasha, “Engjëjt janë bijat e Zotit...”. Vetë e di se sa më dhembin kur i sjell ndërmend këto broçkulla krejt të ulëta. Tani, këtë ia kanë bërë edhe Allahut (xh.xh.), profetëve, njerëzve më të lartë të Allahut (xh.xh.). Deri sot, kur këto po përdoren karshi disa besimtarëve krejt të parëndësishëm si unë. Pse mos është shumë kjo? – them, dhe gjej qetësi brenda vetes.

Çdokush nxjerr në pah atë çka bart karakteri i tij. Ata që kanë aftësinë e theksuar të padrejtësisë bëjnë padrejtësi. E ju, ngase në botëkuptimin tuaj nuk ka vend për dhëmbë që kafshojnë, nuk mund të kafshoni. Kështu është më mirë. Le të jenë ata që veprojnë padrejtësisht, ta vazhdojnë zullumin edhe më tej, veçse ne me durim dhe të vëmendshëm, të kërkojmë mëshirë dhe falje prej Allahut, që zotëron mundësitë e plota të tyre, duke iu lutur Atij që t’i shpëtojë prej ecjes në rrugën e gabuar. “Përbaltja me shpifje, akuzat e komplotit kanë qenë përherë kaderi i njerëzve të kësaj rruge, e kështu do të jetë përherë. Do të jetë largpamësia dhe kthjelltësia mendore, që me kalimin e kohës, do ta fshijë e largojë çdo gjë. Nuk ka shpifje apo akuzë të pabazë që të mund t’i rezistojë largpamësisë. Ah sikur ata që e kanë lëshuar veten pas këtij dyshimi për komplote të mundshme, të mund të përpiqeshin ta kontrollonin njëherë rrugën nga janë duke shkuar, nën dritën e Kuranit dhe të Sunetit...”

A janë këto vargje, të cilave ju iu riktheheni vazhdimisht, të mjaftueshme për ta shpjeguar ç’po ndodh? “Miq pa mirënjohje, fat i pamëshirshëm, epokë e heshtur/ Vuajtje shumë, bashkëvuajtës asnjë, armiku i vrazhdë e fati mjeran...” (Fuzuli)

Pothuajse të gjithë miqtë tanë na e treguan mirënjohjen e tyre. Madje, me gjithë ato ç’u përballëm, ndër shokët dhe miqtë tanë nuk u ndje as lëkundja më e vogël. Por ç’e do se zemra e çdokujt kërkon që gjithkush të veprojë sipas vlerave të botëkuptimit të saj. E nganjëherë kjo pritshmëri nuk realizohet dot plotësisht.

Nuk e di a kemi të drejtë që të kërkojmë prej disa miqve tanë të hershëm, mosha e të cilëve tashmë është e vjetër, të dalin e të thonë diçka në emër të së vërtetës dhe drejtësisë. Por megjithatë, do të mjaftohem vetëm duke thënë: “Nuk më pëlqeu sjellja e disave, të cilët treguan se ishin thjesht miq për ditë të mira...”

Ka qenë një njeri që thoshte se ishte gjithnjë gati të jepte edhe jetën për mua të varfrin. Dolëm bashkë prej burgut atëbotë në 12 mars; në atë kohë ishim duke ndërtuar konviktin e Bozjakasë, e thamë që ta përfundonim meqë e kishim nisur. “Mësues, më pati thënë, për hir të Zotit, mua mos më përzieni!” Është shumë e rëndësishme që të mos të marrë era në të tilla kohëra. Çdokush jep aq sa ç’i bart karakteri i tij. Nuk do mërzitur karshi tyre, zaten do të jetë më se e qartë në atë botë se kush do ta përkulë qafën e kush do të turpërohet. Ne po i përballojmë të gjitha këto vetëm për hir të ahiretit. Ne kërkojmë veç përjetësinë. E nëse jeni prej atyre që kërkojnë përjetësinë, nuk ia vlen të vepruarit veç për hir të cektësisë së kësaj bote.

Ne e falim atë çfarë na takon neve. Le ta dëgjojnë shtatë botë mbarë! Mirëpo, nëse në ato që sulmohen ka edhe diçka që është e drejta e fesë, e i përket asaj, e drejta e amanetit të shenjtë, padyshim që i Zoti ka për t’ia kërkuar llogarinë. Kthehesh në viktimë pikërisht aty ku nuk ta pret mendja, duke u kthyer rrokapjekthi. Ne, në fakt, as këtë nuk ua duam, pasi zemra e njeriut duhet të erëmojë si trëndafili. Edhe fjala duhet t’i jetë si trëndafili, që ngado që të shkojë të erëmojë veç këndshëm.

“Tashmë zullumi është sa dhjetëfishi i asaj ç’kemi parë në periudhën e grushteve të shtetit”

Ju jeni një prej më të rëndësishmëve ndër viktimat e 28 shkurtit. Menjëherë pas një linçimi mediatik, që shembullin nuk ia gjen dot në histori, në emrin tuaj u hap një çështje gjyqësore, ku ju u dënuat me tetë vjet heqje lirie. Një grup që e kishte përftuar ekzistencën e tij, duke bërë kundërshtarin tuaj, duke pretenduar se ju keni mbështetur 28 shkurtin, u çeli udhë edhe shumë e shumë viktimizimeve të tjera të padrejta. A ju vjen ndonjëherë, se edhe kësaj here jeni duke përjetuar të njëjtën gjë sërish?

Ne kaluar sa e sa herë përmes një kaosi të këtillë. Gjashtë muaj e gjysmë heqje lirie me akuzën se kisha depërtuar brenda shtetit në çështjen gjyqësore të 12 marsit... Neni 163 ato ditë, derisa iu ngrit edhe të ndjerit Ozal, qëndronte si gijotinë mbi kryet e myslimanëve. Në 12 tetor (1980) u përndoqa sikur të isha më i keqi. U bënë sa e sa raprezalje. U dëmtuan sa e sa prej shokëve tanë. Nga një këndvështrim, të jetuarit nën grushtet e shtetit dhe përndjekje të vazhdueshme na u kthye në një mënyrë jetese. Kjo që po na shohin sytë sot është dhjetë herë më e rëndë se ajo që kemi parë gjatë grushteve të shtetit.

Megjithatë, unë nuk ankohem për asgjë. Kësaj here po trajtohemi me një sjellje të ngjashme me duart e civilëve, pikërisht prej atyre njerëzve, me të cilët mendojmë se kthehemi kah e njëjta kible. Do të ishte gënjeshtër nëse nuk do të thosha se kjo e bën akoma edhe më të rëndë hidhërimin. Por nuk na vjen ndoresh gjë tjetër, veçse të themi: “Edhe kjo do të kalojë, O Zot!

Në 28 shkurt u përpoqa me gjithë shpirt që të pengoja shfaqjen e ngjarjeve më të rënda anti-demokratike

Po rikujtohen kritikat tuaja në lidhje me qeverisjen e kryeministrit të periudhës së 28 shkurtit, Nexhmetin Erbakan dhe qeverisë së tij. Madje pretendojnë edhe se ju keni qenë mbështetës i grushtit të shtetit...

Me fitoren e zgjedhjeve nga Partia e Mirëqenies, është i njohur prej të gjithëve fakti, që në radhët e Forcave të Armatosura të Turqisë pati disa lëvizje. Qenë grumbulluar retë, por ende nuk ia kishte nisur furtuna. Më kujtohen i ndjeri Javuz Gokmen dhe z. Fehmi Koru asohere në Ankara. Qe edhe z. Fatih Çekirge. Edhe me ta pata ndarë të njëjtat ndjenja dhe mendime. U përballa me lloj-lloj reagimesh të padrejta, e për më tepër tejet të ulëta. Megjithëse kishte edhe të tjerë që e vërenin rrezikun që po afrohej. Pati edhe nga ata që reagimin shoqëror që u shfaq bashkë fill me skandalin e Susurllukut u përpoqën ta përdornin për interesat e tyre, dhe kur u futën në veprim për të realizuar grushtin e shtetit, tashmë ishte tepër vonë. Në raportin e përgatitur prej Shërbimit Informativ Kombëtar patën futur edhe emrin e të varfrit në çastet e fundit. Megjithëse më vonë e mësova se dora e kujt ishte që e kishte futur edhe emrin tim në atë listë, por nuk desha që të përflisja emra besimtarësh, ndaj edhe i varrosa brenda vetes. Pastaj u përjetua 28 shkurti. Pastaj më se e njohura pika e dytë e komunikatës, e cila kërkonte që shkollat të shtetëzoheshin sipas Parimit të Unifikimit të Sistemit Arsimor. Në ato ditë kur tensionimi arriti kulmin, ndërsa kërkoja në vete një zgjidhje që vendi ynë t'i largohej kësaj krize me sa më pak dëme, shpreha edhe unë mendimin tim, si shumë të tjerë, për zgjedhje të parakohshme, duke e parë këtë si njëfarë zgjidhjeje. Shpreha se duhej shkuar në zgjedhje të parakohshme, por duke bërë disa ndryshime në ligjin e zgjedhjeve. Por këtë nuk e thashë vetëm unë i varfri; aty qenë edhe shumë emra të tjerë që shprehën një mendim të tillë, njëri syresh ishte edhe Korkut Ozali. Jo vetëm kaq, por edhe nga radhët e mbështetësve të qeverisë pati nga ata që mendonin kësisoj, madje shkruan disa herë edhe në titujt kryesorë të gazetave. Mund të shihen fare qartë nëse hyhet dhe kontrollohet nëpër arkivat e gazetave të kohës.

Megjithatë ishte edhe kjo. Atmosferën e grushtit të shtetit që ishte formuar në mbarë vendin ia shpjegova edhe ministrit të Punës, të ndjerit Nexhati Çelik. Për këtë kam edhe dëshmitarë. Në atë mbledhje ishin bashkë edhe z. Alaeddin Kaja me z. Melih Nural. "Po planifikojnë për të rrëzuar qeverinë..." - u thashë. Përpiqesha që të mos ndodhte ndonjë ngjarje anti-demokratike. z. Nexhati i dëgjoi fjalët e mia me kujdes, pastaj u ngrit dhe iku. Kishte shkuar t'ia transmetonte fjalët e mia të ndjerit Erbakan. Por prej andej nuk i ishte afruar ndonjë qasje e tipit, "t'i paraprijmë ndonjë ndodhie të këtillë."

U përpoqa t'ia shpjegoja edhe znj. Tansu Çiler rrezikun që po afrohej, duke ia rrëfyer një e nga një të gjitha zhvillimet negative. Kur znj. Tansu m'u përgjigj, "Ju lutem, të tregohemi pak më të matur", të them të drejtën u mërzita shumë. Nuk i hyra më detajeve të mëtejshme. Kur e pashë se nuk po i shpjegoja dot asgjë askujt, ndjeva nevojën të thosha diçka në mënyrë që të mund t'i dilja disi përpara ngjarjes së ndodhive të ngjashme me ato që po përjetoheshin në rajon.

Zgjedhjet e parakohshme mund t'ua prishnin lojën

Nuk kisha të drejtë t'i thosha askujt: "Nuk ia dolët dot. " Të gjithë janë dëshmitarë që jam përpjekur gjithnjë për të ruajtur njëfarë respekti për këdo, por veçanërisht për ata që gjenden në pozitat e përfaqësimit të popullit. U përpoqa t'ua shpjegoja, duke dhënë shembuj nga njerëz të mëdhenj si Ebu Bekri i nderuar (r.a.), apo nga Omer ibni Abdulazizi, të cilët patën dhënë shembullin ideal se largimi prej drejtimit të vendit nuk mund të përbëjë justifikim. Nëse kthimi në mes të popullit do të bëjë të mundur kapërcimin e më shumë vështirësive, që kjo në fakt mund të thuhet për 27 majin, 12 shtatorin - duhet zgjedhur për t'u thënë. Në fund të fundit, pas memorandumit të 27 prillit, qeveria e Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi e pati kapërcyer këtë vështirësi veçse duke marrë vendimin për zgjedhje të parakohshme. Qeveria, e cila po përpiqej të rrëzohej me të njëjtat metoda si në rastin e 28 shkurtit, duke iu rikthyer edhe njëherë popullit me kutitë e votave, ua pati prishur lojën atyre që e luanin. E ajo çfarë u shpreha unë, qe kjo: "Çojeni vendin në zgjedhje duke ndryshuar ligjin elektoral."

Ndjej dobinë të përmend këtu diçka. Nëse lexohet me kujdes raporti i Susurllukut dhe Komunikata e 28 shkurtit, do të kuptohet fare mirë se si një vend kryesor në synimet e juntës zinte edhe kjo Lëvizje. Mandej ato që përjetuam më vonë qenë veçse përpjekjet për ta realizuar këtë synim. Të ngrihesh e të pretendosh të kundërtën e kësaj, është diçka e pajustifikueshme prej ndonjë parimi keqardhjeje, e për më tepër bie ndesh me çdo të vërtetë.

Ekziston një refleks për t'ia hedhur Lëvizjes çdo gjë që ngelet e pashpjegueshme

Në takimet tona të mëhershme, jeni shprehur se i shihnit mjaft të çuditshme pretendimet se "Lëvizja është duke marrë edhe Fenerbahçen...", për më tepër që e kishit shumë të vështirë edhe që t'i kuptimësonit. Si i vlerësoni këto pretendime në dritën e zhvillimeve të fundit?

Po, është e drejtë që Fenerbahçe është një nga klubet tona më të mira. Dhe me sa kam parë, është një klub, drejtimi, tifozët dhe ndjekësit e të cilit janë mjaft të mirëorganizuar. Kjo patjetër që është për t'u pasur zili. E pse duhet që të shqetësohet ndokush prej kësaj? Unë poashtu qeshë kënaqur dhe ndjerë krenar në lidhje me suksesin e Gallatasarajit në Evropë. Zemra do të më donte, që edhe ekipet e tjera të mëdha që ne kemi, si Beshiktashi apo Trabzonspori t'i shtojnë akoma më tej sukseset e tyre. Të bëhen të atilla, që emri t'u dëgjohet në mbarë botën. Si mund të shpjegohen ndryshe këto përpjekje për të vënë dorë mbi Fenerbahçen apo mbi Gallatasarajin, përveçse me dëshira politike? Prandaj, çdo çështjeje që nuk i japin dot shpjegim vendosin t'ia hedhin Lëvizjes, e kjo dëshirë për të dalë vetë i pasur kësimënyre është kthyer në njëfarë refleks. Pas gjithë atyre informacioneve të reja që sapo dolën edhe kjo u kuptua se qe një shpifje e radhës.

Shprehja "prapaskenë" qe një tjetër pjesë e lojës së ulët

Duke filluar që nga çështja Ergenekon, e deri tek shumë çështje të tjera gjyqësore të ndjekura me shumë interes prej publiku, janë sendërtuar lirime në shkallë të gjerë të të akuzuarve. Si i vlerësoni ju ato?

Dua të them vetëm se ne jemi përherë krah asaj ç'thotë ligji dhe rregulli, atë çfarë thonë nenet e parashikuara në legjislaturë. Përdorimi i shprehjes "prapaskenë" qe një tjetër pjesë e lojës së ulët. U përpoqën t'ia faturonin Lëvizjes atë çfarë e kishin bërë vetë. Mblodhën gjithë Parlamentin vetëm për të nxjerrë një ligj të ri për vetëm një individ. Mund të tregonin të njëjtën ndjeshmëri edhe për këta njerëz. Lirimi është një gjë, procesi gjyqësor është diçka tjetër. Dhe gjykimi i tyre është në proces e sipër, dhe gjykimi i dhënë prej drejtësisë do respektuar. Ne kemi qenë përherë veç krah drejtësisë dhe vlerave universale të njeriut. E përherë ashtu kemi për të qenë. Nuk duhet të bëjmë as më të voglin lëshim karshi drejtësisë, qoftë kjo edhe pse gjendemi nën sulmet e vazdhueshme të ndokujt.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.