Librat qiellorë dhe jeta tjetër
Tre të pestat e Kur’anit kanë lidhje me jetën tjetër, ahiretin. Mbi këtë çështje kemi dhënë më parë disa shembuj. Këtu do të mjaftohemi vetëm t’ua lemë fjalën përsëri atyre shembujve.
Nga koha e Hz. Musait (a.s.) e gjer më sot, Teurati është korrigjuar disa herë. Madje, disa sentenca që ndodheshin në tekstet e Teuratit në kohën e profetit Muhamed (s.a.s.), sot është e pamundur t’i gjejmë. Si argument për këtë mund të përmendet sentenca mbi dënimin e njëvlefshëm me fajin.
Me një aspekt të tij, Ungjilli ka ardhur për t’i ndrequr pjesët e korrigjuara e të prishura dhe për t’i vërtetuar specifikat e pakorrigjuara. Meqë në Teuratin e asaj dite trajtoheshin çështjet mbi ahiretin, Ungjilli u mjaftua me vërtetimin e tyre pa hyrë në hollësitë e çështjes. Megjithëkëtë, ne gjejmë në të vende-vende sentenca që shprehin kuptime mbi ahiretin.
Në kreun e pestë të Ungjillit të Mateut janë këto sentenca:
“Kush bën punë të mira në këtë botë, do të ngjitet te engjëjt e Zotit!”
“Sihariq për të përulurit! Ata do të ngjiten në qiellin e engjëjve!”
“Sihariq për të mëshirshmit, që në botën tjetër do të meritojnë mëshirën e Zotit!”
“Sihariq për të bindurit që kanë për ta parë Zotin e tyre!”
“Shembulli i engjëjve të qiellit dhe të tokës i ngjan kësaj: Bujku hedh farën në tokë. Farat mbijnë. Bimët e shëndosha drejtohen drejt qiellit dhe rriten. Por mes tyre mbijnë edhe rriten edhe bimë të dëmshme dhe ferra. Ata që e shohin këtë, i drejtohen të zot të arës dhe i thonë: “Imzot, fara gjeti lagështirë dhe u rrit. Po këto ferra ç’janë?” I zoti i arës iu përgjigj: “Edhe ato duhen!” Apostujt e pyetën Jezuin: “A mund të na e shpjegosh këtë? “ Jezui u tha “po” dhe vazhdoi: “Është Zoti që e hodhi atë farë. Kurse ara është faqja e tokës. Fara e hedhur është njeriu. Kurse bima e shëndoshë janë njerëzit e mirë dhe ferrat janë mohuesit. Këtu, i miri me të keqin do të jenë bashkë. Por në botën tjetër të mirët do të ngjiten në qiell, kurse të këqijtë do të hidhen në ferr!”
Në kreun e njëzetenjëtë të Ungjillit të Mateut thuhet:
Atë ditë do të vijë Sunduesi. Të mirët do të zënë vend në të djathtë të tij, kurse të këqinjtë do të zënë vend në të majtë të tij. Sundimtari do t’u thotë të mirëve: “Sot do t’ju shpërblej ju. Sepse kur isha në botë, unë u urita, ju më ushqyet. Më mori etja, ju më dhatë ujë të pi. Më burgosën, ju më çliruat. Mbeta jashtë, pa strehë e pa njeri, ju më morët brenda e më strehuat.” Ata do t’i thonë Sundimtarit: “Zoti ynë! Ti si uritesh, si etesh, si burgosesh, si mbetesh i vetëm e pa strehë? Ti je Zot!” Zoti do t’u thotë kështu: “Në botë unë kisha rob të mi të dobët e të vetmuar. Ju i njihnit ata dhe i ushqyet dhe kjo ishte sikur të më kishit ushqyer mua. Po kështu, kur i çliruat nga burgu dhe i futët brenda e i strehuat, qe sikur të më kishit çliruar nga burgu mua dhe sikur të më kishit futur brenda dhe të më kishit strehuar mua!”[1]
Pastaj Zoti u kthehet atyre në të majtë dhe u thotë kështu: “Sot kam për t’ju ndëshkuar e kam për t’ju munduar ju sepse u urita, kurse ju s’më dhatë gjë për të ngrënë. U eta, kurse ju s’më dhatë të pi. Mbeta i vetëm e pa strehë, kurse ju s’më futët brenda e s’më strehuat. U burgosa, por s’më çliruat!” Edhe ata, në të njëjtën mënyrë, do t’i thonë: “Zoti ynë! Ti je Zot, si të zë uria, si të zë etja, si futesh në burg e si mbetesh jashtë?” Atëherë Zoti u thotë: “A s’e dini? Po qe se do t’u jepnit për të ngrënë e për të pirë robve të mi të uritur e të etur në atë botë, po t’i strehonit e po t’i nxirrnit nga burgu, do të ishte njëlloj sikur t’i kishit bërë këto për mua!”
Në Ungjill, në shumë sentenca të ngjashme me këto, flitet për çështje të ahiretit në një mënyrë që pothuaj përputhet me shprehjet e Kur’anit. Por i zoti i vërtetë i fjalës në këtë çështje është Kur’ani i mbrojtur nga çdo lloj korrigjimi dhe shtrembërimi, gjë që ne e përmendëm qoftë edhe shkurtimisht dhe përmbledhtas në metodën e Kur’anit për vërtetimin e ahiretit.
[1] Këtyre shprehjeve u është dhënë vend edhe në disa ekzemplarë të disa haditheve. Por Profeti ynë as ungjill pati lexuar, as shprehje të tilla pati dëgjuar. Kjo do të thotë se drita profetike u ka reflektuar që të dy profetëve të njëjtat gjëra.
- Publikuar më .