Argumente, argumente dhe prapë argumente...

Po qe se një plagë e hapur në trup mbyllet, zë kore pastaj e hedh atë duke e shëruar vetveten, kjo argumenton se në organin ose gjymtyrën ku ndodhet plaga, ka jetë.

Fruti tregon pemën që e prodhon atë frut. Gjurmët në rrugë tregojnë për atë që ka ecur në atë rrugë. Po qe se në vendet ku kalojmë e shëtisim ka rrjedhje uji, kjo do të thotë se aty ka vija uji. Edhe te njeriu ka gjurmë të tilla, rrjedhje të tilla dhe shërime të tilla që ai që e vëren atë, e ka të pamundur të mos shohë te ai jetën tjetër, ahiretin!

Nga i erdhi njeriut të shtrënguar mes kallëpesh të kufizuar e të ngushtë, ideja e pafundësisë dhe e përjetësisë? Nuk mund të thuhet se ai e ka nga vetja këtë mendim. Në këtë gjithësi e në këtë botë nuk ka as edhe ndonjë qenie që t’ia frymëzojë atij këtë gjë. Në është kështu, atëherë themi se kjo ndjenjë te ai është, në fakt, një nga mesazhet e dërguara nga gjithësi dhe botë të tjera. Siç është kategorik argumenti se atje ku ka lagështirë dhe rrjedhje uji, ka një linjë uji apo ujësjellës, ashtu është kategorik edhe argumenti se gjurmët e botëve të tjera tregojnë për ato botë.

Me karakterin madhështor të botës së tij të brendshme, njeriu arrin fryte që nuk i arrin dot në botën materiale. Njeriu entuziazmohet në atë mënyrë, botës dhe gjërave të saj ua kthen shpinën në atë mënyrë dhe del mbi vanitetet (çdo gjë përveç Allahut), në atë mënyrë që gjendja ku arrin dhe cilësia që fiton i tregojnë për marrëdhëniet me një qenie që qëndron mbi mundësitë dhe caqet e kësaj bote të kufizuar. Kjo botë e kufizuar, e shembshme dhe e fundshme argumenton ekzistencën e një bote të kundërt me të, pra të pakufizuar, të pashembshme e të pafundshme. Me gjendjen e saj të posaçme, çdo qenie, nga njëra anë tregon për të zotin e saj dhe, nga ana tjetër, aludon për meritat e botës tjetër.

Në trupin e njeriut qelizat vendosen pranë e pranë dhe formojnë lidhje e bashkëpunim me njëra-tjetrën, shkojnë në ndihmë të një dëmtimi në ndonjërën prej tyre, trupi funksionon si një e tërë e përbërë prej qarqesh të ndryshme që funksionojnë më vete dhe kur duhet, qarqet bashkëpunojnë për ta përballuar armikun, pastaj për ta sulmuar, përzënë dhe asgjësuar. Në të njëjtën mënyrë, nga trupat më të vegjël qiellorë, gjer te nebulozat më të mëdha, tërë gjithësia është si një trup i vetëm i përbërë prej organesh dhe gjymtyrësh që diku pulsojnë si zemër në gjoks të gjithësisë, diku shpërthejnë e shpërndajnë dritë, diku mblidhen e diku zgjerohen. Ndoshta ekziston një engjëll dorëzanës për tërë gjithësinë që është fryma dhe shpirti i gjithësisë. Me cilësinë e saj të shkëlqyer e madhështore dhe si qenie e gjallë në individualitetin e njeriut që është modeli i saj i vogël, gjithësia shërben si pasqyrë e emrave të Zotit. Krejt siç ndodh me gjymtyrët e njeriut, edhe gjithësia plagoset dhe i shëron plagët e saj. Ajnshtajni thotë: “Me një fshehtësi që nuk mund ta dimë, në skajet e largëta të gjithësisë formohen vazhdimisht trupa të rinj...” Sigurisht, pas ngritjes së këtij pallati të quajtur gjithësi ose univers, Zoti do ta plotësojë atë si një trup njeriu, kurse ajo do të vazhdojë të funksionojë gjersa ta mbarojë detyrën e saj.

Kjo botë do të pulsojë si një zemër, do të shohë si një sy dhe do të shpërndajë dritë si një diell, gjersa detyra e njerëzve të marrë fund. Detyrën që i është ngarkuar, kjo botë do ta kryejë me pamjen dhe qëndrimin e një besimtari të vetëdijshëm, prandaj dhe do t’i meremetojë vendet e prishura ose do të bëjë shtesa në vend të atyre që janë dëmtuar dhe kanë dalë jashtë funksionit dhe kjo do të vazhdojë kështu gjersa të marrë fund detyra e saj, pra, dhe të shkatërrohet, dhe, pastaj, në një skaj tjetër të gjithësisë, do të ngrihet një botë tjetër për të cilën aludon kjo botë dhe si alternativë e kësaj.

Ne nuk mundemi t’i njohim dhe t’i zotërojmë me kompetencë në tërësi materien, dukuritë dhe ngjarjet. Ne sillemi mes tyre si spektatorë dhe dëshmitarë që nuk kuptojnë nga gjendja dhe gjuha e tyre. Prandaj dhe nuk e dimë ende se ç’gjëra ndodhin dhe nga ç’gjëra. Ndoshta, po qe se një ditë e rrokim frymën dhe shpirtin e materies, ngjarjeve dhe dukurive, e zotërojmë plotësisht dhe me kompetencë cilësinë e formimit dhe ekzistencës së tyre, atëherë do të na hapen dyert për të përfituar maksimalisht, veç të tjerash edhe nga mikrobet që na i kanë ngritur kurth jetës. Atëherë ndoshta, do të ngremë fabrika që prodhojnë mikrobe të ndryshme[1] dhe do të kemi zbuluar më të madhin burim të ardhurash për vendin! Por në këtë çast ne jemi në pozitën e njeriut që vetëm e sodit lumin që rrjedh pa qenë në gjendje të përfitojë nga aspektet e ndryshme të tij. Po, materia, dukuritë dhe ngjarjet vazhdojnë ecurinë e tyre si lumi që rrjedh, kurse ne vetëm i sodisim. Mirëpo i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në një lutje të tij, ka kërkuar nga Zoti që të mund t’i zotërojë me kompetencë materien, ngjarjet dhe dukuritë, duke u shprehur kështu: “Allahu im, ma trego mua të vërtetën e materies!” Njëri prej horizonteve ideale për njeriun dhe, mbase, më i pari, është fitimi i cilësisë për ta njohur dhe zotëruar me kompetencë të vërtetën e materies, ngjarjeve e dukurive! Ja pra, po qe se gjithësia do të shqyrtohej me këtë cilësi (me cilësinë e zotërimit me kompetencë të së vërtetës së materies, ngjarjeve e dukurive), atëherë, pas çdo gjëje materiale ose pjese të materies, pas dukurive e ngjarjeve, pas një perdeje të hollë, do të duket dhe vëzhgohet jeta e pasme.

Në tokë janë bashkë gjembi me trëndafilin, bilbili me korbin. Gjërat që në esencë duken si antagonistë të njëri-tjetrit, e plotësojnë njëri-tjetrin, alternativin e vet. Në gjithësi nuk ka asnjë gjë, asnjë dukuri e asnjë ngjarje boshe e të kotë. Për shembull, sikur t’i asgjësonim të gjithë qentë që gjenden mbi tokë, në gjithësi do të krijohej një boshllëk. Dikur, një mendimtar perëndimor pati njoftuar me anë të një shkrimi gazete se një lloj zogu apo shpendi kishte filluar të pakësohej e asgjësohej, gjë që do të shkaktonte një të çarë me rëndësi në univers.

Në ecurinë normale të gjithësisë, çdo gjëje dhe çdokujt i bie një detyrë e caktuar. Për këtë arsye, çfarëdo që të hiqni nga gjoksi i gjithësisë, në vendin e saj do të formohet një boshllëk, një pështjellim dhe kjo gjendje do të informojë me gjuhën e saj kështu: “Në gjithësi u formua një boshllëk”!

Sipas Buhariut dhe Muslimit, profeti Muhamed (s.a.s.) ka thënë: “Sikur qentë të mos ishin një popullatë më vete, do të kisha urdhëruar të vriteshin të gjithë!”[2] Edhe qentë, ashtu si njerëzit, janë një popullatë (biologjike) më vete. Edhe popullata e qenve ka marrë përsipër detyra të mëdha dhe zë vendin e vet të pazëvendësueshëm në gjithësi. Ndoshta, qentë që i sulmojnë njerëzit, që pengojnë hyrjen e engjëjve nëpër shtëpi dhe që është bartës i një sërë mikrobesh të dëmshme për trupin dhe shëndetin e njeriut, do të duhej të vriteshin gjer në asgjësim. Por nuk vriten e nuk asgjësohen, sepse edhe ata kanë vendin e tyre në pallatin e gjithësisë. Thelbësore është jo të vriten e të asgjësohen qentë, por të njihet vendi i tyre në gjithësi dhe të vihen ata në vendin që u takon. Po të vriten e të asgjësohen, do të shkaktohet një dëm i madh i papërballueshëm e i pakompensueshëm.

Po qe se asgjësohen bakteret e bimëve, pas disa vjetëve mbi frutat do të bien fatkeqësi të tilla që do të jetë e pamundur të shpëtohen. Me anë të qenieve që janë antagonisti dhe alternativi i njëra-tjetrës, Zoti ka ngritur një regjim rregulli dhe ekuilibri në gjithësi. Po qe se ju zhdukni njërin antagonist dhe alternativ, do të mbeteni ballëpërballë me invazionin e antagonistit dhe alternativit tjetër.

Sigurisht, gjithësia është një ndërtesë e tillë, gurët përbërës të së cilës janë të lidhur e të ndërvarur nga njëri-tjetri. Po qe se ju shkon mendja të hiqni një gur prej saj, do të bëni që ndërtesa t’ju shembet mbi krye!

Në mënyrë të veçantë, në dukuritë dhe ngjarjet sundojnë ciklet ose regjimi ciklik. Një shkencëtar ka zbuluar dhe përcaktuar se te të lashtat, prodhimet më të mëdha merren në cikle shtatëvjeçare, kurse te peshqit, në cikle katërmbëdhjetëvjeçare. Po qe se çështja e regjimeve ciklike do të shqyrtohej dhe njihej në mënyrë plotësisht shkencore, shumë probleme ekonomike e shoqërore të njerëzimit do të zgjidheshin. Në Kur’an dhe veçanërisht në suren Jusuf, aludohet mbi këtë çështjen e cikleve e të regjimit ciklik. Fakti që ciklet funksionojnë dhe përsëriten në mënyrë të rregullt, aludojnë dhe vërtetojnë faktin se edhe jeta e kësaj bote është një cikël ose pjesë e një regjimi ciklik. Një ditë, cikli i jetës mbi tokë do të marrë fund dhe do të fillojë një cikël tjetër. Njeriu që jeton në këtë botë mes begatisë e bollëkut, do të jetojë edhe jetën e varrit që bart kuptimin e ngushticës, mospasjes, zisë dhe urisë. Pas saj, njeriu do të kalojë ciklin e ringjalljes dhe në ciklin tejet të vështirë të llogaridhënies. Pastaj do të vijë cikli i kalimit nëpër të ashtuquajturin Sirat, do të arrijë në xhenet, nëse do të arrijë dot aty, dhe do ta shohë bukurinë e mundshme për t’u parë të Zotit. Por në të mirat e dhëna ose, në të kundërt, në mundimet e hequra, nuk do të ketë ambientim. Edhe në xhenet apo xhehenem, njeriu do të përballet me cikle të ndryshme.

Adijj b. Hatem (r.a.) ka qenë i biri i njeriut më bujar në botë, Hatem Taiut. Në fillim pati ndjekur krishterimin, pastaj pati gjetur fenë e vërtetë, Islamin. Ai thotë kështu: “I Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati njoftuar disa ngjarje përkatëse të kësaj bote para se të ndodhnin. Veç kësaj, pati njoftuar edhe ngjarje përkatëse të jetës tjetër, ahiretit. Njoftimet që kishin lidhje me këtë botë u vërtetuan identikisht. Nga kjo kuptoj se edhe njoftimet e tij mbi jetën tjetër, ahiretin, do të vërtetohen në të njëjtën mënyrë”![3]

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) qe lutur kështu për Hz. Enesin (r.a.): “Allahu im, jepi jetë të gjatë dhe shumë fëmijë! Dhe fute këtë në xhenet!” Hz. Enesi (r.a.) jetoi mbi njëqind vjet dhe, siç tregon vetë, njëqind bij të barkut të vet i varrosi me duart e veta! Hz. Enesi (r.a.) thoshte: “Dy nga lutjet që pati bërë për mua i Dërguari i Allahut, i pashë të realizohen; edhe për të tretën kam shpresë!”[4]

Ne jetojmë brenda një bote ciklesh të vendosura nga Zoti. Mirëpo bota jonë e këtushme mbaron si një vjershë e parimuar. Bota tjetër do ta plotësojë rimimin e kësaj bote. Realizimi identik i njoftimeve të dhëna (të paralajmëruara) për këtë botë vërteton plotësimin edhe të një ngjarjeje që do t’i gëzojë besimtarët dhe do t’i hidhërojë mohuesit.

Sapo të lindë, njeriu fillon të jetojë në një anë e, të vdesë, në anën tjetër. Çdo lindje është lajmëtari i një vdekjeje dhe çdo vdekje është lajmëtari i një lindjeje.  Po qe se në përfundim nuk do të ketë një lindje të përjetshme, njeriu është qenia më fatkeqe e tokës. Për rrjedhojë, njerëzit më fatkeqë ndër njerëz do të duhej të konsideroheshin profetët dhe, ndër profetët, Profeti Muhamed (s.a.s.)! Kurse ai është shkaku i krijimit të të gjithë njerëzimit. Pema njerëzore është mbjellë për të dhënë atë frut. Çdo ngjarje qysh nga dalja e njeriut mbi tokë e gjer te profetët që kanë dalë mes njerëzve, e vërteton jetën tjetër, ahiretin, si rezultat përfundimtar.

Veçanërisht, të gjitha argumentet që vërtetojnë Allahun si Zot, Hz. Muhamedin si profet dhe Kur’anin si fjalë të Allahut, e vërtetojnë, në të njëjtën kohë, edhe jetën tjetër, ahiretin! Sepse besimi është një e tërë dhe nuk pranon fragmentim dhe pjesëtim.


[1] Prodhimi në impiante industriale i baktereve të fermentimit kryesisht për industrinë ushqimore, i baktereve dhe mikrobeve për industrinë farmaceutike, etj. është sot një realitet. Përkthyesi.
[2] Ebu Davud, Edahi, 22; Tirmidhi, Sajd, 16-17; Nesei, Sajd, 10; Ibni Maxhe, Sajd, 2; Darimi, Sajd, 3; Ahmed b. Hanbel, 4/85; 5/54, 56, 57.
[3] Buhari, Menakib, 25; me pak ndryshime në shprehje, Ahmed b. Hanbel, 4/257, 378.
[4] Buhari, Davaat, 18, 47; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 141, 142; Mesaxhid, 268; Ahmed b. Hanbel, 3/248.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.