Gyleni dhe Milli për Lirinë

Mendimtarët humanistë e vendosin lirinë e mendimit dhe të të shprehurit në një vend qendror të platformës së tyre, si nga pikëpamja filozofike, ashtu edhe nga ajo social-politike. Shtypi i lirë, protestat e lira dhe paqësore, liria e besimit fetar, e drejta e zgjedhjes dhe të tjera institucione si këto në Perëndim, që të gjitha burojnë nga idealet e lirisë, të artikuluara në humanizmin modern, ndërsa në pjesë të tjera të botës, duke përfshirë vendet myslimane, këto të drejta e kanë zanafillën nga burime të tjera.

Nga pikëpamja filozofike, idealet e lirisë shtrihen mbrapa në kohë që në lashtësi, kur filozofët luftonin me vetveten dhe të tjerët me anë të të gjitha llojeve të ideve dhe debatonin në vende të hapura, siç ishin tregjet, me çdo njeri që vihej t’i dëgjonte. Disa nga idetë më të mëdha të shkollës klasike të mendimit vijnë nga këta filozofë të cilët edhe nëse dënoheshin me vdekje, apo detyroheshin të emigronin për shkak të ideve të tyre, i lejonin vetes të mendonin dhe të shpreheshin lirisht duke kundërshtuar që të bllokonin mendjet dhe zërin e tyre kur shteti e urdhëronte diçka të tillë.

Në Perëndimin modern, filozofë dhe shkrimtarë të ndryshëm e shprehin fuqimisht këtë ideal të lirisë. Megjithatë, sipas këndvështrimit tim, asnjeri nuk e shpreh atë më qartë dhe më thellë se teoricieni social dhe politik i shekullit të nëntëmbëdhjetë, britaniku Xhon Stjuart Mill. Në këtë kapitull, unë e vendos Millin në dialog me Gylenin në lidhje me çështjen e idealeve të lirisë së mendimit. Mill dhe Gylen janë thellësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri në shumë drejtime të rëndësishme. Pavarësisht konteksteve dhe këndvështrimeve të tyre të ndryshme, të dy këta flasin për vizione të veçanta të shoqërisë, e cila, të paktën teorikisht, duhet të jetë tolerante në çështjet që lidhen me besimin fetar dhe praktikimin e tij, duke lejuar debatet në çështjet që kanë të bëjnë me të vërtetën në të gjithë bashkësinë e tyre të përcaktimit. Këto ngjashmëri ndërmjet “shoqërive” të tyre respektive ekzistojnë falë përpjekjeve të tyre të përbashkëta në drejtim të idealeve të lirisë, veçanërisht në çështjet e lirisë së mendimit dhe të ndërgjegjes.

Milli ndoshta është më i famshëm për “Utilitarianizmin”, veprën e tij në lidhje me etikën filozofike dhe unë do t’i referohem këtij libri gjatë këtij kapitulli. Megjithatë, së pari, dëshiroj të përqendrohem në një vepër tjetër të tij “Në Liri”, të botuar në vitin 1859. Në këtë tekst, Milli e konsideron projektin e tij si një artikulim për lirinë shoqërore dhe civile me fjalët: “Natyra dhe kufijtë e fuqisë që mund të ushtrohet në mënyrë të ligjshme nga shoqëria mbi individin.”[1 ]Ai shpjegon se një brez i mëparshëm në Perëndim mbahej me anë të tiranisë së gjykatësve dhe prandaj përdorte forma qeverisjeje përfaqësuese që shmangnin fuqinë despotike që buronte nga e drejta hyjnore e mbretërve dhe nga burime të ngjashme me këto. Ai dhe brezi i tij janë përfituesit e asaj lufte të papërsëritshme kundër kësaj lloj tiranie.

Por pavarësisht kësaj, Milli thotë se brezi i tij, i shekullit të nëntëmbëdhjetë në Britani, duhet të luftojë kundër një lloj tjetër tiranie, tiranisë së shumicës. Milli thotë:

“Mbrojtja kundër tiranisë së gjykatësve nuk është e mjaftueshme. Nevojitet gjithashtu mbrojtje kundër tiranisë së opinioneve dhe ndjenjave mbizotëruese, kundër tendencës së shoqërisë për t’u imponuar nga njerëzit të cilët ndëshkojnë për idetë e të tjerëve, që janë të ndryshme nga të tyret, kundër atyre që përpiqen të ndalojnë zhvillimin dhe nëse është e mundur të parandalojnë formimin e individëve jo në harmoni me mënyrat e tyre të të jetuarit duke pretenduar kështu të modelojnë çdo karakter njerëzor sipas formës së tyre. Ekziston një kufi në ndërhyrjen e ligjshme të opinionit kolektiv mbi pavarësinë individuale dhe për ta gjetur këtë kufi dhe përmbajtjen e tij të fortë kundër ndërhyrjeve të tilla, nevojitet domosdoshmërisht një kusht thelbësor që është mbrojtja ndaj despotizmit politik.”[2]

Me fjalë të tjera, Milli e pikas një tirani të tillë që ekziston në shoqëri edhe në rastet kur qeverisja është shumë përfaqësuese. Kjo tirani mund të jetë shoqërore, apo civile, një shtypje që shoqëria ushtron mbi anëtarët e saj, për t’i detyruar ata të sillen konform besimit dhe praktikave “normale” në çdo aspekt të jetës, thjesht dhe vetëm se ato përbëjnë “norma” dhe praktikohen nga shumica e anëtarëve të shoqërisë. Prandaj, sipas logjikës së shumicës, çdokush duhet të ecë sipas vijës së duhur, ose në rast të kundërt, duhet detyruar të veprojë kështu. Milli nuk e pranon këtë lloj tiranie dhe përpiqet të përcaktojë parimet sipas të cilave ne mund të përkufizojmë ndërhyrjen e ligjshme të shtetit, apo agjentëve shoqërorë ndaj lirisë së individit, edhe pse këto përkufizime bazohen krejtësisht në parapëlqimet apo traditat personale. Ai e thekson parimin e tij të lirisë qytetare në fillim të esesë së tij:

“Kufiri i përpiktë, i poshtëm, i garantuar, nën të cilin nuk mund të ndërhyjë askush individualisht apo në grup kundër lirisë së veprimit të cilitdo prej pjesëtarëve të shoqërisë, është vetëmbrojtja. Prandaj, qëllimi i vetëm, për të cilin mund të ushtrohet forcë në mënyrë të ligjëruar mbi ndonjë pjesëtar të bashkësisë së qytetarëve kundër dëshirës së tij, është parandalimi i dëmtimit të të tjerëve. Imuniteti fizik, apo moral i një personi të tillë, në këtë rast nuk përbën një garanci të mjaftueshme... Individi është i pavarur në veten e tij, në mendjen dhe trupin e tij.”[3]

Ky përbën një parim radikal të lirisë, të cilin ndoshta asnjë shoqëri bashkëkohore nuk e zbaton në mënyrë të vazhdueshme. Kësisoj përbën një dëm të drejtpërdrejtë dhe të matshëm ndaj të tjerëve, nën justifikimin e mosndërhyrjes së autoriteteve civile dhe shtetërore ndaj veprimeve të individëve. Ky parim ndoshta është më shumë liberal seç duhet për Gylenin. Për shembull, Islami, në përgjithësi, e ndalon vetëvrasjen, kështu që parimi i lirisë së Millit, i kufizuar vetëm në dëmin që u shkaktohet të tjerëve e jo vetvetes, është i pamjaftueshëm. Gyleni duke ndjekur mësimet e islamit, ndoshta do të thoshte se njerëzit nuk janë të lirë të dëmtojnë vetveten në formën e vetëvrasjes. Megjithatë ekziston një rezonancë ndërmjet Gylenit dhe Millit mbi këtë ide të lirisë, veçanërisht përsa i përket lirisë së mendimit dhe të të shprehurit, së cilës Milli i kushton një kapitull të tërë në esenë e tij.

Milli, pa ekuivoke, e përkrah lirinë e mendimit dhe të të shprehurit edhe nëse idetë e shprehura, apo të diskutuara në shoqëri, në fund rezultojnë të rreme. Ai thotë se në çdo gjë që thuhet, qoftë kjo e vërtetë, apo jo, ekziston një përqindje vërtetësie dhe një përqindje tjetër falsiteti. Pavarësisht kësaj, interesave të shoqërisë u shërbehet më mirë, kur lejohet shprehja dhe diskutimi i lirë i ideve. Në qoftë se pikëpamja e shtruar për diskutim është e vërtetë, njerëzit do të ndjejnë kënaqësi duke e diskutuar, duke risjellë në kujtesë argumentet për vërtetësinë e saj dhe duke e mbrojtur atë nga kundërshtarët e saj. Në këtë mënyrë, idetë e vërteta mbeten të gjalla dhe ndikuese për njerëzit, në vend që të shndërrohen në doktrina të pranuara për të vërteta, pa e vrarë shumë mendjen nga ana e brezave që vijnë. Por nëse ideja është false, shoqëria përsëri përfiton nga diskutimi publik. Çdo njeriu të përfshirë në diskutimin e saj i bëhen të qarta herë pas here falsitetet që ajo përmban dhe si rezultat, njerëzit e përqafojnë të vërtetën më shpejt dhe më plotësisht sesa më përpara, për shkak të bindjes së tyre të ripërtërirë. Po kështu, Milli thotë se ideja e shprehur duhet të jetë një përzierje e së vërtetës dhe falsitetit. Realisht, asnjeri nuk ka monopolin e së vërtetës së plotë mbi çdo gjë. Mendjet njerëzore nuk mund ta konceptojnë të vërtetën në tërësinë e saj për asgjë dhe sigurisht këtu bëhet fjalë edhe për Zotin, apo të Pafundmen, sepse ne nuk i njohim plotësisht këto koncepte në vetvete, por përdorim vetëm perceptimin tonë pozicional të gjërave. Mendjet njerëzore madje, nuk mund ta konceptojnë as pafundësinë. Prandaj, të gjitha idetë duhet të shprehen lirisht në shoqëri, në mënyrë që këto të vërteta të pjesshme, të mund të shtrëngohen rreth të vërtetave të plota nëpërmjet mekanizmit të angazhimit dhe debatit civil.

Dobitë shoqërore të mendimit dhe të diskutimit të lirë janë mjaft të qarta, por Milli futet më thellë në impaktin aktual që ka mendimi i lirë mbi individët të cilët ndërtojnë shoqëritë. Shoqëritë, veçanërisht në aspektin fetar, shumë shpesh e shmangin mendimin dhe diskutimin e lirë, në përpjekje për të ndaluar herezinë, por një shmangie e tillë nuk ndikon tek heretikët, ashtu siç mund të ndodhë me njerëzit e tjerë. Milli thotë:

“Dëmi më i madh i shkaktuar në këtë rast është ndaj atyre që nuk janë heretikë, si dhe ndaj atyre të cilëve u është bllokuar zhvillimi mendor dhe arsyeja e tyre është përkulur nga frika e herezisë. Kush mund ta zëvendësojë atë çfarë bota humbet në tërësinë e intelektualëve premtues, por me karakter të brishtë, të cilët nuk janë të aftë të ndërmarrin iniciativa drejt daljes nga guaska e mendimeve të varura dhe të ecin drejt rrugës së pavarësisë së mendimit, duke mos pasur frikë se mund të kryejnë veprime të konsideruara jofetare dhe imorale?”[4]

Milli vë theksin këtu në faktin se frika e përhershme e herezisë, nxjerr në pah jo vetëm heretikët, por frenon edhe ata të cilët kanë ide të ndryshme, në lidhje me çështje të caktuara, duke përfshirë edhe traditat e trashëguara, edhe në rast se ato konsiderohen të shenjta. Kur kërcënimi i ndëshkimit për herezinë është kaq i fortë në një shoqëri, apo kur një shoqëri i kërcënon njerëzit me ndëshkime në rast se ata shprehin ide të ndryshme nga ato të lejuara prej “autoriteteve” të vendit, e gjithë shoqëria vuan. Fortësia mendore vjen me anë të luftës dhe të praktikës. Një shoqëri e cila nuk e pranon mendimin dhe debatin e lirë, shndërrohet në një shoqëri të dobët dhe të atrofizuar. Mill vazhdon:

“Askush nuk mund të jetë një mendimtar i madh, në rast se nuk e kupton se detyra e parë e tij si mendimtar është që të ndjekë mendjen e tij drejt çfarëdolloj konkluzioni, drejt të cilit ajo mund ta çojë. Të vërtetat fitojnë shumë edhe nga gabimet e një njeriu i cili duke studiuar dhe duke u përgatitur mendërisht e shpreh mendimin e tij, sesa nga opinionet e atyre të cilët i trashëgojnë këto mendime, duke mos e vrarë shumë mendjen t’i nxjerrin konkluzionet vetë.”[5]

Idetë e vërteta bëhen të varfra dhe të dobëta, kur nuk stërviten në fushën e debatit dhe diskutimit të lirë. Njerëzit që shprehin idetë e vërteta, nuk i posedojnë ndershmërisht ato në qoftë se nuk ia kanë lejuar vetvetes mendimin e lirë, i cili nxjerr në pah shumë pyetje në lidhje më këto të vërteta. Megjithatë, Milli thotë që çështja nuk është vetëm krijimi thjesht i individëve mendimtarë. Ai thotë:

“Ideja nuk është vetëm që të nxjerrim mendimtarë të mëdhenj, të cilët kanë nevojë për liri mendimi. Përkundrazi, po bëhet gjithnjë e më tepër e domosdoshme të aftësojmë njerëzit e nivelit të mesëm të arrijnë gjendjen mendore, për të cilën ata kanë aftësi. Kanë ekzistuar dhe mund të ekzistojnë akoma individë mendimtarë të mëdhenj në një atmosferë skllavërie mendore. Por nuk ka ekzistuar kurrë e nuk do të ekzistojë edhe në të ardhmen popull intelektualisht aktiv në një atmosferë të tillë.”[6]

Këtu ne shohim se Milli e shpreh idealin e lirisë, për shumë arsye humaniste, duke ia bashkangjitur atë dobishmërisë. Siç shihet, në fragmentin e mësipërm, ai është i bindur se qeniet njerëzore janë qenie të cilat mendojnë, që kërkojnë të vërtetën për miliarda gjëra, që nga më mondania e deri tek më sublimja, janë qenie që krijojnë dije dhe që aktiviteti i të cilave është pjesë përbërëse e domethënies së thelbit njerëzor. Liria e mendimit, e shprehjes dhe e reflektimit është vitale, jo vetëm për gjenitë, të cilët mund të mos jenë kurrë në gjendje të përdorin gjenialitetin e tyre në të mirë të shoqërisë, pa pasur liri pune. Liria është ndoshta më tepër vitale për njerëzit e zakonshëm, për njerëzit me inteligjencë normale në mënyrë që ata të bëhen aktivë nga pikëpamja intelektuale dhe të angazhohen me punë në shoqëri. Sigurisht, kjo i sjell përfitime shoqërisë dhe përbën një parim të dobishëm dhe funksional, por kjo ide është gjithashtu edhe humaniste, sepse ka të bëjë me njerëzit e thjeshtë. Njerëzit në përgjithësi duhet të jenë të lirë të mendojnë, të reflektojnë dhe të shprehen, sepse vetëm duke u lejuar që të jenë të plotë, mund të krijohet një shoqëri që ka në themelet e saj njerëz të aftë.

Në këtë çështje ne mund të përfshijmë në diskutim edhe Gylenin, sepse shpesh ai flet për idealin e lirisë, si në aspektin humanist, ashtu edhe në atë utilitarian. Gyleni në veprat e tij flet shpesh për çlirimin nga tirania. Në shumë aspekte, ai i referohet tiranisë së grupeve të ndryshme myslimane të viteve të fundit, të ushtruar nga pesha e laicizmit dhe kolonializmit. Në aspekte të tjera, megjithatë, ai flet më përgjithësisht rreth lirisë që çdo individ duhet të ketë, në mënyrë që të bëhet një qenie e vërtetë njerëzore. Pikëpamjet e tij janë të ngjashme me parimin e lirisë së Millit, kur thotë se “liria i lejon njerëzit të bëjnë çfarë dëshirojnë”, duke garantuar mosdëmtimin e të tjerëve dhe qëndrimin e tyre plotësisht besnik ndaj së vërtetës.”[7] Fraza e fundit, “qëndrimin e tyre plotësisht besnik ndaj së vërtetës”, mund ta bënte Millin të mendonte për një moment, por ai mund të argumentonte se edhe ata të cilët kanë humbur në vorbullën e falsitetit i janë përkushtuar së vërtetës së tyre, ata gabojnë vetëm në faktin se e vërteta e tyre nuk është e vërteta reale. Të flasësh, apo të veprosh në një mënyrë “jo të përkushtuar ndaj së vërtetës” mund të përfshijë për Millin dhe Gylenin akte si dhuna, plaçkitja, apo zjarrvënia në një teatër të populluar ku nuk ekziston zjarri.

Thirrjet e Gylenit për tolerancë janë të pakonceptueshme, pa arritur më parë lirinë e mendimit dhe të debatit, kryesisht për faktin se toleranca është e panevojshme, nëse liria e mendimit, debatit, zgjedhjes personale e kështu me radhë, nuk është e lejuar. Toleranca është një virtyt që del në pah, kur njerëzit janë të lirë dhe zgjedhin fe, besime dhe ide të ndryshme për të ndjekur. Gyleni e thekson këtë shumë herë në çështjet që kanë të bëjnë me demokracinë në përgjithësi, apo në krahasimin e demokracisë me Islamin, mes të cilave ai nuk sheh mospërputhje. Në një fragment rreth pajtimit, Gyleni i vendos tolerancën dhe demokracinë krahas konceptit të lirisë. Ai thotë: “demokracia është një sistem që i jep çdokujt, që është nën pushtetin e saj, mundësinë për të jetuar dhe për të shprehur lirisht ndjenjat dhe mendimet e tij. Toleranca përbën një dimension të rëndësishëm të saj. Në fakt, mund të thuhet se as që mund të flitet për demokraci në një vend ku nuk ekziston toleranca.”[8]

Megjithatë, thënie të tilla nuk e përmbajnë aspektin radikal të mendimeve të Millit rreth domosdoshmërisë së lirisë dhe nevojës për mbrojtjen e njerëzve nga tirania shoqërore. Vetëm kur Gyleni paraqet nocionin e tij të qenieve ideale njerëzore, apo “trashëgimtarëve të tokës”, siç i quan ai në një vepër, ne shohim jo vetëm përpjekje të mëdha për lirinë, por edhe një arsyetim të saktë në lidhje me një përpjekje të tillë, arsyetim racional nga pikëpamja humaniste. Në veprën “Statuja e shpirtrave tanë”, ai paraqet një vizion të gjerë për një shoqëri dhe botë të udhëhequr nga individë me veti të shkëlqyera shpirtërore, morale dhe intelektuale. Ai i quan këta njerëz “trashëgimtarë të tokës”[9 ]dhe shkon edhe më thellë në përshkrimin e karaktereve dhe cilësive të tyre. Në renditjen e vetive të tyre kryesore ai rendit si të parën “të qenurit të aftë që të mendojnë lirisht dhe të respektojnë plotësisht lirinë e mendimit.”[10] Ai vazhdon:

“Të qenurit të aftë dhe të gëzuarit e lirisë përbën një aspekt thellësisht domethënës të vullnetit njerëzor dhe një portë misterioze përmes së cilës njeriu mund të depërtojë në sekretet e vetvetes. Një individ i cili është i paaftë të depërtojë aty dhe të kalojë portën e lartpërmendur, vështirë se mund të quhet qenie njerëzore.”[11]

Kështu, liria e mendimit është thelbësore për një qenie njerëzore dhe për njerëzimin vetë. Pa të, jo vetëm si parim shoqëror, apo politik, por edhe si aftësi në vetvete, një njeri nuk mund të quhet realisht qenie njerëzore. Me fjalë të tjera, askush nuk e arrin kapacitetin e duhur njerëzor, pa lirinë e mendimit. Gyleni e përpunon edhe më tej mendimin me fjalët:

“Në rrethana ku është imponuar kufizimi i të lexuarit, të menduarit, i ndjenjave dhe i të jetuarit, është e pamundur të arrihen aftësitë e duhura njerëzore, të nxjerra në pah në kushtet e rilindjes dhe të përparimit. Në një situatë të tillë, është mjaft e vështirë të ruhet edhe niveli i njeriut të rëndomtë e të zakonshëm, duke mos e lënë atë të formojë personalitetin e duhur, gjë që mund të sillte lindjen e kokave të mëdha, të cilat do ta çonin shoqërinë drejt reformave dhe sytë e të cilëve do të shihnin drejt pafundësisë. Në rrethana të tilla ekzistojnë vetëm karaktere të dobëta që do të kishin shmangie nga personaliteti i tyre dhe njerëz me shpirtra dhe ndjenja të paralizuara.”[12]

Zhvillimi njerëzor dhe më gjerësisht, zhvillimi dhe rritja shoqërore që përfshin reformat dhe progresin, varen nga liria e mendimit dhe e të jetuarit. Një shoqëri pa një liri të tillë, nuk i ushqen njerëzit me shpirt dhe me vizion, çka dhe do t’i çonte ata drejt dimensioneve të reja. Madje një shoqëri e tillë do të bënte që njerëzit të mos e zotëronin plotësisht kapacitetin e tyre. Këtu, idetë e Gylenit përputhen me ato të Millit, sepse që të dy flasin për lirinë dhe domosdoshmërinë e saj, për shoqërinë dhe vlerat njerëzore. Në fakt, Gyleni bashkohet me Millin në idenë që liria është e dobishme për shoqërinë, falë “punës” që ajo bën në krijimin dhe zhvillimin e qenieve njerëzore drejt individëve. Siç pamë në kapitullin e mëparshëm, qeniet njerëzore kanë një vlerë shumë të madhe. Kjo sjell që zhvillimi i aftësive njerëzore përbën në vetvete një vlerë shumë të madhe.

Gyleni ankohet për historinë moderne të Turqisë dhe rajoneve të tjera myslimane, ku njerëzit kanë përjetuar dhe nganjëherë vazhdojnë të përjetojnë struktura shoqërore, në të cilat liria e mendimit dhe e të të mësuarit janë të ndaluara, ndonjëherë edhe nëpërmjet censurës së ashpër, apo ideologjive mbizotëruese të sponsorizuara nga shteti. Duke folur veçanërisht për botën e mësimeve islame, ai përmend një të kaluar të gjallë dijetarësh dhe shkollash mendimi, të cilat ishin të hapura ndaj dijeve dhe hulumtimit shkencor në fusha të ndryshme. Në një qytetërim të tillë, kufijtë e përpiktë të përcaktuar për lirinë e kishin bazën në Sunetin e Profetit Muhamed dhe në burimet e tjera islame, të cilat në vetvete theksonin vlerat e larta të lirisë njerëzore. Ky shpirt dijetarësh, megjithatë, i hapi rrugë një praktike mësimi përmendësh të veprave të miratuara a priori, gjë që e ngushtoi dimensionin e lirisë. Në këtë mënyrë, i gjithë potenciali njerëzor filloi dalëngadalë dekadencën e tij duke u bërë lehtë pre e tiranëve, ideologëve dhe kolonialistëve oportunistë.

Ai flet për një rilindje të myslimanëve, në mënyrë që qytetërimi islam të zërë përsëri një vend kyç në udhëheqjen globale, siç ka bërë në shekujt e kaluar, kur shumë aspekte të qytetërimit u morën nga bota islame. Që kjo të ndodhë, ai thotë:

“Ne duhet të bëhemi më të lirë, për të menduar dhe për të vepruar. Ne kemi nevojë për ato zemra të gjera, të cilat mund të përqafojnë lirinë e plotë të mendimit, të cilat janë të hapura ndaj dijes, shkencave dhe kërkimit shkencor, si dhe atyre që mund ta perceptojnë siç duhet përputhjen mes Kuranit dhe Sunetullahut në spektrin e gjerë të universit të jetës.”[13]

Pa rinovuar aftësinë e lirisë së mendimit, si nga pikëpamja intelektuale, ashtu edhe nga ajo kolektive, qytetërimi islam, e madje i gjithë qytetërimi mbarëbotëror, është i humbur. Nuk ekziston asnjë mundësi e qenies së një qytetërimi të fortë dhe autentik, pa lirinë e mendimit. Nuk ka mundësi të ekzistojë një qytetërim madhështor, pa njerëzimin autentik.

Kështu, Gyleni dhe Milli përputhen me njëri-tjetrin në shumë aspekte të rolit vital që luan liria në shoqëri, si nga pikëpamja e funksionimit të saj, ashtu edhe në drejtim të përpjekjeve për humanizëm të përgjithshëm. Një shoqëri që shtyp mendimin e lirë, nuk është një shoqëri e punës dhe e zhvillimit. Një shoqëri që nuk i respekton vlerat e njerëzve, nuk ka rëndësi shkelja e interesave të tyre, sidomos kur bëhet fjalë për të mbajtur gjallë shtypjen e ushtruar mbi ta.

Megjithatë, do të doja të flisja për lirinë sipas Millit dhe Gylenit nga një këndvështrim paksa i ndryshëm. Kjo ka të bëjë me cilësinë e lirisë që ata shpallin në veprat e tyre respektive. Ne mund të shohim se cilësia e lirisë e qenieve njerëzore, për të cilën bën fjalë secili prej tyre, është e një lloji që vetëm njerëzit e posedojnë dhe që në njëfarë mënyre konfirmon vendin e veçantë që njerëzit kanë në botë, vend që reflektohet në këndvështrimin humanist.

Përsa i përket temës së lirisë, Milli është më shumë i njohur për esenë e tij “Në Liri”, gjë që përbën edhe arsyen përse jam përqendruar tek ajo në këtë kapitull. Vepra tjetër madhore e tij është “Utilitarianizmi”, një vepër e etikës filozofike që hedh poshtë etikën Kantiane dhe synon të shpalosë një filozofi etike të rrënjosur në lumturi, apo në kënaqësi. Utilitarianizmi, si filozofi, daton para Millit, sigurisht, dhe vazhdon me emra të tjerë përgjatë historisë duke përfshirë epikurianizmin. Emri më i zakonshëm për këtë lloj filozofie gjatë epokës së Millit ishte “Parimi i lumturisë së madhe.” Milli e përkufizon kështu utilitarianizmin në këtë libër:

“Besimi që pranon si themel të moralit “dobishmërinë”, apo me fjalë të tjera “parimi i lumturisë së madhe”, thotë se veprat janë të drejta në proporcion me tendencën e tyre për të siguruar lumturi, dhe të gabuara, për sa kohë që ato tentojnë të sjellin të kundërtën e lumturisë. Me lumturi nënkuptohet kënaqësia dhe mungesa e ankthit, ndërsa me palumturi, ankthi dhe mungesa e kënaqësisë... Kënaqësia dhe çlirimi nga ankthi përbëjnë si objektiv përfundimtar të vetmet gjëra të dëshirueshme... Të gjitha gjërat e dëshirueshme (të cilat janë të shumta në utilitarianizëm, si në çdo skemë tjetër) janë të dëshirueshme, si për kënaqësinë që bartin në vetvete, ashtu edhe për mënyrën e tyre të promovimit të kënaqësisë dhe parandalimit të ankthit.”[14]

Në utilitarianizëm, ashtu si në epikurianizmin e lashtë, kënaqësia dhe ankthi përbëjnë etalonin e së mirës, të dëshirueshmes dhe të keqes. Milli e përkufizon këtu utilitarianizmin në një mënyrë krejtësisht konsistente me filozofinë e lashtë greke. Ai thotë se ashtu sikurse edhe pasuesit e lashtë të Epikurit, ai dhe mendimtarë të tjerë utilitarianistë akuzohen nga kundërshtarët e tyre se mbështesin një filozofi të gabuar për shkak se ajo nuk ka asgjë të mirë, apo të lartë për të ndjekur, përveç kënaqësisë dhe se ajo duket “e gënjeshtërt dhe e pabazë si doktrinë”[15]. Milli i përgjigjet këtyre akuzave në të njëjtën mënyrë me epikurianët e lashtë, duke thënë se nuk janë utilitarianistët, por kritikuesit e tyre ata të cilët janë duke ulur nivelin e qenieve njerëzore duke thënë se ato janë të afta vetëm për kënaqësi të ngjashme me ato të derrave. Me fjalë të tjera, njerëzit e hedhin poshtë epikurianizmin (të quajtur shpesh hedonizmi etik) përsa i përket parimit të lumturisë së madhe, për shkak se në mendjet e tyre, fjalë të tilla si “kënaqësi” dhe “lumturi”, ilustrohen me imazhe të shthurjes, degjenerimit dhe zvetënimit. Nëse kjo është ajo çfarë nënkupton fjala “kënaqësi”, atëherë sigurisht që njerëzit nuk do ta pranojnë atë si parim bazë të etikës. Megjithatë, Milli, sikurse bënë edhe epikurianët, e hedh poshtë këtë kriticizëm, në radhë të parë, sepse ai i konsideron qeniet njerëzore si qenie me aftësi më të mëdha se kafshët dhe si të tillë, të aftë dhe më të përshtatshëm për kënaqësi të një niveli më të lartë. Ai shpjegon:

“Krahasimi i jetës, sipas epikurianëve, me atë të kafshëve duket degradues për faktin se kënaqësitë e kafshëve nuk janë të përshtatshme për konceptin e lumturisë së qenieve njerëzore. Qeniet njerëzore kanë cilësi më të zhvilluara sesa oreksi i kafshëve dhe, kur ato bëhen të vetëdijshme për këtë, nuk e konsiderojnë asgjë që nuk përfshin këtë epërsi si lumturi... Nuk ekziston asnjë teori e njohur e epikurianizmit për jetën, e cila të mos bëjë fjalë për kënaqësinë e mendjes, për ndjenjat dhe imagjinatën dhe për ndjeshmërinë morale që përbën një vlerë shumë më të lartë se kënaqësia e rëndomtë.”[16]

Kështu, ne mund të vërejmë këtu dallimin e madh ndërmjet kënaqësisë njerëzore dhe asaj shtazore dhe epërsi në lidhje me cilësitë më të larta njerëzore dhe aftësitë e trashëguara, për të gjetur kënaqësi në gjërat e bukura. Këto gjëra të bukura janë pjesë e mbretërisë së mendjes, emocioneve dhe ndërgjegjes dhe nuk janë pre e mbretërisë së trupit, apo epshit. Milli nuk hedh poshtë aftësitë e njerëzve për kënaqësi trupore, përkundrazi, ai thjesht mbron vetveten nga sulmet që i bëhen me akuzën e të ekspozuarit ndaj ethosit që vë në vend të parë kënaqësitë trupore. Qeniet njerëzore, të cilat përbëjnë qeniet e vetme që zotërojnë aftësi morale dhe që mund të zhvillojnë filozofi morale, kanë aftësi më të mëdha se kafshët për të përjetuar kënaqësi, prandaj kënaqësitë që përbëjnë bazën e një filozofie të tillë, duhet të jenë të një natyre fisnike.

Milli vazhdon më tej duke thënë se njerëzit, të cilët kanë përvojë të gjerë, si në kënaqësitë e nivelit të lartë, ashtu edhe në ato të nivelit të ulët, i japin përparësi së parës dhe parapëlqejnë një mënyrë ekzistence që i jep përparësi kënaqësive të nivelit të lartë. “Asnjë person me mendje të shëndoshë, nuk do të donte të zinte vendin e kafshës në këmbim të marrjes së dozës së plotë të kënaqësisë shtazore“, thotë ai. Kënaqësitë e plota shtazore që janë instinktive dhe trupore, nuk krahasohen me kënaqësitë e larta të mendjes, emocioneve dhe ndërgjegjes, edhe nëse këto kënaqësi të larta shoqërohen me ndopak dhimbje. Milli thotë:

“Një qenie me aftësi të larta, kërkon diçka më tepër për ta bërë atë të lumtur, ai ndoshta është i aftë për të kaluar çaste vuajtjeje dhe është i predispozuar më tepër drejt saj në momente të caktuara, sesa një qenie e një lloji më të ulët, por, megjithatë, ai kurrë nuk do të donte të notonte në ujërat e asaj që ai e quan një shkallë më e ulët e ekzistencës.”[17]

Qeniet me aftësi të larta, vërtet nuk bëhen të lumtura me kënaqësi të një niveli më të ulët. Lumturia që përbën një veti të qenieve njerëzore, nuk arrihet me anë të epshit, apo kënaqësive trupore, por në radhë të parë, me anë të arritjeve intelektuale, emocionale dhe etiko-shpirtërore. Kjo e vërtetë sipas Millit nuk mbulohet nga fakti i vërejtur shpesh se njerëzit në shumë raste zgjedhin kënaqësitë e nivelit të ulët në vend të të lartave. Ai e di mirë se njerëzit shpesh veprojnë në kundërshtim me atë çfarë është më e mira për ta, në emër të kënaqësisë së përkohshme dhe të ulët. Për shembull, disa zgjedhin të bëjnë tejkalim të normave në ushqim dhe në pije, në kurriz të shëndetit të tyre goxha të mirë dhe që siguron kënaqësi me kohëzgjatje më të madhe. Të tjerë braktisin idealet e larta për shkak të rehatisë personale të shkallës së ulët. Milli e shpjegon këtë duke iu referuar karakterit njerëzor, duke thënë se, sido që të arsyetojnë njerëzit, në disa raste ata e humbasin kontaktin me aftësinë e tyre të trashëguar për kënaqësi të nivelit të lartë. Ai shpjegon:

“Aftësia për ndjenja fisnike përbën në shumicën e natyrave një bimë shumë të brishtë, lehtësisht të vdekshme, jo vetëm nga ndikimet e dëmshme, por edhe nga dëshira për rehati. Në shumicën e të rinjve, ajo shuhet dhe shkon dëm, në rast se puna, së cilës ata i janë përkushtuar dhe shoqëria, në të cilën kanë rënë, nuk janë të përshtatshme për ta mbajtur gjallë këtë aftësi të lartë. Njerëzit i humbasin aspiratat e tyre të larta, ashtu sikurse edhe shijet intelektuale, për faktin se ata nuk kanë kohë, apo mundësi për t’i fituar ato dhe e zhysin vetveten në kënaqësi inferiore, jo sepse i preferojnë ato, por sepse këto janë të vetmet tek të cilat ata kanë mundësi të shkojnë, apo të vetmet që ato janë në gjendje të përjetojnë me kënaqësi më tutje.”[18]

Milli shfaqet si teoricien social në këtë fragment. Ai shpenzoi shumicën e jetës së tij duke shkruar për reformat sociale si dhe për angazhimin aktiv në politikë, për të sjellë ndryshime pozitive në edukim, në institucione civile, në të drejtat e grave dhe në kodin penal. Shumica e këtyre do të gjejnë përkrahje aktualisht edhe nga Gyleni. Për më tepër, aktiviteti i gjerë edukativ, kulturor dhe shoqëror i lëvizjes së Gylenit, do të përputhej më së miri me pikëpamjet e Millit. Aktivizmi i Millit në të gjitha këto fusha udhëhiqet nga besimi i tij. Këtë e ka edhe Gyleni dhe kjo konsiston në dinjitetin e trashëguar të qenieve njerëzore, të manifestuar në aftësitë për të arritur kënaqësi të mëdha në fushën intelektuale, emocionale dhe etike. Ai zotëron besimin e patundur se të gjithë këta komponentë të shoqërisë duhet ta reflektojnë këtë fakt dhe duhet të orientohen në një mënyrë të tillë që të ruajnë dhe të kultivojnë aftësitë për dinjitet të trashëguar tek të gjithë njerëzit që nga kohët më të lashta. Prandaj, mungesa e përpjekjeve për ta udhëhequr shoqërinë drejt kësaj rruge, përbën një padrejtësi të madhe njerëzore dhe shoqërore, apo ndoshta siç thotë Gyleni, një mëkat.

Milli në këto fragmente e përkufizon kënaqësinë në një mënyrë specifike për ta dalluar atë nga kënaqësia e rëndomtë që vjen nga liria e pakufizuar për të vepruar sipas dëshirave trupore. E ndërsa parimi shoqëror i lirisë, të cilin ai e përpunon në veprën “Në Liri”, sigurisht i jep njerëzve një hapësirë për të shpenzuar jetën e tyre sipas parimeve të interesave vetjake, as parimi e as utilitarianizmi i tij nuk e argumentojnë dot që një liri e tillë përbën qëllimin më të lartë të jetës njerëzore. Ndokush mund të thotë se në fakt nuk ekziston liria në kuptimin e plotë të fjalës, por ajo paraqitet si një formë specifike e bindjes, apo skllavërisë. Në këtë pikë, Gyleni mund të përfshihet në diskutim për arsye se përgjatë gjithë veprave të tij, ai e bën dallimin midis jetës së jetuar në kërkim të së mirës, së vërtetës, së bukurës dhe fisnikes, si dhe jetës së shpenzuar nëpër kënaqësi të përkohshme, të rëndomta dhe të zakonshme trupore. Ne do ta diskutojmë këtë dallim më tepër në kapitullin e ardhshëm, por tani për tani, le të themi se Gyleni e përkufizon lirinë në një mënyrë paralele me atë të Millit, në aspektin e dinjitetit dhe aftësive njerëzore. Gyleni thotë:

“Ata të cilët e konsiderojnë lirinë si liri absolute, ngatërrojnë lirinë e njerëzve me atë të kafshëve. Kafshëve nuk u bëhen pyetje në lidhje me moralin dhe nuk kanë kufizime morale në sjelljet e tyre. Disa njerëz e dëshirojnë këtë lloj lirie dhe nëse munden e përdorin atë për të plotësuar dëshirat më të errëta të momentit. Një liri e tillë është e gabuar dhe kafshërore. Liria e vërtetë, liria e përgjegjshmërisë morale, e bën një individ qenie njerëzore, sepse ajo e motivon dhe e gjallëron ndërgjegjen dhe i heq pengesat shpirtit.”[19]

Pra, që të dy, si Milli ashtu edhe Gyleni, flasin teorikisht për lirinë njerëzore në një mënyrë të tillë që e vendos atë brenda një filozofie më të gjerë dhe që ka të bëjë me ndriçimin njerëzor. Asnjëri prej tyre nuk e sheh libertinizmin, si shkallën më të lartë të lirisë. Përkundrazi, që të dy e konsiderojnë lirinë si siguruese e terrenit për zhvillim më të plotë dhe për shprehjen e aftësive më të mira dhe më të larta njerëzore, si përmbushje të asaj që u siguron njerëzve kënaqësitë me kohëzgjatje më të madhe. Këto kënaqësi kanë të bëjnë me aspektin intelektual, shpirtëror, emocional dhe etik.

Siç e theksova më sipër, Gyleni dhe Milli vijnë nga kontekste shumë të ndryshme shoqërore, politike dhe fetare. Padyshim, nëse do të ishte e mundur që ata të bashkëbisedonin me njëri-tjetrin ballë për ballë, mund të kishin divergjenca në disa prej pikave kyçe të kornizës përkufizuese të lirisë dhe tolerancës në shoqëri. Megjithatë, të dy do të ishin në një pikë, e cila sipas mendimit tim është më thelbësore për jetën dhe zhvillimin njerëzor. Dhe kjo është liria e mendimit dhe e shprehjes, me kontekst brenda një përpjekjeje më të madhe drejt idealit të përgjithshëm të lirisë. Njerëzit duhet të mos kenë frikë për rrjedhojat e mundshme të fjalëve të tyre, ata duhet të jenë në gjendje të mendojnë lirisht dhe t’i shprehin këto mendime pa pasur frikën e ndëshkimit. Sipas mendimit tim, asnjë dëm i drejtpërdrejtë dhe i matshëm nuk i është shkaktuar askujt nga shprehja e mendimeve, apo të shkruarit e ideve. Përkundrazi, shoqëria dhe individët gëzojnë shëndet dhe përfitim si tërësi, kur shoqëria e rekruton vetveten në mënyrë të tillë që të lejojë mendimin, shprehjen dhe debatin e lirë. Nëpërmjet kësaj lirie, qeniet njerëzore i lejojnë vetvetes hapësirën maksimale për të zhvilluar aftësitë e tyre të trashëguara të ndërgjegjes, imagjinatës, ndjenjave, spiritualitetit dhe intelektit. Vetëm kur këto cilësi zhvillohen dhe u jepet një hapësirë e mjaftueshme për t’u zhvilluar më tej nga strukturat politike dhe shoqërore përkatëse, qeniet njerëzore përsosen dhe arrijnë kufijtë më të lartë të mundshëm të mundësive të tyre.

Milli dhe Gyleni kanë merita të barabarta përsa i përket këtij ideali të lirisë brenda konteksteve të tyre respektive, së pari sepse ata janë të dy humanistë në kuptimin më të gjerë të fjalës, ndaj ideali i lirisë është thelbësor për mendimin humanist. Për më tepër, si kampionë të lirisë njerëzore, të dy janë gjithashtu kampionë edhe të madhështisë njerëzore, jo thjesht si një ideal abstrakt, por si një hallkë e nevojshme e jetës kolektive njerëzore në botën aktuale. Gyleni, si shumë të tjerë, ka një vizion të qartë në lidhje me madhështinë njerëzore në kuptimin e aspekteve që përcaktojnë qeniet e mëdha njerëzore. Për të, janë ata që aktualizojnë në vetvete potencialin më të lartë dhe më të mirë njerëzor. Për këtë vizion të madhështisë njerëzore dhe një ideali njerëzor që duhet aktualizuar në kohë dhe në hapësirë, do të flasim tani.

Referenca
[1] Mill, On Liberty, 41
[2] Po aty, 44
[3] Po aty, 48
[4] Po aty, 67
[5] Po aty
[6] Po aty
[7] Gylen, Pearls of Wisdom, 55
[8] Gylen, Toward a Global Civilization of Love and Tolerance, 44
[9] Gylen, The Statue of Our Souls, 5-10, 31-42
[10 ]Po aty, 38
[11] Po aty, 38-9
[12] Po aty, 39
[13] Po aty, 40
[14] Mill, Utilitarianism, 7
[15] Po aty
[16] Po aty, 8
[17] Po aty, 9
[18] Po aty, 10
[19] Gylen, Pearls of Wisdom, 55

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.