Metoda e Kur'anit për vërtetimin e ringjalljes pas vdekjes, grumbullimit në sheshin e llogaridhënies dhe jetës tjetër

Askush nuk ka lëkundje në lidhje me çështjen se kiameti do të ndodhë. Madje, shkencat e natyrës së ditëve tona dhe shkencëtarët janë të një mendimi për këtë. Vetëm se këta e presin këtë ngjarje pas një kohe shumë të gjatë. Mirëpo dukuritë e jashtëzakonshme janë aq të shumta, sa vetëm njëra prej tyre mund ta shkaktojë kiametin.

Për shembull, në qoftë se hëna që pranohet se është shkëputur nga toka në krye të herës, kërkon të kthehet prapë në "gjoksin e nënës", pra të kthehet prapë në tokë, do t'i nënshtrohet një shpërthimi atomik për shkak të ligjeve atomike dhe, kështu, ndodh kiameti ose katastrofa e përgjithshme e kësaj bote.

Në një hadith profetik, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili duke e komentuar ajetin e kiametit, e shënon kiametin me hënën, ia tregon hënën Hz. Aishes dhe i thotë:

"O Aishe! Mbështetu te Allahu nga e keqja e kësaj hëne të fshehur në errësirë!"[1]

Prandaj njerëzit e afërt të Allahut e komentojnë shikimin e hënës në ëndërr si shenjë për keq, kurse shikimin e diellit si shenjë për mirë.

Një meteor mund të përplaset me tokën dhe të shkaktojë kiamet. Ose një provë atomike e gabuar mund të shkaktojë shpërthimin e kiametit dhe shkatërrimin e botës. Pavarësisht se ç'mund të jetë shkaku formal, Zoti që i ka në dorë të gjitha shkaqet, do të urdhërojë të bjerë briri për shpërthimin e kiametit dhe do të ndodhë katastrofa e përgjithshme dhe shkatërrimi i kësaj bote.

Sipas mënyrës së përcaktimit tonë, metodat kur'anore të vërtetimit të ringjalljes pas vdekjes janë dy:

E para, metoda e shëmbëllimit dhe analogjisë.

E dyta, metoda e tregimit të dukurisë së ngjashme.

Duke i trajtuar këto dy alternativa, Kur'ani e vërteton me argumente objektive nga makrobota se do të ndodhë shkatërrimi, ringjallja e njerëzve pas vdekjes dhe jeta tjetër, gjithashtu me argumente subjektive duke zbritur nga makrobota në mikrobotë. Në mënyrë të veçantë, Kur'ani e trajton çështjen duke i marrë bashkë makrobotën me mikrobotën, gjë që ne mund ta quajmë edhe "argument universal". Në këtë rast merret parasysh krijimi absolut.

Dhe tani, le të përpiqemi që t'i parashtrojmë me radhë këto metoda argumentimi.

Me anën e metodës së shëmbëllimit dhe analogjisë, Kur'ani e provon kiametin, ringjalljen, grumbullimin në sheshin e llogaridhënies dhe jetën tjetër duke dhënë shembuj nga makrobota.

"Allahu është Ai që i ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shihni ju dhe, pastaj, sundoi mbi Arshin (u vendos në fronin e vet, mori në dorë drejtimin dhe administrimin e të gjithë qenies, e rregulloi dhe e sistemoi tërë qenien) dhe i bëri diellin dhe hënën t'i nënshtroheshin vullnetit të Tij. Të gjithë ekzistojnë dhe lëvizin për një periudhë gjer në një afat të caktuar. Kështu Ai e rregullon çështjen e krijimit dhe i sqaron argumentet e Tij në mënyrë që të besoni prerazi se do të përballeni me Zotin tuaj!" (Rra'd, 13/2)

Zoti që do t'i ringjallë njerëzit me anë të kiametit, e mban qiellin pa ndonjë shtyllë, kurse yjet e vazhdojnë udhëtimin dhe rrotullimin e tyre falë të rregullit të vënë prej Tij. Ju shihni sesi ky qiell madhështor është në gjendje lëvizjeje pa pasur ndonjë shtyllë apo bosht dhe në të nuk vëreni asnjë lloj ngadalësimi apo çrregullimi. Pasi e ngriti qiellin kështu, pa ndonjë shtyllë, Allahu u vendos mbi Arsh dhe e kryen sundimin e vet prej atje. Pastaj i shfaq diellin dhe hënën dhe pothuaj jua jep ndër duar juve frerët e përfitimit prej tyre. Çdo gjë e bën me llogari dhe, kështu, ju tregon juve rrezatime urtësie nga dija e Tij e pafundme!

Po, Allahu që i vë në rregull të gjitha punët në qiell e në tokë, që pas çdo gjëje ju tregon vulën e fuqisë së Tij, ju premton juve ringjalljen pas vdekjes dhe, me ajetet-argumente të Tij, ju tregon juve fuqinë dhe forcën e Tij, se ndoshta mendoni për të gjitha këto, ktheheni prapa dhe besoni faktikisht në të vërtetën se një ditë do të takoheni me Të!

Në të vërtetë, duke besuar në jetën e pasme, ahiretin, besojmë se Allahu që është një dhe që e tregon dhe e bën veten të ndjehet me të gjithë hyjnitetin dhe kauzalitetin e Tij, do ta krijojë kiametin, ringjalljen e njerëzve dhe jetën tjetër në atë mënyrë që të dojë vetë!

"Atë ditë Ne do ta mbledhim qiellin siç mbledhim rrotull librin. Ashtu si ta kemi filluar krijimin e parë, ashtu e kthejmë prapë atë (e asgjësojmë). Japim fjalën se këtë do ta bëjmë patjetër!" (Enbija, 21/104)

Do ta mbyllim dhe mbledhim gjithësinë siç mbyllim dhe mbledhim librin duke ia ndryshuar krejt përbërjen dhe cilësinë e sotme. Nuk mbetet më lëvizje dhe energji, por shfaqet një qëndresë dhe ngrirje. Duke e mbyllur librin e gjithësisë që e patëm nxjerrë nga vendruajtja dhe ua patëm ofruar shikimit dhe vrojtimit tuaj, e fusim përsëri në vendruajtjen e tij siç qe në fillim. I gjithë krijimi kthehet në gjendjen e parë. Ashtu si në krijimin e parë kur shkaqet patën qëndruar dhe heshtur, ashtu do të qëndrojnë dhe heshtin edhe në krijimin e dytë, librin e mbledhur rrotull do ta shpalosim përsëri dhe molekulat do t'i krijojmë përsëpari!

"A nuk po e shohin se Allahu që i ka krijuar qiejt dhe tokën dhe nuk është lodhur në krijimin e tyre, ka mundësi edhe t'i ringjallë të vdekurit? Sigurisht! Ai ka mundësi për çdo gjë! (Ahkaf, 46/33)

Allahu që i ka krijuar qiejt e tokën duke i vendosur brenda një sistemi dhe që kurrsesi nuk lodhet dhe mërzitet duke i bërë këto, a nuk ka fuqi dhe mundësi për t'i ringjallur të vdekurit? Po qe se shihni me një vështrim për të marrë shembull e për të nxjerrë mësim, për çdo ngjarje e dukuri e pas çdo ngjarjeje e dukurie do të thoni "Allah"! Allahu që kurrë nuk lodhet dhe nuk ndjen nevojë për pushim. Kjo specifikë parashtrohet kështu në një ajet tjetër:

"Pa dyshim, Ne i krijuam qiejt e tokën dhe gjithçka ka mes tyre në gjashtë ditë dhe nuk u lodhëm aspak!" (Kaf, 50/38)

Ja pra, një Zot i tillë, a nuk është i aftë për t'i ringjallur të vdekurit?

Shëmbëllimi dhe analogjia është një metodë argumentimi e Kur'anit. Duke ua parashtruar shikimeve gjithësinë dhe botën ku jetojmë dhe duke treguar për aftësinë krijuese dhe për aktin krijues të Allahut, mendjet përgatiten për ta pranuar se Ai ka për ta krijuar një gjithësi dhe botë të tillë përsëpari. Falë kësaj metode, besimi i njeriut mbi kiametin ose katastrofën e kësaj bote dhe pastaj ringjalljen, forcohet gjithnjë e më shumë.

"Ai që i ka krijuar qiejt dhe tokën, a nuk është i aftë t'i krijojë të ngjashmit e tyre? Sigurisht që është! Ai është Krijues i Gjithëditur!" (Jasin, 36/81)

"A krijimi juaj është i vështirë, apo krijimi i qiellit, të cilin Allahu e ka bërë dhe e ka ngritur?" (Naziat, 79/27)

A krijimi juaj është i vështirë, apo krijimi i të gjitha sistemeve, përfshi njerëzit dhe xhindët? Allahu që ka ngritur pallatin e gjithësisë, a nuk mundet të shpikë dhe të ngrejë për ju në parajsë pallate më të vegjël?

"Nga argumentet e Tij është edhe toka që ti e sheh të thatë, të plasaritur e të tkurrur. Por kur lëshojmë shi mbi të, ajo fillon të dridhet e të fryhet. Allahu që e ringjall atë, pa dyshim që i ringjall edhe të vdekurit! Ai ka mundësi për çdo gjë!" (Fussilet, 41/39)

Ju e shihni tokën të tharë, të tkurrur, të mbaruar nga thatësira, e shihni si një njeri që ka përkulur qafën me respekt ndaj Allahut dhe i kërkon shpëtim. Në atë çast Ne lëshojmë shi nga qielli dhe menjëherë fillon në të një lëvizje dhe gjallëri. Farërat mbijnë dhe filizat e rinj nxjerrin kryet jashtë. Toka kthehet në blerim. Ja pra, Allahu që e ringjall tokën kështu çdo pranverë, kështu do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Allahu që ju tregon juve çdo pranverë ringjalljen e bimësisë, edhe të vdekurit do t'i ringjallë!

Sigurisht Allahu, siç i ringjall në pranverë një sërë kafshësh, insektesh e zvarranikësh që bien në prag të dimrit në gjumin letargjik dimëror si dhe pemët e drurët e tharë, do t'ju ringjallë edhe ju një ditë, pasi të keni rënë në tokë të vdekur në stinën tuaj të dimrit!

"O njerëz! Po qe se dyshoni në ringjalljen tuaj pas vdekjes, dijeni se ne ju krijuam ju në fillim nga dheu, pastaj nga sperma, pastaj nga embrioni, pastaj nga një copë mishi pa formë që t'jua tregojmë haptas fuqinë tonë. Sipas dëshirës sonë, ju mbajmë një kohë në mitrën e nënës, pastaj ju nxjerrim që atje si foshnjë. Pastaj ju rrisim që të bëheni të fortë e të aftë. Pastaj dikush vdes duke qenë ende fëmijë, kurse dikush rron gjer në pleqëri të thellë kur të mos dijë e të mos kuptojë asgjë (duke u kthyer përsëri në gjendjen fëminore kur s'dinte asgjë). E shihni edhe tokën sesi është tharë e ka vdekur. Por kur i lëshojmë ujë sipër, lëviz, dridhet, fryhet dhe prej saj mbijnë çifte bimësh nga të gjitha llojet!" (Haxh, 22/5)

Ashtu siç bëhet e qartë edhe në pjesën e fundit të ajetit, ju e shihni tokën të tharë e të djegur, si hi, ku është e pamundur të mbijë e të bëhet ndonjë gjë. Por kur fillon të bjerë shi i dendur nga qielli, fillon një gjallëri, një lëvizje. Pastaj fillojnë të mbijnë bimë të ndryshme. Duke i krijuar të gjitha gjallesat çifte, Allahu ju nxjerr para sysh pamje e peizazhe që jua kënaqin syrin dhe zemrën!

"Kjo kështu është, sepse Allahu është e vërteta e vetme. Çdo gjë fiton ekzistencë me Të; Ai i ringjall të vdekurit dhe Ai është i aftë për të bërë çdo gjë!" (Haxh, 22/6)

Të gjitha këto janë të vërteta, sepse janë nga Allahu. Ja pra është Ai që ka për t'i ringjallur të vdekurit. Dhe Ai ka mundësi për çdo gjë. Allahu (xh.xh.) që i drejton dhe administron mijëra ngjarje mbi kryet tuaj, me anë të shfaqjeve të Tij ju tregon juve se ka mundësi për çdo gjë!

"... sepse ajo orë (e kiametit) do të vijë patjetër, në të nuk ka dyshim! Dhe Allahu do t'i ringjallë ata që ndodhen në varre!" (Haxh, 22/7)

Siç shihet, kiameti do të vijë patjetër. Për këtë nuk ka dyshim! Dhe Allahu do t'i ringjallë të gjithë të vdekurit!

Siç e sqaruam edhe më lart, në të gjitha këto ajete Zoti i tregon së pari shenjat e vdekjes dhe të ringjalljes në tokë. Ashtu siç i ringjall Zoti në pranverë farat e rëna në tokë dhe të mbetura ashtu gjatë dimrit të gjatë të vdekjes, ashtu do t'i ringjallë edhe njerëzit në pranverën e dytë të tyre!

E parë nga ky këndvështrim, edhe sikur çështja të trajtohet nga një filozof, edhe nga një çoban, nuk mund të bëhet më e qartë se sa ç'bëhet me këtë metodë bindëse të Kur'anit. Përfshi edhe hadithet e profetit Muhamed (s.a.s.) lidhur me këtë çështje, të gjitha ç'janë thënë janë shtjellime dhe komente të thënieve të Kur'anit.

Duke e provuar ringjalljen e madhe me argumente subjektive dhe duke na i kthyer shikimet në botën subjektive, Kur'ani i përfton çështjes qartësi me këto shembuj:

"Siç ju krijoi në fillim, përsëri te Ai do të ktheheni!" (A'raf, 7/29)

Ashtu siç ju krijoi në fillim nga dheu, nga sperma, nga gjaku i mpiksur dhe nga një copë mishi pa formë, përsëri, do t'i mbledhë atomet tuaja thelbësore, do të bëjë një sintezë dhe do t'ju krijojë nga e para.

"A nuk e di njeriu se e kemi krijuar nga një spermë që tani na u bë armik i hapur? Dhe, duke e harruar krijimin e vet, na paraqiti Neve argument: "Kush do t'i ringjallë këto eshtra të kalbura?" Thuaju: "Do t'i ringjallë Ai që i krijoi për herë të parë! Ai njeh çdo lloj krijimi!" (Jasin, 36/77-99)

Edhe mohuesi i shekullit të parë, edhe mohuesi i fundit i shekullit të njëzetë thonë të njëjtën gjë: "Kush do t'i ringjallë këto eshtra të kalbura të bëra hi?"

Kur'ani u përgjigjet atyre kështu: "Kush ta ketë dhënë jetën në fillim, Ai do t'i ringjallë!"

"Ai që bëri për ju zjarr nga druri i gjelbër (i njomë) që ju e përdorni për ta djegur!" (Jasin, 36/80)

Allahu (xh.xh.) nxjerr zjarr nga druri që pikon ujë nga brenda. Ndërkaq, dihet se të kundërtat nuk mblidhen bashkë në një vend dhe ky parim është një rregull i qartë. Zoti me fuqi të pafundme, i bashkon bashkë dy të kundërta. Po qe se drurët Merh dhe Afar të njohur nga arabët, fërkohen me njëri-tjetrin ndërsa prej tyre pikon ujë pika-pika, gjë që është e kundërta e zjarrit, ndizet zjarr. Ja pra Allahu (xh.xh.) që e tregon fuqinë e Tij në këtë mënyrë, e formon jetën nga eshtrat e kalbura që duken si e kundërta e jetës, dhe e ringjall njeriun në një jetë të re.

Me të njëjtën metodë, Kur'ani e vërteton ringjalljen duke na shfaqur para syve edhe mikrobotën e përbërë prej atomeve dhe grimcave më të vogla:

"O njerëz! Po qe se dyshoni në ringjalljen tuaj pas vdekjes, dijeni se ne ju krijuam ju në fillim nga dheu, pastaj nga sperma, pastaj nga embrioni, pastaj nga një copë mishi pa formë që t'jua tregojmë haptas fuqinë tonë. Sipas dëshirës sonë, ju mbajmë një kohë në mitrën e nënës, pastaj ju nxjerrim që atje si foshnjë. Pastaj ju rrisim që të bëheni të fortë e të aftë. Pastaj dikush vdes duke qenë ende fëmijë, kurse dikush rron gjer në pleqëri të thellë kur të mos dijë e të mos kuptojë asgjë (duke u kthyer përsëri në gjendjen fëminore kur s'dinte asgjë). E shihni edhe tokën sesi është tharë e ka vdekur. Por kur i lëshojmë ujë sipër, lëviz, dridhet, fryhet dhe prej saj mbijnë çifte bimësh nga të gjitha llojet!" (Haxh, 22/5)

Po qe se keni dyshim në ringjalljen, vëzhgoni dukurinë që ndodh në natyrën tuaj dhe analizoni këtë argument subjektiv:

Në fillim, Allahu (xh.xh.) ju krijoi nga dheu. Përbërja juaj thelbësore është prej një sërë elementesh të marra nga sipërfaqja e tokës. Pastaj elementët janë përzjerë dhe prej tyre është formuar një ekstrakt proteinik. Një shkallë më tej, domethënë në nivelin e gjallesës, përbërja juaj ose ekstrakti proteinik u bë një pikë ujë, madje e ndyrë. Pastaj, një droçkë gjaku dhe, më tej, një copë mishi me formë a pa formë. Pasi arrin në këtë gjendje, ose krijoheni, ose nuk krijoheni. Ose bini si një dështak, ose zhvilloheni më tej sipas farës që ndodhet në përbërjen tuaj për t'u bërë një qenie e përsosur e quajtur njeri. Pastaj Zoti ju mban në mitër sa të dojë dhe ose dështoheni fëmijë 3-4 muajsh, ose lindeni fëmijë gjashtë, shtatë ose nëntë muajsh.

Dhe ju që ju sollëm në gjendjen e një fëmije të njomë, pastaj përpiqeni të rriteni e të bëheni të aftë gjer në një pikë të caktuar. Dikush nga ju vdes pa u pjekur, kurse disa të tjerë nga ju arrini gjer në pleqëri të vonë. Mund të liheni në jetë gjersa t'ju thyhet mesi, të mos ju mbajnë dot këmbët e koka t'ju bjerë në gjoks, gjersa t'ju thinjen flokët dhe të plakeni aq shumë, sa, pas gjithë atyre që ju kanë ndodhur në jetë, të mos mbani mend asgjë. Kështu, e filloni jetën si fëmijë dhe, më në fund, po si fëmijë, por mjekërbardhë, ikni e mërgoni nga kjo botë!

"A mos mendon njeriu se do të lihet të sillet vërdallë pa qëllim? A nuk ishte ai një spermë që derdhet? Pastaj u bë një gjak i mpiksur dhe Zoti e krijoi duke i dhënë formë. Dhe krijoi prej tij çiftin prej një mashkulli e një femre. Dhe tani, Allahut që i bën të gjitha këto, a s'i mjafton fuqia për t'i ringjallur të vdekurit?" (Kijame, 75/36-40)

Allahu që ju sjell në këtë gjendje duke ju kaluar nëpër etapa të caktuara, a nuk ka mundësi t'i ringjallë të vdekurit? Siç u pa, çështjen e ringjalljes Kur'ani e vërteton me arsyetim dhe logjikë të posaçme për të në një mënyrë që të mos ketë nevojë për asnjë argument tjetër. Pothuajse një e treta e ajeteve të Kur'anit bën fjalë për këto të vërteta. Me ato që përmendëm më lart, ne vetëm sa japim një ide. Edhe ato që do të themi më poshtë, do të përbëhen prej komentit dhe hollësive të këtyre ajeteve.

Ideja, mendimi, ndjenja, njeriu, njerëzimi dhe aktet dhe aksionet e lidhur me këta elementë rrjedhin nëpër këtë botë për t’u mbledhur, më në fund, në një basen sipas natyrës së rrugës së rrjedhjes së tyre. Këtu ne nuk shohim ndonjë shpërblim apo ndëshkim. Sa e sa persona që do t’ua kalonin në padrejtësi, dhunë, tirani e mizori edhe vetë faraonëve e tiranëve, kanë shkuar në botën tjetër pa marrë dhe pa vuajtur asnjë ndëshkim, pa hequr asnjë mundim, pa u dhembur koka, dhëmbi a mesi. Po kështu, por në kahje të kundërt, sa e sa persona kanë mërguar në botën tjetër pasi kanë pësuar mijëra fatkeqësi, pasi janë dërrmuar në vuajtje si mes gurëve të mullirit, të dëmtuar dhe viktima të padrejtësisë, dhunës, tiranisë e mizorisë!

Mizori ka mendimet dhe llogaritë e veta, po ashtu edhe viktima ka qëllimet dhe mendimet e veta që ndryshojnë krejtësisht nga ato të tjetrit.

Ja pra, këto dy rrjedha me kahje krejt të kundërta që rrjedhin si ujëvara, do të grumbullohen në botën tjetër siç mblidhen ujërat në një basen dhe do të rreshtohen para Zotit të Madh e të Lartë për të dhënë llogari për gjendjet dhe veprimet e tyre në këtë botë. Dhe, në përfundim të llogaridhënies, viktima do të shkojë në xhenetin që i pati besuar në këtë botë siç i pati besuar qenies së vet, kurse mizori do të hidhet si një grumbull plehrash në xhehenemin që, sa pati qenë në këtë botë, s’e pati kaluar as në mendje!

Apelin e pabërë në këtë botë të të mirëve dhe të të këqijve, do ta bëjë në anën tjetër Allahu, i Drejti Absolut, që do t’u drejtohet kështu grupit të të këqijve dhe mizorëve:

“Veçohuni sot o ju fajtorë!” (Jasin, 36/59)

Ja, kjo ndarje dhe ky apel nuk bëhet praktikisht në këtë botë. Mirëpo mes të gjitha llojeve të tjera të materies, i miri dallohet nga i keqi, i bukuri dallohet nga i shëmtuari, i përsosuri nga i mangëti qysh në këtë botë. Ndërkaq, nuk mund të mendohet që qenia më e përsosur, më e mrekullueshme e gjithësisë dhe esenca e saj, njeriu, të përjashtohet nga rregulli. Meqë ndarja, dallimi dhe apeli për njeriun nuk bëhen këtu, do të thotë se do të bëhen në një botë tjetër.

Fara hidhet në tokë dhe, ndërsa vetë kalbet, embrioni i saj zhvillohet dhe prej aty ku ka rënë, fillon të shfaqet një jetë e re. Bima rritet e bëhet pemë, mbushet me degë e gjethe dhe jep fruta. Pastaj i hedh të gjitha dhe kthehet e bëhet si eshtër e tharë. Por në pranverën e re blerohet e stoliset përsëri duke jua shfaqur veten juve. Të gjithë insektet, brejtësit, etj., në vjeshtë bien në gjumin e dimrit duke iu nënshtruar një gjendje vdekjeje. Pastaj, kur vjen pranvera, ringjallen dhe shpërndahen duke nisur një jetë të re. Si mund të mendohet përjashtimi i njeriut nga ky ligj që vepron te të gjithë gjallesat? Edhe njeriu ka një pranverë, një dimër dhe, pastaj, një pranverë të dytë. Sepse edhe ai ka dalë në shesh nga një farë, është rritur e mbushur si një pemë, ka dhënë fruta në formë idesh, mendimesh dhe veprash dhe pastaj ka arritur në një gjendje që të mos vlejë për asgjë dhe ka rënë sërish në tokë si fara. Tani ai pret pranverën e tij të dytë. Kur të vijë koha dhe t’i fryhet bririt, do të vijë edhe pranvera e tij e dytë!


[1] Tirmidhi, Tefsir, suret 113-114, 1; Ahmed b. Hanbel, 6/61, 206, 215, 237; 252.