Mbi Çeshtjen e se Fshehtes

Fjala "e fshehta" (gajb) trajtohet në Kur'an në ajete të ndryshme e në forma të ndryshme.

"Çelësat e së fshehtës janë tek Ai. Vetëm Ai e di të fshehtën. Ai e di se ç'ka në tokë e në det, Ai di për çdo gjeth që bie dhe s'ka kokërr në thellësi të tokës, s'ka të njomë e s'ka të thatë që s'është shënuar në librin e qartë!" (Kur'ani, En'am: 59). Në këtë ajet thuhet se e fshehta ndodhet plotësisht në lartësinë hyjnore të Allahut dhe se askush përveç Tij (përfshi edhe Hz. Muhammedin) nuk mund ta dijë të fshehtën.

"Thuaj: "Unë nuk ju them se kam në dorë thesaret e Allahut dhe se e njoh të fshehtën. As po ju them se jam engjëll. Unë bëj vetëm ashtu siç më thuhet." Thuaj: "A janë të barabartë i verbëri me atë që sheh?" A nuk po mendoni?" (Kur'ani, En'am: 50).

"Thuaj: "Përveç dëshirës së Allahut, nuk kam në dorë ndonjë forcë për t'i sjellë dobi ose dëm vetes. Po ta dija të fshehtën, do të bëja më tepër dobi për vete dhe s'do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm një paralajmërues dhe myzhdedhënës për njerëzit që besojnë." (Kur'ani, A'raf: 188).

Kurse në kreun "Xhin" thuhet kështu: "Eshtë Ai që e di të gjithë të fshehtën që nuk ia zbulon askujt përveç ndonjë të Dërguari që do. Atëherë Ai vë rojë edhe para, edhe prapa tij që ata ta kuptojnë se i dërguari ka kumtuar fjalët e Zotit të tij dhe se Allahu ka përfshirë dhe shënon çdo gjë që ndodh rreth tij." (Kur'ani, Xhin: 26-28).

Tani, nën dritën e këtyre ajeteve, mund të bëjmë një ndarje të tillë: "I Dërguari i Allahut e njihte absolutisht të fshehtën." Dhe "I Dërguari i Allahut absolutisht nuk e njihte të fshehtën." Këto janë dy vlerësime ose konkluzione ekstreme: i pari, një pohim absolut dhe, i dyti, një mohim absolut. Në të vërtetë, ai vetë nuk e njihte të fshehtën, por, në sajë të njoftimit të Allahut, arrinte ta njihte në atë mënyrë, saqë, sikur të rrinte para një ekrani, u shpaloste njerëzve para syve në vijat kryesore dhe me parimet themelore, të gjitha ngjarjet që do të ndodhnin gjer në Kiamet. Kjo është edhe çështja mbi të cilën ne kërkojmë të qëndrojmë në mënyrë të posaçme. Ai nuk thoshte diçka nga vetja e tij; ato që thoshte, ishin gjithmonë revelacioni dhe njoftimet e Zotit. Pas Zotit si njoftues, jo vetëm profetët dhe Profeti ynë, por edhe një pjesë njerëzish të avancuar mund të bëhen pjesëtarë të së fshehtës si shprehje e lartësimit të tyre shpirtëror. Me të vërtetë, i Dërguari i Allahut pohon: "Mes ummetit tim ka një pjesë njerëzish të frymëzuar",(81) ku nënkuptohen njerëzit e denjë për frymëzimin hyjnor. Lidhur me këtë çështje, le të kujtojmë sesi Hz. Omeri që po mbante hutben (ligjëratën) në minber, sheh, prej aty ku është, sesi ushtria Islame po rrethohet pas malit prej ushtarëve armiq dhe i flet tri herë komandantit Sarije: "O Sarije, nga ana e malit!" Komandanti e dëgjon zërin dhe e çan rrethimin...(82) Po ashtu, persona si Muhedini Arabiu që kanë aluduar për ngjarje që do të ndodhnin identikisht shekuj më vonë, qindra persona si Mevlanai,(*) Imami Rabbaniu, Myshtak Efendiu që kanë paralajmëruar lidhur me të ardhmen. Fakti që të gjithë këta kanë parashikuar të ardhmen, që kanë treguar besnikëri nga zemra për të Dërguarin e Allahut dhe që kanë pohuar se e gjithë pasuria e frymëzimit të tyre për të cilën janë bërë të denjë, rrjedh prej burimit dritësor Muhammedian, tregon se - me lejen e Allahut - sa i hapur ndaj së fshehtës ka qenë Ai! Po, nëse ata që përgatiti Ai, bëhen të denjë për frymëzime të tilla dhe të aftë për të kapur frymërat hyjnore dhe, në këtë dimension, bëhen pjesëtarë të së fshehtës, përse të duket me mundësi të largët pjesëtaria ndaj të fshehtës - si një mrekulli kjo - e Profetit të të Dy Botëve i cili do të peshonte më rëndë nëse ai vihej në një anë të peshores dhe i gjithë ummeti i tij në anën tjetër?(83)

Ekzistojnë afro treqind të tilla mrekulli të Profetit, të përmendura në librat e shquar të hadithit. Këto janë njoftime të së fshehtës, nga të cilat një pjesë e madhe janë realizuar identikisht dhe një pjesë tjetër presin kohën për t'u realizuar e vërtetuar. Ne këtu nuk do t'i përcjellim të gjitha këto. Mendojmë të mjaftohemi vetëm me disa raste tipike për të dhënë një ide; këto raste mund t'i ndajmë në tre grupe kryesore:

I pari: Njoftimet e së fshehtës përkatëse të periudhës së vet.

I dyti: Thëniet mbi të ardhmen e afërt dhe të largët.

I treti: Deklaratat mrekullishprehëse të pohuara me një stil figurativ, e vërteta e të cilave është kuptuar më vonë me zbulimet shkencore.



(81) Myslim, Fezailu's-Sahabe, 23.
(82) Kenzu'l-Ummal, 12/571.
(*) Poeti i shquar Xhelaledin Rumi.
(83) Ebu Davud, Synne, 8; Mysned, 2/76.