Fethullah Gylen dhe modeli shqiptar

Në radhë të parë do të kisha dëshirë të përcjell falenderimet për shtëpinë botuese “Prizmi” për botimin ne shqip, promovimin dhe mundësinë qe po i jep lexuesit shqiptar që të njihet me veprat e Fethulllah Gylenit.

Unë do të përpiqem të ndaj me ju disa konsiderata që sjellin përqasje të ideve themelore të Fethullah Gylenit me modelin që kanë ekspozuar muslimanët shqiptare në vite.

Dihet nga të gjithë, por unë kam kënaqësi ta theksoj që në fillim se,  Fethullah Gylen përfaqëson një figurë poliedrike ku bëhet bashkë shkrimtari dhe poeti, aktivisti i paqes dhe reformatori shoqëror, studiuesi islam dhe predikuesi karizmatik i tij. Pra një figurë ku shkrihet në një të vetme përfaqësuesi masivist i popullit, me përfaqësuesin e komunitetit akademik. Nëse do të hidhnim një vështrim në historinë e Shqipërisë, një figurë të ngjashme mund të shikonim tek jeta dhe veprimtaria e Fan Nolit. Por, Noli u bë masiv brenda kontureve të Shqipërisë si pasojë e prezantimit edhe të një platforme politike. Ndërsa Gyleni ka qëndruar jashtë angazhimit në politikën zyrtare dhe është bërë popullor për muslimanët dhe jomuslimanët edhe jashtë kufijve të Turqisë si pasojë e mospërqafimit të një platforme politike, por duke lançuar platformën e dashurisë dhe tolerancës.

Modeli i Gylenit, sikurse duket edhe në librin “Dashuri dhe tolerancë”, është në esencë një integrim i kulturës turke me islamin në funksion të promovimit të tolerancës dhe dialogut. Ky model që paraqet produkte të tij tolerancën dhe dialogun, natyrshëm është tërësisht i integrueshëm edhe me kërkesat bazë të mirëfunksionimit të një demokracie liberale. Muslimanët shqiptare lehtësisht konstatohet se ndjekin mendimin e Gylenit të bashkekzistencës së traditës me islamin në funksion të dialogut dhe tolerancës. Kjo ka sjellë që Shqipëria një vend me shumicë muslimane nuk ka pasur asnjëherë konflikte të armatosura për çështje fetare.

E shkuar dhe e tashmja e muslimanëve shqiptare shikohet se shkon sipas modelit te Gylenit. Kështu, ndjenjat e tolerancës dhe të respektit reciprok janë shfaqur që në vitet e para të konvertimit të shqiptarëve në muslimanë. Siç shkruan studiuesi Marko Bizzi. “Në ditën e Shëngjergjit, të cilën shqiptarët e respektojnë, më shumë shiheshin muslimanë se të krishterë. Muslimanët shqiptarë edhe sot e konsiderojnë të shenjtë Marinë (Islami ne Shqipëri gjate shekujve) Ali Basha.

Gjithashtu është pranuar nga studiues të ndryshëm se ndjenja e kombësisë tek muslimanët shqiptarë nuk është ngatërruar me çështjet fetare. Kështu Lordi Bajron ka shkruar “I dua shqiptarët, nuk janë të gjithë muslimanë; disa nga fiset e tyre janë të krishtera. Feja nuk i bën te ndryshojnë zakonet e tyre. Ndërsa kleriku Anglez, Hygensi bashkohës i Bajronit ka shkruar: Muhamedani shqiptar nuk është i ngrirë. Ai shpeshherë merr për grua një të krishterë, merr me vete në xhami djemtë, kurse vajzat i lë të shkojnë me t'ëmën në kishë dhe ai vetë shkon me radhë në të dy qendrat e kultit”. Ndërsa Miss Edith Durhan, në librin “Brenga e Ballkanit” ka shkruar: “Kur kaloja në Rumeli pyeta popullin. Çfarë je ti? Katolik, u përgjigj njëri. Protestan, tjetri. Në Bullgari, çfarë je ti? Ortodoks. E ngopur me dogmat e çmendura të njerëzve, duke hyrë në Shqipëri, pyeta juve këtu çfarë jeni?—shqiptarë m'u përgjigj njëri troç. Më në fund thashë. Këtu u çlirova nga maniakët.”

Tek argumenti bazë që muslimanët shqiptarë nuk e kanë vënë fenë mbi kombin gjenden edhe shpjegimet e tolerancës fetare që ne kemi demonstruar në shekuj.

Por ka shumë rëndësi të theksohet se feja islame nuk e mohon kombësinë si kategori historiko-shoqërore. Përkundrazi Kur'ani e legjitimon atë duke thënë: “O njerëz, Ne ju kemi bërë prej një mashkulli e një femre dhe ju kemi bere popuj (kombe) e fise që ta njihni njëri tjetrin.

Janë edhe shumë aspekte nderimi dhe bashkëpunimi të muslimanëve shqiptarë për besimtarë të feve të tjera që formësojnë një konkretizim në praktikë të ideve të Gylenit për islamin e vërtetë që bazohet në paqe, tolerance dhe bashkë ekzistencë paqësore me fetë e tjera.

Hafiz Ali Kraja (Tari) në varrimin e At Gjergj Fishtës “vepra  jote o poet ka për të krijue një faqe të lavdishme në historinë e kombit..„

Po kështu bashkëpunimi njeh forma të organizimit të konferencave apo aktiviteteve të përbashkëta siç ishte “Konferenca e përbashkët e fetare për mbrojtjen e paqes„. Po kështu është krijuar tradita e shkëmbimit të konsideratave reciproke në ditët e festave fetare.

Shumë interesant është fakti se Gylen integrohet me realitetin shqiptar dhe është shprehës i këtij realiteti edhe për njollën e errët që mbart historia e Shqipërisë me diktaturën 50 vjeçare ku islami dhe të gjitha fetë për afro katër dekada jo vetëm u ndaluan por predikuesit u përndoqën dhe u keqtrajtuan. Kjo duket fare qartë edhe në një nga poezitë e tij Revolucion, kur ai me një karizëm shpirtëror shprehet:

Evolucioni –një agim i bukur n'horizont,
t'ja arrish një jete i përmalluar njerëzisht.
Revolucioni –popullin ta shtrish për tokë, do të thotë,
Një flamur që valëvitet vetullngrysur marrëzisht….

Sëfundmi unë do të kisha dëshirë të evidentoja një fakt tjetër lidhur me teknikën që përdor Gyleni në shpjegimin e vlerave të dialogut dhe tolerancës fetare. Më konkretisht në ligjëratën e tij “Islami një fe për tolerancën” por edhe në të gjitha ligjëratat që formësohen duke pasur si bazë harmoninë fetare, tolerancën dhe dialogun ndërfetar, z. Gylen nuk analizon apo kritikon të tjerët, pavarësisht propagandës që qarkullon kundër islamit. Me shumë finese z. Gylen mbetet i vendosur në principet e tij për të thëne se si janë të rrënjosura në islam toleranca, harmonia, dashuria dhe dialogu. Pra nuk shfaqet në të gjitha ligjëratat e tij asnjë luhatje për t'u shmangur nga misioni bazë për t'i sqaruar jo muslimanët lidhur mbi të vërtetat e islamit, por edhe për të orientuar dhe qartësuar muslimanët se suksesi në sfidat që po ndeshin është i garantuar vetëm duke qenë shprehës të nevojës për dialog dhe promovues të tolerancës nëpërmjet edukimit dhe vetpërmirësimit. Pra Gylen arrin të argumentojë me një logjike të pakundërshtueshme se rendi shoqëror i mijëvjeçarit të ri mund të administrohet me sukses vetëm me alternativen e dialogut dhe tolerancës. Jemi me fat që edhe muslimanët shqiptare orientohen në veprimtarinë e tyre të përditshme sipas modelit që ka kultivuar dhe kultivon Fethullah Gylen.

Ky referat është mbajtur nga ana e Dr. Ferdinand Xhaferit me rastin e promovimit të librit Dashuri & Tolerancë, në ambientet e Hotel Tirana më datë 14 Qershor 2006.